Pse bre Ramush, pse bre ministër, i harruat djelmoshat tanë

Hendboll

Pse bre Ramush, pse bre ministër, i harruat djelmoshat tanë

Nga: Kemajl Goca Më: 19 prill 2019 Në ora: 18:41
Pse bre Ramush, pse bre ministër, i harruat djelmoshat tanë

Njeriu nganjëherë harron ose i del diçka jashtë mendjes, sepse, mbi të gjitha jemi njerëz dhe truri nuk funksionon gjithmonë ashtu si duam ne! Njeriu ndonjëherë ka punë më të mëdha se sa të merret me një punë që nuk shihet për një moment e madhe, por që është shumë e rëndësishme dhe historike, si bie fjala suksesi i Kosovës U-21, që u kualifikuan në Kampionatin Botëror U-21 në hendboll (meshkujt).

Është historike për Kosovën dhe siç thonë në popull, ky sukses nuk hahet prej së ëmbli. Kosova U-21 shkroi historinë me 14 prill, u kualifikua në Kampionatin Botëror, që do të mbahet gjatë këtij viti në Spanjë. Përveç presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që uroi djelmoshat tanë për këtë kualifikim historik, që dorën zemër ky kualifikim u prit me shekuj, çuditërisht as në faqen zyrtare të facebookut të kryeministrit Ramush Haradinaj dhe as të ministrit të MKRS-së, Kujtim Gashi, nuk kemi parë urim për kombëtaren e Kosovës U-21, për djelmoshat tanë që na bënë nderin e madh dhe na gëzuan!

Pse bre Ramush, pse bre ministër, i harruat djelmoshat tanë, sepse urimi juaj do t’i bënte ata që të fluturojnë edhe më shumë, se e ndjejnë përkrahjen e shtetit! Sigurisht kanë harruar dhe kanë pasur agjenda të mëdha, nuk kanë pasur kohë për këtë punën tjetër apo për të pa ose dëgjuar këtë suksesin historik!

Urimi do të ishte shumë i mirë edhe sikur sot ose nesër të bëhej, më mirë vonë se kurrë! I ka hije shtetit mi thirr djelmoshat dhe mi uruar për suksesin historik, që besa edhe me i shpërblye, nuk po themi me 500.000 euro, as me 50.000 euro, të paktën me shumë simbolike, me 5 mijë euro, sepse ata djem mbrojtën ngjyrat e shtetit dhe jo të maleve të Sharrit, as të Karadakut, as të Grykës së Rugovës dhe as të Shalës së Bajgorës, as të Topillës e as të Keçekollës!  As në profilin zyrtar të facebookut të Kadri Veselit nuk ka pasur urim, si kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Një Zot e di se si kanë harruar t’i urojnë djemtë tanë, por mos të harrojmë se kur je shumë i ngarkuar nuk të bie në mend fortë edhe për këta djemtë të rinj, se janë shumë të rinj, luajnë për kombëtaren e Kosovës U-21! Realisht janë shumë të rinj, por shumë të mëdhenj me suksesin! Merret vesh as FHK-në nuk e kanë uruar, sigurisht ky është një lëshim teknik i kryeministrit dhe i ministrit, që nuk do të duhej të ndodhte, se ky sukses ka bërë bujë në rrafshin ndërkombëtar, Kosova U-21 në Kampionatin Botëror.

Nuk është pak lajm, lajm vërtet i madh! Krejt në fund, Kosova do të jetë në mesin e kombëtareve të fuqishme, që aty është edhe Serbia, e cila nuk do me na i pa sytë, por se ka çarën pa na njohur si shtet dhe pa u përkul para Flamurit tonë në Spanjë! Spanja, Sllovenia, Franca, Gjermania, Portugalia, Kroacia, Islanda, Serbia, Norvegjia, Suedia, Hungaria, Danimarka, Kosova (Evropë), Koreja Jugut, Japonia, Bahrejni (Azi), Egjipti, Tunizia, Nigeria (Afrikë),Argjentina, Brazili, Kili (Amerikë e Jugut), SHBA-ja (Amerikë e Veriut), Australia (Oqeani), janë në Kampionatin Botëror. Urojmë që herave tjera mos të harrojnë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat