Beograd: Lufta për të drejtat e LGBTQ+ vazhdon

Evropë

Beograd: Lufta për të drejtat e LGBTQ+ vazhdon

Më: 7 shtator 2024 Në ora: 09:00
Foto ilustrim

Organizatorët e paradës së Krenarisë së Beogradit të së shtunës thonë se nuk ka pasur tension në prag të ngjarjes, por gjithashtu nuk ka pasur as përparim në të drejtat e LGBTQ+ në Serbi.

"Pride" - Parada e Krenarisë në Beograd nuk është ndaluar. Nuk ka kërcënime të menjëhershme dhe nuk priten incidente. Sado pozitive të jetë e gjithë kjo, këtu përfundon edhe lajmi i mirë për organizatorët e paradës, e cila do të mbahet këtë të shtunë në kryeqytetin serb. Për 10 vitet e fundit, organizatorët e paradës kanë bërë thirrje për miratimin e ligjeve për mbrojtjen e partnerëve të së njëjtës gjini dhe identitetin gjinor, si dhe një përgjigje të shpejtë dhe efektive nga autoritetet shtetërore ndaj gjuhës së urrejtjes dhe krimeve që vënë në shënjestër komunitetin LGBTQ+ në Serbi. "Ne jemi larg arritjes së barazisë apo një jete dinjitoze dhe jemi edhe më larg nga të pasurit zgjidhje ligjore që do t'u mundësonin qytetarëve LGBTQ+ në Serbi të jetojnë jetë të barabartë dhe si duhet," tha Filip Vulovic, një nga organizatorët e paradës.

Nuk ka bashkëpunim me shtetin

Slogani i paradës së Krenarisë së Beogradit të kësaj fundjave është "Krenaria është njeriu", të cilën organizatorët e zgjodhën për t'i kujtuar shoqërisë serbe se anëtarët e komunitetit LGBTQ+ "janë thjesht njerëz që vuajnë nga të njëjtat probleme si gjithë të tjerët, por me sfida shtesë të shkaktuara nga homofobia dhe transfobia”. Edhe pse parada e Krenarisë së Beogradit të vitit të kaluar ishte më e madhja e mbajtur ndonjëherë në Serbi, organizatorët thanë se situata në lidhje me të drejtat për individët LGBTQ+ po përkeqësohet. "Institucionet qëndrojnë të heshtura ndaj kërkesave tona." Vulovic thekson, se edhe gjestet simbolike, si shfaqja e flamujve të paradës përgjatë rrugës, janë refuzuar me justifikime për katër vitet e fundit.

"Këto veprime të vogla tregojnë nëse institucionet janë të gatshme të bashkëpunojnë me ne për të rritur dukshmërinë dhe për të punuar së bashku. Ndryshe nga vitet e mëparshme, Java e Krenarisë ka qenë relativisht paqësore këtë vit, pa kundërprotesta apo fushata negative në tabloidet pro-qeveritare. "Është një shenjë pozitive që tabloidët e lidhur me shtetin nuk janë udhëzuar të publikojnë raporte negative," vuri në dukje Vulovic. "Kjo ndihmon në parandalimin e rritjes së ndjenjave negative para eventit."

Dhuna vazhdon

Por pavarësisht Javës së Krenarisë, realiteti për komunitetin LGBTQ+ të Serbisë mbetet i ashpër. OJQ-ja Da se zna, që do të thotë "Le të dihet" dhe mbron të drejtat e LGBTQ+, raportoi 85 raste të dhunës dhe diskriminimit kundër anëtarëve të komunitetit vitin e kaluar, duke përfshirë 19 sulme fizike.

"Rasti më i rëndë vitin e kaluar ishte ai, kur dy burra homoseksualë u sulmuan nga një grup skinheads në qendër të Beogradit. Njëri pësoi një plagë me thikë në palcë kurrizore. Mjekët luftuan për jetën e tij për ditë të tëra. Tjetri u godit në kokë me një shishe qelqi”, tha për DW Bojan Tomic nga shoqata LGBTQ+ Da se zna.

Hulumtimet e organizatës tregojnë se dy të tretat e këtyre rasteve mbeten të pazgjidhura ligjërisht. "Ndoshta një rast në vit shkon në gjykatë, ndërsa dy të tretat e të gjitha rasteve mbeten të patrajtuara nga institucionet. Kallëzimet penale shpesh ngrihen, por më pas lihen pa mbikëqyrje nga policia apo zyra e prokurorisë," shton Tomiç.

Përveç shqetësimeve për sigurinë, fokusi i këtij viti për organizatorët është edhe kërkesa për një ligj për partnerët e të njëjtit seks, i cili do t'i lejojë çiftet e së njëjtës gjini të zyrtarizojnë partneritetin e tyre dhe të kenë qasje në të drejtat e pronës, trashëgimisë, të drejtat e vizitës në spital ose burg. Ministria përkatëse e kishte përgatitur projektligjin tre vjet më parë, kur ishte ende kryeministre, Ana Brnabiç, gruaja e dytë në botë në krye të qeverisë ishte nga komuniteti nga LGBTQ+. Megjithatë, presidenti Aleksandar Vuçiq bllokoi miratimin e ligjit. Në një intervistë në vitin 2023, presidenti serb tha se ishte ai që i tha kryeministres të mos e nëshkruajë ligjin. "Nëse BE-ja na kritikon për këtë, ata duhet t'i drejtojnë kritikat tek unë, jo tek Ana Brnabiq. Unë besoj se ne jemi një shoqëri tradicionale”, tha Vuçiç.

Protesta jo edhe aq festime

Që atëherë është bërë pak progres. "Disa muaj më parë, gjatë një takimi me Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave në lidhje me integrimin në BE, ministri pranoi nevojën e këtij ligji, por nuk tregoi ndonjë shtytje për ta avancuar atë", shprehet Vulovic. Ministria nuk i është përgjigjur pyetjeve të DW. Aktivistët e shohin këtë vit manifestimin si një protestë dhe jo një festë. "Pride mund të jetë një festë në Berlin apo Amsterdam, por jo këtu”, shpjegon Tomic. Ai beson se protesta duhet të vazhdojë të sfidojë institucionet. "Pride ka parasysh një vend ku të gjithë respektohen", tha ai. "Vetëm ligji dhe institucionet mund të garantojnë sigurinë tonë dhe ne duhet të sigurojmë që të drejtat e njeriut të respektohen në Serbi."/DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat