Lewandowski: Ika nga Bayern se doja një tjetër stil jetese!

Futboll

Lewandowski: Ika nga Bayern se doja një tjetër stil jetese!

Më: 4 gusht 2023 Në ora: 18:22
Lewandowski

Robert Lewandowski mbylli sezonin e parë me Barcelonën teksa polaku kontribuoi në titullin e katalanasve që ia dolën të linin pas rivalët e përhershëm Real dhe Atletico Madrid.

Në sezonin e tij të dytë me blaugranat, sulmuesi shpreson të shijojë suksese edhe në Europë ndërsa në një intervistë për prestigjiozen franceze L’Equipe, thekson se për të mosha (mbush 35-vjeç në muajin gusht) është thjesht një numër dhe se ai ende ndihet mirë, madje testet e vërtetojnë se po kalon një formë të shkëlqyer.

“Unë e them gjithnjë se mosha është thjesht një numër, kur zgjohem në mëngjes nuk mendoj se po plakem.

Pastaj shoh testet në vizitat mjekësore dhe gjithçka shkon mirë, parametrat janë në rregull. Ndonjëherë, ndihem edhe më mirë se kur isha i ri.

Sporti i këtyre viteve të fundit ka pësuar shumë ndryshime nga e kaluara dhe unë kujdesem shumë për fizikun tim, e përmirësoj çdo ditë atë.

E di shumë mirë se çfarë duhet të bëj për të qëndruar në formë, kur përballem me të rinjtë e skuadrës marr edhe më shumë energji.

Vendimi për t’u larguar nga Bayern? Doja të ndryshoja stilin e jetës, doja një shtet tjetër, një gjuhë të re dhe persona të rinj.

Kam ëndërruar gjithnjë që të luaja në Spanjë dhe ishte momenti i duhur për të lëvizur.

Te Bayern i fitova të gjitha, arrita rekorde dhe tituj. Isha i lumtur aty, por e ndjeja se ishte momenti i duhur për të lëvizur”, u shpreh Lewandowski.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat