Le Petit Marseillais (1913) / Detaje mbi mizoritë e ushtrisë serbe të kryera kundër shqiptarëve në 1912

Historia

Le Petit Marseillais (1913) / Detaje mbi mizoritë e ushtrisë serbe të kryera kundër shqiptarëve në 1912

Nga: Aurenc Bebja Më: 12 korrik 2022 Në ora: 09:01
Burimi : Gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

“Le Petit Marseillais” ka botuar, të enjten e 2 janarit 1913, në ballinë, shënimet e mbledhura nga qeveria austro-hungareze mbi mizoritë e ushtruara nga ushtarët serbë në Shqipëri, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

Mizoritë në Shqipëri

Korrespondenti i Daily Telegraph në Budapest thotë se ka marrë shënimet e mbledhura nga qeveria austro-hungareze mbi mizoritë e ushtruara nga ushtarët serbë në Shqipëri. Ai jep një ekstrakt nga i cili ne riprodhojmë më poshtë pikat më të spikatura :

Në marshimin e tyre nëpër Shqipëri, drejt detit, thonë këto shënime, serbët nuk u mjaftuan me ekzekutimin e shqiptarëve të armatosur; mizoria e tyre e tmerrshme nuk i ka kursyer njerëzit e paarmatosur, të pambrojturit, pleqtë, gratë, fëmijët edhe foshnjat në gji. Oficerët serbë, të çmendur nga fitorja, deklaruan se pastrimi më i mirë i Shqipërisë do të ishte shfarosja totale e shqiptarëve myslimanë. Ky slogan u miratua shpejt dhe u zbatua në praktikë. Midis Kumanovës dhe Shkupit, u ekzekutuan tre mijë njerëz; afër Prishtinës, pesë mijë, ekskluzivisht arnautë (shqiptarë myslimanë), ranë nën goditjet e serbëve. Nuk ishte një betejë e nderuar, por vrasje të pajustifikueshme, për realizimin e së cilës ushtarët e tërbuar shpikën metoda të reja mizorie. Në disa fshatra u dogjën të gjitha shtëpitë dhe banorët e tyre, të cilët tentuan t'i shpëtonin flakëve, u qëlluan si minjtë, sapo u shfaqën në vrimat (në dalje). Burrat u qëlluan në sy të grave dhe fëmijëve të tyre dhe më pas këto gra u goditën me bajoneta, duke u përpjekur të mbronin fëmijët e tyre.

Image
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ekzekutimet ishin argëtimi i përditshëm i ushtarëve. Në çdo shtëpi ku u gjetën armë vriteshin të gjithë banorët, me plumba apo me varje. Në një ditë të vetme, pati tridhjetë e gjashtë ekzekutime. Një ish-sekretar i z. Pashiç, kryeministrit serb, z. Tomiç, një zotëri serbo-hungarez, tha se gjatë një udhëtimi nga Prizreni në Pejë kishte parë vetëm fshatra të djegura, në të dy anët e rrugës. Skajet e kësaj rruge ishin të mbushura me shtylla në të cilat vareshin trupat e shqiptarëve. Rruga për në Gjakovë ishte një “rruga e shtyllave”.

Edhe gazetat që dalin në Beograd rrëfejnë mizoritë e kryera nga serbët. Thuhet se kur koloneli Ostoiç ka hyrë në Prizren, ka bërtitur : “Vritni!” dhe se sapo u dha ky urdhër, ushtarët e tij u vërsulën nëpër shtëpi dhe vranë gjithçka që u binte në dorë.

Një shkresë raporton faktin e tmerrshëm në vijim :

“Kushdo që u denoncohej serbëve si shqiptar, ishte i sigurt se do të vritej. Ndodhte shpesh që njerëzit që u kishin borxh shqiptarëve myslimanë i denonconin si tradhtarë. Pa ndryshim këta fatkeqë vareshin dhe informatorët ishin të autorizuar të blinin, me një çmim minimal, shtëpinë e kreditorit të tyre. Në Shkup, shqiptarë të paarmatosur u vranë në rrugë nga oficerët serbë. Nëse në një banesë gjendej qoftë dhe një thikë gjuetie, pronari pushkatohej. Nuk akordohej asnjë falje.”

Në Ferizaj, komandanti serb i kishte ftuar të arratisurit që të ktheheshin dhe të dorëzonin armët. Pasi u çarmatosën, katërqind prej tyre u pushkatuan. Në këtë qytet mbetën të gjalla pothuajse një gjysmë duzine familjesh myslimane. Në Pana serbët vranë të burgosurit e tyre, ndërsa në Varosh dhe në Prishtinë popullsia me plot fjalën u shkatërrua.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat