Skënderbeu i sukseseve!

Futboll

Skënderbeu i sukseseve!

Nga: Genc Sermaxhaj Më: 25 gusht 2017 Në ora: 12:34

Klubi futbollistik Skënderbeu nga Korça, edhe kësaj here na bëri krenar me paraqitjet e saj mbresëlënëse duke u kualifikuar në fazën e grupeve të Europa League.  Për herë të dytë Klubi Korçar arriti të jetë pjesë e këtij kompeticioni të garave e cila menjëherë pas Champions League, ka vlerën e saj të madhe dhe të veçantë ku në të marrin pjesë shumë ekipe të mëdha evropiane dhe përfitimet për arritje deri në këtë fazë janë shumë të mëdha. Skënderbeu me “vështirësi”, eliminoi klubin e madh ballkanas Dinamo Zagreb, ku në ndeshjen e parë në Zagreb barazoi 1:1 në një ndeshje të mirë e shumë interesante, me raste të shumta shënimi, lojë dinamike dhe hera-herës me tensione duke pasur parasysh kualifikim në Europa League. 

Futbollisti më i mirë i tyre Liridon Latifi jo rastësisht shënoi dhe me golin e tij tani Skënderbeu gjendet në fazën e dëshiruar të grupeve. Ai me paraqitjen e tij na bëri krenar jo vetëm që shënoi, por edhe në mënyrën se si po luan. Në përgjithësi Skënderbeu po aplikon një lojë shumë të mirë, të mençur, taktikish është në nivel shumë të lart, ka një fond cilësorë të futbollistëve, dhe po zhvillon ndeshje me pasime të sakta dhe përfundim të shpejtë të aksioneve. Këto kemi pasur rastin ti shohim edhe në Kampionatin Shqiptar dhe niveli i lojën nga ekipet e tjera vërehet dukshëm se si i qasen lojës këta futbollistë. 

Tani klubi Korçar duhet të ketë synime edhe më të larta. Ende nuk dihen kundërshtarët në fazën e grupeve, por tani Skënderbeu ka fituar respektin si klub serioz, dhe me shumë kualitet në mesin e klubeve pjesëmarrëse të Europa League.  Sigurisht që do të jetë e vështirë përballja me klubet e tjera që do të garojnë në këtë Ligë, por tani përqendrimi, serioziteti dhe dëshira duhet të shtohen tek korçarët për sukseset e tjera në vazhdim. Nuk dyshojmë aspak në sukseset e këtij klubi që po vazhdon të na bëjë krenar, dhe shpresojmë që edhe klubet e tjera shqiptare dhe tani klubet tona nga Kosova të ndjekin rrugën dhe sukseset e Skënderbeut në arenën ndërkombëtare, dhe sigurisht se së shpejti do të shohim edhe ndonjë klub nga Kosova në fazën e grupeve të Europa League e pse jo edhe në Champions League, por natyrisht se duhet shumë punë profesionale, shumë investime shumë përgjegjësi për t'i arritur sukseset e Skënderbeut.

Autori është ish futbollist i mirënjohur, një kohë reprezentues i Kosovës tani trajner në shkollën e futbollit ‘78’ në Gjilan

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat