Qindra fluturime direkte dhe me tranzit janë anuluar në aeroportin e Frankfurtit si pasojë e një greve të paralajmëruar nga sindikata e pilotëve Vereinigung Cockpit.
Greva pritet të zhvillohet të enjten, më 12 mars, dhe të premten, më 13 mars 2026, duke shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme në trafikun ajror. Sindikata e pilotëve e ka shpallur grevën me njoftim të shkurtër, gjë që ka detyruar kompanitë ajrore të rishikojnë oraret e fluturimeve.
Kompania ajrore Lufthansa ka bërë të ditur se po punon intensivisht për të minimizuar ndikimin tek pasagjerët. Sipas njoftimit të saj, kompania po përpiqet të operojë sa më shumë fluturime përmes linjave të tjera brenda Grupit Lufthansa dhe përmes partnerëve të saj ajrorë.
Pasagjerët që kanë planifikuar të udhëtojnë gjatë këtyre dy ditëve këshillohen të kontrollojnë rregullisht statusin e fluturimit të tyre dhe të shfrytëzojnë opsionet e rimbursimit ose ri-rezervimit nëse është e nevojshme.
“Njoftim nga Vereinigung Cockpit për 12 dhe 13 mars. Sindikata Vereinigung Cockpit ka njoftuar një grevë me njoftim të shkurtër për të enjten, 12 mars dhe të premten, 13 mars 2026. Lufthansa po punon intensivisht për ta mbajtur ndikimin te pasagjerët tanë sa më të ulët të jetë e mundur. Ne po përpiqemi të kemi sa më shumë fluturime të operuara nga linja ajrore të tjera brenda Grupit Lufthansa dhe nga linjat ajrore partnere”, thuhet në njoftim.