Rusia arreston pesë militantë të dyshuar të IS-it

Evropë

Rusia arreston pesë militantë të dyshuar të IS-it

Më: 5 maj 2018 Në ora: 09:44
Policia ruse në Moskë. Foto nga arkivi

Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) thotë se ka arrestuar pesë anëtarë të dyshuar të Shtetit Islamik, që po planifikonin disa sulme në rajon dhe ka konfiskuar një sërë armësh, kanë njoftuar agjencitë e lajmeve ruse.

Pesë të dyshuarit janë arrestuar në qytetin Yaroslavl, në verilindje të Moskës më 3 dhe 4 maj, kanë njoftuar agjencia TASS dhe Interfax, duke cituar një deklaratë të FSB-së.

Rusia, që mbështet ushtarakisht Qeverinë siriane në luftën civile kundër forcave rebele, përfshirë edhe militantëve të Shtetit Islamik, muajin e ardhshëm do të organizojë Kupën e Botës. Autoritetet ruse, para kësaj ngjarjeje sportive kanë rritur masat e sigurisë.

Më 27 prill, FSB-ja kishte njoftuar se ka parandaluar disa sulme që IS-i kishte planifikuar të kryente në Moskë, ku lojërat për Kupën e Botës pritet të mbahen këtë verë.

FSB nuk ka ofruar të dhëna për identitetin e të arrestuarve më 4 maj dhe po ashtu nuk ka njoftuar se ku dyshohej se të arrestuarit do të kryenin sulme.

“Gjatë bastisjeve të shtëpive, një arsenal i eksplozivëve të bëra në kushte shtëpie janë gjetur. Po ashtu, të arrestuarve u janë konfiskuar armë dhe municion”, citohet të ketë thënë FSB.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat