Lojtari i Bundesliga 2 në dispozicion të Kombëtares së Kosovës - Bota Sot
Lojtari i Bundesliga 2 në dispozicion të Kombëtares së Kosovës

Hendboll

Lojtari i Bundesliga 2 në dispozicion të Kombëtares së Kosovës

Më: 23 qershor 2020 Në ora: 13:30
Armend Alaj

Federata e Hendbollit të Kosovës vazhdon të angazhohet në përpjekje për të rritur konkurrencën në ekipet kombëtare të Kosovës në hendboll. U takon përzgjedhësve dhe shtabeve teknike që të bëjnë përzgjedhjen e lojtarëve, por rritja e konkurrencës vlerësohet me shumë rëndësi.

Armend Alaj është lojtari i radhës që është vënë në dispozicion të Kombëtares së Kosovës. Alaj është pjesë e skuadrës gjermane, ThSV Eisenach,<span> që garon në Bundesliga 2, që shquhet për nivelin që ka.</span>

Alaj ka pasur shtetësi të Kosovës, ndërsa së fundi ka aplikuar edhe për pasaportë të Kosovës.

“Për mua do të ishte nder i madh nëse selektori do të më ftonte në ekipin kombëtar. Vitin e kaluar Taip Ramadani ka sinjalizuar për një interes për mua dhe për vëllaun tim, Qëndrimin, që gjithashtu luan hendboll dhe ka marrë pjesë në disa stërvitje të organizuara nga FHK-ja. Mirëpo disi ka humbur kontakti”, ka thënë Armend Alaj.

Ai shpreson se do të marr ftesë nga Kosova dhe se mund të jap kontribut në ngritjen e mëtejme të cilësisë.

“Unë jam lojtar që gjuaj me të dy duart. Mund të paraqitem në shumë pozicione. Zakonisht luaj alo e djathtë, por edhe alo e majtë dhe në pozitën qëndrore”, ka treguar Alaj.

Ai merret me hendboll që nga mosha 8-vjeçare. Klubi Eisenach është tradicional, ka 30-vjet që luan në Bundesliga 1 apo Bundesliga 2. Alaj ka kaluar të gjitha grupmoshat te ky klub.

“Më pas dy vjet kam luajtur në ligën e katërt, në klubin Goldbach. Si i ri kam qenë edhe reprezentues i landit të Thueringenit në kampionatet gjermane. Pastaj jam kthyer prapë në Eisenach në ligën e tretë dhe vitin e kaluar prapë në ligën e dytë federative të Gjermanisë. Vitin e kaluar kam qenë i rregullt në stërvitje dhe kam pasur shtatë paraqitje për klubin nën drejtimin e trajnerit me famë botërore, Sead Hasanefendiq, prej të cilit kam mësuar shumë. Nuk kam qenë edhe aq shumë i kënaqur me hapsirën, por konkurrenca ka qenë shumë e fortë. Klubi mori lojtarë nga Liga e Kampionëve kështu që kisha më pak shanse të tregoj talentin ti. Mirëpo mundësitë i kam shfrytëzuar maksimalisht dhe klubi ka qenë i kënaqur me mua”, ka treguar 25-vjeçari, që me prejardhje është nga Deçani.

Ai ka kontratë që edhe edicionin e ardhshëm të luajë për Eisenachun në ligën e dytë gjermane.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat