Brexit-i në pushimet verore: Karamele apo budallallëk?

Evropë

Brexit-i në pushimet verore: Karamele apo budallallëk?

Më: 3 gusht 2018 Në ora: 15:12
Theresa May

?Theresa May vendosi t'i shkurtojë edhe më tej pushimet e saj gjithsesi të shkurtra në Itali për t'u takuar të premten në mes të pushimeve verore me Presidentin francez Emmanuel Macron, në rezidencën e pushimit të tij Fort de Brégançon në Cote d'Azur. Pas konfliktit të ashpër midis krahëve të ndryshme në kabinetin e saj, Theresa May i shpalli pak kohë më parë negociatat për Brexitin si kompetencë të saj dhe e ndërroi ministrin e saj të Brexitit. Tani ajo planifikon të negociojë në nivel të barabartë me kryetarët e tjerë të rëndësishëm në BE, për të arritur ndonjë marrëveshje për marrëdhëniet midis Britanisë së Madhe dhe BE deri në afatin e caktuar në fund të tetorit.

Te Kancelarja gjermane Angela Merkel May u paraqit në korrik. Pas kësaj, diplomatët britanikë ishin shumë optimistë se zonja Merkel i mbështet përfytyrimet e May-t për një gjysëmqëndrim në tregun e brendshëm të BE dhe për rregulla të veçanta për doganat britanike.

Zyrtarisht Kancelarja megjithatë ka lëvduar vetëm që britanikët tani me "Librin e Bardhë" të tyre kanë paraqitur një koncept të negociueshëm. "Ky është një hap përpara", i tha Merkeli Mayt. Megjithatë ajo këmbënguli që të 27 shtetet e tjera të formulojnë së bashku një përgjigje dhe ta negociojnë.

Raporte të gazetave britanike, sipas të cilave Gjermania ka tani një qendrim më të butë dhe se do ta miratonte një dokument të formuluar disi turbull për marrëdhëniet e jashtme, i përgënjeshtruan të enjten në Berlin përfaqësues të qeverisë gjermane. Luftëtarët pararojë të Brexitit patën shpresuar se industria automobilistike gjermane, e cila është e lidhur ngushtë me fabrikat britanike, do ta bindte Kancelaren për një marrëveshje më të favorshme.

Image
Macron dhe Merkel

Receta e re e Brexitit quhet "fudge"

Kryenegociatori i BE, Barnier u takua me ministrin e ri britanik të Brexitit, Dominic Raab, i cili përcolli idenë e shefes së tij se tani duhen bërë negociata për një "fudge". Kjo fjalë mund të përkthehet si "masë e karamelizuar" por edhe si "budallallëk". Me këtë pala britanike perifrazon një formulim sa më të turbullt për një bashkim të mundshëm doganor, për marrëdhëniet e ardhshme pa shumë detaje. Një marrëveshje e tillë do t'ua bënte të mundur mbështetësve të vijës së ashpër dhe atyre të vijës së butë në partinë konservatore të May-t që të votojnë pro marrëveshjes.

Supozohet se Michel Barnier është i gatshëm për "fudge", po ta mbështesin këtë shtete të mëdha si Gjermania dhe Franca. Këtë zyra e Barnierit në Bruksel nuk e konfirmon, por kështu shpjegohet ndoshta plani i udhëtimeve në verë të kryeministres britanike. Ajo synon ta zbusë në plazh në Cote d'Azur Presidentin francez, i cili deri tani ka ngulur këmbë që të hartohet një marrëveshje për të qenë për Brexitin, të cilën të mund ta mbështesin të 27 shtetet e tjera anëtare. Franca këmbëngul para së gjithash për marrëveshje konkrete për shërbimet financiare dhe për qasjen e bankave britanike ndaj tregut të brendshëm evropian. Në Londër supozojnë se francezët duan të tërheqin sa më shumë biznese bankare në Paris.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat