Rusia njofton se rrëzoi 144 dronë ukrainas

Evropë

Rusia njofton se rrëzoi 144 dronë ukrainas

Më: 10 shtator 2024 Në ora: 15:55
Foto ilustrim

Ushtria ruse njoftoi të martën se rrëzoi 144 dronë ukrainas të lëshuar në sulmet gjatë natës që kishin si objektiv rajonet në pjesën perëndimore të Rusisë. Autoritetet ruse njoftuan se si pasojë e sulmit, një person humbi jetën dhe të paktën tre u plagosën.

Ky ishte një nga sulmet më të mëdha me dronë nga Ukraina në tokën ruse gjatë dy viteve e gjysmë luftë. Sipas zyrtarëve rusë, mbi 140 dronët ukrainas kishin si objektiv disa rajone ruse, përfshirë kryeqytetin Moskë dhe zonat përreth.

Forcat e mbrojtjes ajrore thanë se rrëzuan 20 nga dronët mbi rajonin e Moskës.

Guvernatori i këtij rajoni Andrey Vorobyov tha se si pasojë e sulmit u vra një person, u plagosën tre të tjerë dhe u dëmtuan ndërtesa banimi dhe shtëpi në zonat Lyubertsi dhe Ramenskoie.

Banorë të zonës Ramenskioe tregojnë momentet e sulmit

“Nëse do të kishin lëshuar edhe një dron tjetër, një nga neve do të kishte vdekur”, thotë Alexander Li.

Bashkëshortja e tij, e cila nuk u identifikua tha se “ishte shumë e frikshme, tronditëse. Dolëm me vrap, morëm fëmijët dhe dolëm me vrap. Ishte si një film i frikshëm”.

Numri më i lartë i dronëve u interceptua në rajonin Brians përgjatë kufirit Rusi-Ukrainë, por zyrtarët thanë se nuk pati dëmtime ose të lënduar pas rrëzimit të 72 dronëve.

Dronët ukrainas u rrëzuan nga forcat ruse edhe ne rajonet Kursk, Tula, Belgorod, Kaluga, Voronezh, Lipetsk dhe Oryol.

Ndërkohë forcat ukrainas njoftuan se rrëzuan 38 nga 46 dronët e lëshuar nga Rusia në sulmet gjatë natës.

Sipas zyrtarëve ukrains dronët u interceptuan në rajonet Cherkasy, Chernihiv, Dnipropetrovsk, Kharkiv, Kherson, Kirovohrad, Kiev, Mikolaiv, Odesa, Poltava, Sumi, Vinnitsia dhe Zaporizhzhia.

Rusia tha se kishte shënuar përparim në rajonin ukrainas të Donbasit. Agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi, RIA citoi Sekretarin e Këshillit të Sigurisë Sergei Shoigu, të shprehej se “në total, gjatë gjithë gushtit dhe 8 ditëve të para të shtatorit kemi vënë kontroll në një hapësirë prej 1 mijë kilometrash katrorë”.

Ndërkohë, në zhvillime të tjera, ministria e Jashtme e Ukrainës njoftoi se thirri të hënën të Ngarkuarin me Punë të Iranit Shahriar Amouzegar dhe për ta paralajmëruar mbi “pasojat katastrofike e të pariparueshme” në marrëdhëniet dypalëshe, nëse vërtetohen njoftimet se Teherani ka furnizuar me raketa balistike Rusinë.

Shtëpia e Bardhë i tha Zërit të Amerikës javën e kaluar se ishte “alarmuar” nga njoftimet e pakonfirmuara të mediave Perëndimore se një dërgesë e pashembullt e raketave iraniane me qëllim përdorimin në agresionin e saj kundër Ukrainës ishre kryer ose do të kryhej së shpejti.

Gazeta ‘Wall Street Journal’ njoftoi të premten, duke cituar burime të paidentifikuar të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian se Irani kishte dërguar raketa në Rusi. Kremlini i ka hedhur poshtë njoftimet dhe zyrtarët e Iranit mohuan të hënën të kishin dërguar raketa në Rusi./VOA

Disa informacione për këtë lajm u morën nga agjencitë Agence France-Presse, Associated Press dhe Reuters.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat