Xhafer Deva, simbol i nacionalizmit / Komunistët shqiptarë, antikombëtarizëm

Opinione

Xhafer Deva, simbol i nacionalizmit / Komunistët shqiptarë, antikombëtarizëm

Nga: Skënder Sadri Kapiti Më: 22 nëntor 2026 Në ora: 12:28
Skënder Sadri Kapiti

“Xhafer Deva nuk blihet me para, se është i pasur. Deva është armiku ynë i përbetuar. Deva duhet vrarë”. Kështu thoshin çetnikët dhe komunistët serbosllavë, të cilët kishin miq të përbetuar komunistët shqiptarë.

Xhafer Deva, ky nacionalist i madh dhe pse nuk u ndëshkuan gjenocidi dhe krimet e komunizmit

Kush shqetësohet dhe tmerrohet nga nacionalisti dhe shqiptari i madh Xhafer Deva? (Me argumente dhe fakte)

Në kohën kur Jugosllavia u pushtua nga Gjermania, Kosova shqiptare në atë kohë ishte në një gjendje tejet të rëndë, pa liri dhe pa të drejta njerëzore e kombëtare, si pasojë e barbarisë, gjenocidit dhe pastrimit etnik serbo-sllav, ku shqiptarëve të Kosovës u ishte kërcënuar dhe rrezikuar në maksimum mbijetesa njerëzore e kombëtare.

Pushtimin gjerman të Jugosllavisë, shqiptarët e Kosovës e panë si shpresë dhe mundësi që Kosova të çlirohej e të bashkohej me Shqipërinë.

Shqiptarët e Kosovës e dinin se si komunistët, ashtu edhe çetnikët serbë ishin njëlloj kriminelë e antishqiptarë, mirëpo këtë nuk e kishin të qartë komunistët në Shqipëri, të cilët i besuan me fanatizëm Partisë Komuniste të Jugosllavisë, parullave pankomunisto-serbosllave të bashkim-vëllazërimit, të proletariatit dhe të luftës kundër okupatorit.

Fatkeqësisht, në të vërtetë, si Partinë Komuniste Shqiptare, ashtu edhe luftën partizane në Shqipëri i drejtonin Mugosha dhe Popoviqi, por në dukje kishin vënë Enver Hoxhën, Mehmet Shehun e të tjerë, pasi shqiptarët në Shqipëri nuk mund të pajtoheshin e as nuk mund t'i pranonin serbët. Në atë kohë Kosovës i vinte një kërcënim tjetër i ri, i vinte nga pansllavizmi i maskuar si komunizëm, dhe Shqipëria rrezikohej edhe vetë të pushtohej nga komunizmi serbosllav.

Pra, Kosova dhe nacionalistët kosovarë në atë kohë kishin përballë jo vetëm çetnikët e komunistët serbë, malazezë, maqedonas, pra, jo vetëm jugosllavët, por edhe komunistët e partizanët shqiptarë, ku komunistët shqiptarë djallëzia serbe i përdori si vegla kundër nacionalizmit e nacionalistëve kosovarë, pra, kundër Kosovës.

Dhe në fund të Luftës së Dytë Botërore, në kohën kur ushtria ruse hyri në Jugosllavi, atëherë Kosovën e pushtuan brigadat partizane jugosllave dhe ato shqiptare, të cilat bënë masakra të paimagjinueshme kundër shqiptarëve të Kosovës.

Nacionalistët kosovarë nga viti 1941 deri më 1944 i mbrojtën kufijtë e Kosovës dhe formuan formacionet dhe strukturat mirëfunksionale të një shteti shqiptar, por që u pushtua më pas nga komunizmi.

Sundimi dhe pushtimi komunisto-gjenocidist serbosllav në Kosovë zgjati deri më 12 qershor 1999, kur NATO-ja, me në krye SHBA-në, mbështeti Luftën Çlirimtare të UÇK-së dhe e çliroi përfundimisht Kosovën. Po kështu, edhe në Shqipëri, në fund të vitit 1990, u shemb regjimi komunist kriminal.

Pra, ndodhi ajo për të cilën kishte luftuar aq shumë patrioti dhe shqiptari i madh Xhafer Deva, si patriot i madh dhe si armik i serbosllavizmit dhe komunizmit.

Ky është realiteti dhe këtë duhet ta pranojnë mbeturinat komuniste dhe ato intelektualo-mediatike në Shqipëri. Duhet ta pranojnë këtë të vërtetë historike, e cila pa tjetër do të dalë hollësisht, dhe këto të vërteta do t'i mësojnë brezat, e jo mashtrimet, gënjeshtrat, intrigat e manipulimet e komunizmit enverist.

Se kush ishin komunistët dhe regjimi komunist në Shqipëri, mos i pyesni mbeturinat e atij regjimi enverist në Shqipëri dhe as marksist-leninistët e Kosovës, por na pyesni ne nacionalistët dhe bijtë e nacionalistëve, që e kemi pësuar nga ai regjim.

Në Shqipërinë komuniste dënoheshe po të përmendje emrin e Xhafer Devës, Shaban Polluzhës, Mehmet Gradicës dhe të nacionalistëve të tjerë kosovarë.

Dënoheshe në atë kohë edhe po të thoje se komunistët dhe partizanët jugosllavë kanë kryer krime kundër shqiptarëve të Kosovës, edhe në praninë dhe me mbështetjen e partizanëve shqiptarë. Në Shqipëri, vetëm po t'i thoje këto fakte, menjëherë të akuzonin e të ndëshkonin si ballistë, nacionalistë dhe si përkrahës të Xhafer Devës.

Nuk mund të thuhet se nacionalistët nuk kanë bërë gabime, por ama gabimet e komunistëve dhe të regjimit të tyre janë gjenocide dhe krime të tmerrshme kundër nacionalistëve, patriotëve, intelektualëve, traditave, fesë dhe kundër historisë e trashëgimisë kombëtare shqiptare.

Në vend që të shkruajmë, të kujtojmë, ta ndërkombëtarizojmë dhe të dënojmë gjenocidin serb mbi 100-vjeçar të regjimeve kriminale serbe të kohës së krajlit, të kohës çetnike e komuniste gjatë Luftës dhe pas Luftës së Dytë Botërore, disa shqipfolës serbofilë vazhdojnë të helmojnë opinionin me përralla, gënjeshtra e falsifikime historike antikombëtare dhe kundër nacionalizmit shqiptar, të gatuara në Beograd.

Shikojmë se si lukunia e mbeturinave komuniste në Shqipëri dhe e disa titistëve në Kosovë janë shqetësuar për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë, ndërtesë e cila bart vlera të veçanta arkitektonike e kulturore. Madje, dikush nga këta komunistët enveristë thotë se ajo duhet të shkatërrohet, duke ia kaluar edhe serbëve për nga urrejtja ndaj patriotit e nacionalistit të madh shqiptar Xhafer Deva, i cili punoi e luftoi aq shumë kundër barbarit e kolonizatorit serb për çlirimin e Kosovës dhe për Shqipërinë Etnike.

Si ka mundësi që sot, kur Kosova është shtet i pavarur, të bëhet gjithë kjo zhurmë e kundërshti kundër restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, kur nuk u rrënua e as nuk u shkatërrua as nga komunistët jugosllavë, por që nga viti 1945 ka qenë në pronësi publike?

Kundër restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës deklarohet Ministrja e Kulturës dhe Informimit e Serbisë, e cila ka kërkuar nga BE-ja dhe UNDP-ja që të mos ndajnë mjete për rinovimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë, pasi, sipas Serbisë, Deva, ministër i Brendshëm i Shqipërisë në periudhën 1943-1944, “ka përgatitur e kryer krime ndaj serbëve dhe hebrenjve”.

Dhe kush e akuzon Devën për krime ndaj hebrenjve? E akuzon Serbia, e cila ka qenë vendi i parë në Evropë që kreu eliminimin, vrasjet e gjenocidin mbi hebrenjtë, ku deri në qershor të vitit 1942, Serbia kishte vrarë e masakruar mbi 80% të hebrenjve që në atë kohë kishin qenë në Serbi.

Dhe kush e akuzon Devën për krime ndaj serbëve?

E akuzon Serbia, kur serbët prej 150 vitesh e deri në vitin 1999 pandërprerë kanë ushtruar dhunë, vrasje, shfarosje, pastrim etnik e gjenocid kundër popullsive joserbe, kundër shqiptarëve, boshnjakëve e kroatëve. Serbët e akuzojnë dhe shpifin kundër Devës, sepse Xhafer Deva i ka mbrojtur shqiptarët dhe hebrenjtë, dhe se Xhafer Deva ka luftuar me përkushtim kombëtar e patriotik kundër kriminelëve serbë, komunistë e çetnikë.

Dhe për atë se pse Xhafer Deva ka luftuar kundër komunizmit, si gjatë luftës, ashtu edhe pas saj, për çlirimin e Shqipërisë e Kosovës nga komunizmi, kjo është akoma edhe sot arsyeja pse rrangallat dhe vjetërsirat komuniste në Shqipëri, si nostalgjikë të bashkim-vëllazërimit me serbët, vazhdojnë ta urrejnë Devën dhe janë kundër restaurimit të shtëpisë së patriotit dhe shqiptarit të madh, Xhafer Devës.

Pra, shikoni se deri ku mbërrin verbëria dhe urrejtja e disa shqipfolësve kundër nacionalistit e patriotit të madh shqiptar Xhafer Deva, saqë janë edhe kundër restaurimit të shtëpisë së tij, vetëm pse është shtëpia e Devës.

Në Jerusalem po restaurohet shtëpia e Myftiut të Jerusalemit, mikut të Adolf Hitlerit, i cili ka qenë mbështetës i madh i nazizmit kundër hebrenjve, ndërsa Deva nuk ka pranuar që të bashkëpunojë me nazistët kundër hebrenjve, por madje i ka mbrojtur hebrenjtë.

Shtëpitë apo godinat, pavarësisht se cilin kanë pronar dhe se kush i ka ndërtuar, ato nuk mbartin ide e as doktrina. Ato, si ndërtesa, kanë vlera strukturore, arkitekturore e kulturore, ashtu sikurse edhe shtëpia apo piramida në Tiranë, që ka shërbyer si muze i diktatorit Enver Hoxha. A mos duhen edhe ato të mos rikonstruktohen, apo duhet të shemben?

A mos duhet të shemben edhe të gjitha ato ndërtesa moderne e me vlera ndërtimore që i kanë ndërtuar italianët e gjermanët në kohën e nazifashizmit në Romë, Berlin apo edhe në Tiranë?

Kjo përpjekje urrejtjeje e ish-komunistëve serbë e shqiptarë kundër Devës bëhet sepse koha po nxjerr në pah se kush ishte në të vërtetë komunizmi e komunistët dhe regjimi kriminal e antishqiptar i tyre.

E gjithë propaganda, mediat, filozofia, historia, akademia, intelektualizmi, kultura, edhe shkenca madje në Shqipëri, në kohën e regjimit komunist, kanë qenë nën kontrollin, këndvështrimin dhe nën kornizën e rreptë ideologjike të partishmërisë komuniste, gjë e cila, fatkeqësisht, me mjaft finesë, politikisht, mediatikisht dhe e kamufluar, vazhdon akoma edhe pas 35 vitesh tranzicion.

Prandaj, asgjë nga ato që ka sajuar, manipuluar, mashtruar e intriguar propaganda dhe historia e atij regjimi nuk duhen besuar.

Duhet bërë patjetër dekomunistifikimi. Kjo gjë duhet bërë edhe në Kosovë.

Sipas komunistëve serbë dhe shqiptarë, që e kanë etiketuar padrejtësisht Xhafer Devën si kolaboracionist të gjermanëve, Deva kurrë nuk ishte nazist e as fashist, por ishte nacionalist shqiptar. Ndërsa komunistët shqiptarë, faktikisht, rezultojnë që kanë qenë edhe komunistë, por edhe besnikë, fanatikë dhe kolaboracionistë me Beogradin e Tito-Rankoviqit, me Moskën e Stalinit dhe me Kinën e Mao Ce Dunit, të këtyre tri shteteve që edhe sot janë shtetet më antishqiptare, më antidemokratike e anti-perëndimore.

Në Shqipëri akoma vazhdon e frymon ish-propaganda komuniste e regjimit, e krimit dhe e gjenocidit komunist, e cila ka akoma në dorë edhe mediat dhe vazhdon t'i mëshojë një ngjarjeje të fryrë e të pafaktuar, pa u vërtetuar akoma as numri dhe as të gjithë emrat e atyre 84 viktimave të 4 Shkurtit. Kjo bëhet me qëllim për të minimizuar dhe harruar ato krime barbare 45-vjeçare që kanë bërë mbi shqiptarët revolucionarët, xhelatët e kuq të komunizmit shqiptar me aleatët e tyre, me komunizmin sllavo-serbo-ortodoks.

Shikoni se kush janë disa prej intelektualëve e kuadrove komunisto-enveriste sot, mediatikë e opinionistë kundër Xhafer Devës, si Xhunga, Xhufi, Milo, Puto, Marenglen (Marks-Engels-Lenin), Tarifa e shumë të tjerë, nxënës, pseudohistorianë, akademikë e intelektualë të zellshëm, pjellë e komunizmit.

E kam shkruar dikur se në Shqipëri ka pak nacionalizëm, sepse nacionalizmin në Shqipëri e ka shkatërruar, burgosur e persekutuar komunizmi.

Akoma në Shqipëri nuk e dinë mirë se kush janë serbët dhe krimet e gjenocidi i tyre, sepse shqiptarët e Shqipërisë nuk kanë pësuar prej tyre, prandaj edhe kanë shumë pak ndjesi nacionaliste dhe pak dhimbshuri për atë që kanë pësuar prej 100 vitesh shqiptarët e Kosovës nën sundimin gjenocidist serbosllav.

Por edhe tjetra është fakt se të gjitha luftërat, përpjekjet e betejat kryesore dhe më të mëdha për liri e pavarësi janë bërë në Kosovë.

Në luftë bëhen edhe gabime, situata del edhe jashtë kontrollit, sepse lufta është një gjendje jonormale, por ama duhen fakte për ta vërtetuar ngjarjen dhe jo të manipulohet, të shpifet e të stërmadhohen e falsifikohen ato për interesa pushteti, ideologjie e regjimi, siç ka bërë gjithmonë komunizmi, i cili pa revolucion dhe pa krime nuk mund të mbijetonte.

Më 9 maj 2021, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pra Serbia e sotme, në një ceremoni shtetërore me rastin e Ditës së Fitores mbi Fashizmin, u shfaq portreti i kryeçetnikut Draža Mihailović krahas atij të komunistit Tito, si shenjë nderimi. Pra, Serbia nderon dhe u jep të drejta si partizanëve, ashtu edhe bashkëpunëtorëve të nazizmit dhe askush në Serbi nuk proteston kundër. Ndërsa në Shqipëri dalin ca laraska komunistësh që i shkojnë për shtati Serbisë kundër nacionalistëve e patriotëve shqiptarë, siç po veprohet jo vetëm kundër Devës, por edhe kundër shtëpisë së tij.

Kjo është diçka e paimagjinueshme, për atë se si sulmohet nga disa shqiptarë akoma Xhafer Deva, i cili ka mbrojtur shqiptarët nga krimet dhe nga gjenocidi çetniko-komunisto-serb, pasi, si çetnikët bashkëpunëtorë të nazizmit, ashtu edhe komunistët titistë antifashistë, pavarësisht se ishin kundërshtarë, kur vinte puna përballë shqiptarëve, ishin në garë se kush të shfaroste e vriste sa më shumë shqiptarë. Ndërsa komunistët shqiptarë u rreshtuan përkrah komunistëve sllavo-serbë kundër nacionalistëve shqiptarë.

Pra, nacionalistët shqiptarë të Kosovës sulmoheshin si nga çetnikët serbë, që bashkëpunonin me nazistët, ashtu edhe nga koalicioni komunist shqiptaro-serbo-bullgaro-maqedono-malazez.

Ka qenë metodë kriminale e komunistëve trillimi e fabrikimi i ngjarjeve e intrigave, të grupeve e individëve të etiketuar si armiq të partisë e të popullit, për të mashtruar publikun dhe për të justifikuar vrasjet, internimet e pushkatimet me gjyq e pa gjyq të nacionalistëve dhe të kundërshtarëve të regjimit komunist në Shqipëri. Janë pushkatuar edhe njerëz pa pikë faji, por vetëm pse konsideroheshin nga regjimi si rrezik potencial, jo vetëm si antikomunistë, por edhe si kërcënim intelektual për regjimin kriminal e injorant të Enver Hoxhës.

Komunistët dhe shovinistët e gjenocidistët serbë, si dhe komunistët dhe pjellat e tij më të shëmtuara në Shqipëri, por edhe në Kosovë, akoma edhe sot i tmerron vepra e madhe dhe e jashtëzakonshme kombëtare e patriotit të madh Xhafer Deva, ashtu sikurse ata tmerrohen dhe i urrejnë të gjitha figurat e personalitetet shqiptare nacionaliste e kombëtare.

Armiqtë më të mëdhenj të nacionalizmit shqiptar kanë qenë gjithmonë serbosllavia, si ajo e krajlisë, ashtu edhe ajo e komunizmit titist, të cilëve u shërbeu me aq mish e shpirt edhe komunizmi kriminal e tradhtar i Tiranës.

Të dy regjimet komuniste, si ai i Beogradit, ashtu edhe ai komunist i Tiranës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë, dëbuar, persekutuar dhe torturuar nacionalistët dhe patriotët shqiptarë.

Regjimi komunist i Tiranës, në mënyrë sistematike, për 45 vjet, ka vrarë, burgosur e internuar me mijëra nacionalistë dhe familje patriotike, si p.sh., më 10 tetor 1947, në një akt kriminal e gjenocidist tipik antishqiptar sllavo-serb, të eliminimit të elitës së kombit shqiptar, për interesa pushteti, diktatura komuniste pushkatoi 16 veta, 5 prej të cilëve deputetë, në një gjyq të montuar që ka hyrë në histori si gjyqi i parë i dënimit të deputetëve intelektualë properëndimorë, klerikë të njohur e të angazhuar aktivisht në luftë kundër pushtuesve të huaj dhe për arsye se ata kërkonin një Shqipëri demokratike, si të demokracive perëndimore.

Se sa servil dhe i nënshtruar ishte E. Hoxha dhe komunistët shqiptarë ndaj Jugosllavisë së Titos dhe sa pandjesi e padhimbshuri kishte regjimi komunist i Tiranës ndaj krimeve dhe gjenocidit serb mbi shqiptarët e Kosovës, e tregon edhe fakti i respektit e mirënjohjes së Tiranës, regjim i cili ka dekoruar thuajse të gjithë udhëheqjen jugosllave të asaj kohe, duke përfshirë edhe kryekriminelin Rankoviq dhe të tjerët, si Milovan Gjilasi, Vukmanoviq Tempo, Miladin Popoviqi, Dushan Mugosha, Velimir Stojniqi, Njazi Dizdareviqi etj., që bënin pjesë në rrethin më të ngushtë të udhëheqësit jugosllav Tito, jo vetëm në vitet e Luftës, por edhe pas saj. Dhe jo vetëm këta, por komunistët shqiptarë dekoruan edhe mbi 12 gjeneralë, si Svetkozar Vukmanoviq, Ivan Goshnjak, Vllado Rukovina, Danilo Lekiq, Hamoviq, Juriq, Rade Zhigiq, Mihal Kupreshan, Boshko Ligeguviq, Velko Kovaçeviq, Gjeorgjie Jovanoviq, Save Oroviq, Vuko Lepetiq, Koça Popoviq etj.

Pas prishjes me Beogradin për arsye ideologjike, regjimi komunist i Tiranës ra krejtësisht në prehrin e Moskës staliniste, ku Shqipëria u shndërrua në një koloni sovjetike dhe, me zell akoma më të madh, Enver Hoxha vazhdoi eliminimin e patriotëve dhe të nacionalistëve shqiptarë, si dhe të atyre që ishin antikomunistë e properëndimorë, siç bëri me atë që njihet si masakra e natës së 25 dhe 26 shkurtit 1951, ku 22 intelektualë u pushkatuan pa gjyq, sipas një inskenimi kriminal të komunistëve shqiptarë për një bombë që shpërtheu në oborrin e ambasadës sovjetike e që theu ca xhama.

Dhe kështu vazhdoi qeverisjen diktatura komuniste për 45 vjet, derisa ai regjim ra e u shemb, sepse e konsumoi edhe veten dhe nuk kishte më se çfarë të bënte, pasi u konsumua aq shumë, saqë as me bukë misri nuk mund ta ushqente më popullin shqiptar.

Pra, koha vërtetoi se sa të drejtë ka pasur Xhafer Deva, ky shqiptar dhe nacionalist i madh, si kundërshtar i rreptë i komunizmit, pasi koha vërtetoi se sa dëme të mëdha dhe sa shtrenjtë i kushtoi Kosovës dhe Shqipërisë pushtimi komunist. Edhe sot komunistët e rinj të Partisë Socialiste, socialistët dhe kryeministri i tyre, Edi Rama, në vazhdën e etërve të tyre enveristë, janë armiq të mëdhenj të nacionalizmit shqiptar dhe janë akoma serbofilë e kosovarofobë, pasi arritën deri aty sa nuk e votuan rezolutën parlamentare që dënonte gjenocidin serb të viteve 1998-1999, që do të thotë se janë në një linjë dhe në një qëndrim me Beogradin kundër Kosovës.

(Vazhdon …)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat