Policia gjermane ka arrestuar një 48-vjeçar, i dyshuar se qëndron pas një serie sulmesh sabotazhi ndaj infrastrukturës së energjisë elektrike në vend.
I dyshuari, i identifikuar si Daniel V., u arrestua pranë centralit elektrik të Weisweiler, rreth 50 kilometra në perëndim të Këlnit, pas një operacioni të gjerë kërkimi të ndërmarrë nga autoritetet gjermane.
Operacioni nisi pasi policia kishte marrë disa letra, përmes të cilave pretendohej përgjegjësia për një seri sulmesh ndaj nënstacioneve elektrike në tri lande të Gjermanisë.
Sipas autoriteteve, në momentin e arrestimit 48-vjeçari kishte me vete pajisje shpërthyese. Ai nuk bëri rezistencë ndaj policisë. Gjatë kontrolleve në zonën përreth, efektivët gjetën edhe një çadër, ku ishin fshehur ngarkesa të tjera shpërthyese.
Arrestimi vjen në një periudhë të ndjeshme për sigurinë e Gjermanisë, e cila ka rritur vigjilencën ndaj aktiviteteve të dyshuara destabilizuese nga Rusia. Në mesin e episodeve të fundit është edhe një incident i dyshuar me dron pranë aeroportit të Lajpcigut.
Autoritetet gjermane kanë akuzuar drejtpërdrejt Moskën për përfshirje në aktivitete destabilizuese, ndërsa marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Rusisë janë përkeqësuar ndjeshëm gjatë javëve të fundit.
Përshkallëzimi i tensioneve është shoqëruar edhe me masa diplomatike, përfshirë mbylljen e konsullatave dhe qendrave kulturore, duke reflektuar nivelin e lartë të përplasjes mes dy vendeve.