Dy persona kanë humbur jetën pasi një aeroplan i vogël u rrëzua të dielën pranë qytetit Gundelsheim, në qarkun Heilbronn të landit Baden-Württemberg, në jugperëndim të Gjermanisë, transmeton “Bota sot”.
Sipas policisë, të dy viktimat ndodheshin në bordin e avionit dhe nuk kishte persona të tjerë në të. Pas rrëzimit, aeroplani mori flakë, ndërsa ekipet e emergjencës arritën ta shuajnë zjarrin.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, avioni u rrëzua në zonën e Hofgut Hohschön, në veri të Gundelsheim.
Stuttgarter Zeitung raporton se bëhej fjalë për një avion me helikë, i cili u rrëzua gjatë afrimit për ulje në një pistë pranë Gundelsheim. Sipas raportimit, piloti kishte tentuar të ngrihej përsëri, por pak më vonë avioni u përplas në një vresht.
Identifikimi i viktimave ende nuk është bërë i ditur. Hetuesit kanë nisur punën në vendngjarje për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e aksidentit.