Shtyhet për tri javë lansimi i filmit fantastiko-shkencor

Filma

Shtyhet për tri javë lansimi i filmit fantastiko-shkencor

Më: 28 qershor 2021 Në ora: 15:43
“Dune”

Nëse jeni një prej adhuruesve që me padurim po e prisnit lansimin e filmit të ardhshëm të regjisorit Denis Villeneuve, “Dune”, ju informojmë se do të duhet të prisni edhe për ca kohë, sepse projekti me buxhet të lartë ka pësuar sërish shtyrje të datës së lansimit.

Filmi fantastiko-shkencor ishte planifikuar të publikohej në kinematë botërore më 18 dhjetor të vitit të kaluar, por për shkak të pandemisë së koronavirusit, lansimi i tij ishte shtyrë për 1 tetor 2021. Tani, studioja përgjegjëse për distribuimin e filmit, “Warner Bros.”, ka bërë të ditur se “Dune” vjen nëpër kinema më 22 tetor të këtij viti.

Me regji të Denis Villeneuves, i njohur për filma të tillë si “Blade Runner 2049” dhe “Sicario”, në këtë projekt të shumëpritur nga publiku i cili është adaptuar nga romani fantastiko-shkencor i Frank Herbertit, luajnë aktorët e famshëm: Zendaya, Rebecca Ferguson, Timothee Chalamet, Josh Brolin, Dave Bautista, Jason Momoa, Oscar Isaac, Stellan Skarsgard dhe Javier Bardem.

“Dune” e rrëfen historinë e Paul Atreides, një djalosh i ri me aftësi të jashtëzakonshme, i cili duhet të udhëtojë në një prej planetëve më të rrezikshëm në univers, për ta siguruar të ardhmen e familjes së tij fisnike dhe të mbarë popullit. Por, konflikti pason me forcat keqdashëse për kontrollin e një burimi të quajtur “Melange”, i cili kur konsumohet mund ta përmirësojë shëndetin e njerëzve dhe e rrit jetëgjatësinë. Melange, po ashtu, është jetik për t’i ndihmuar udhëtimet në hapësirë dhe njëkohësisht është produkti më i kërkuar në të gjithë universin.

Filmi i shumëpritur dhe me buxhet të lartë ishte paralajmëruar se do të lansohet nëpër kinema në të njëjtën kohë me platformën HBO Max, por kjo gjë nuk është konfirmuar ende, marrë parasysh reagimin e ashpër kundër një vendimi të këtillë nga kompania “Legendary”, e cila e ka financuar 75 për qind të filmit dhe regjisori Villeneuve.

“Warner Bros.” i ka shtyrë lansimet edhe të disa projekteve tjera kinematografike, si filmi i ardhshëm i Clint Eastwoodit “Cry Macho” i cili është shtyrë për 17 shtator të këtij viti, dhe “The Many Saints of Newark” që është shtyrë për 1 tetor 2021.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat