1953/ Qeshi kur vdiq Stalini, u dënua me 20 vjet burgim

Historia

1953/ Qeshi kur vdiq Stalini, u dënua me 20 vjet burgim

Më: 15 gusht 2022 Në ora: 18:02
Kajtaz Resul Gaba

Stalini bëhej shkak të dënoheshe edhe kur kishte vdekur. Edhe pa folur, por vetëm për një qeshje. Regjimi nuk mund ta duronte që në fytyrat e njerëzve të çelte edhe një gëzim i ndrojtur apo i fshehur. Antikomunistët e pritën me mjaft gëzim vdekjen e tij. Por ishin nën vëmendje ata që mund ta shfaqnin këtë ndjenjë. Pati ndër ta që u dënuan në ditët e zisë që pasoi 5 marsi i vitit 1953. Njëri ndër ta, ishte Kajtaz Resul Gaba, lindur në vitin 1926 në Lazarat, banues në Tiranë, mekanik. Ai nuk e mbajti dot gëzimin për vdekjen e diktatorit sovjetik. Për këtë arsye, u arrestua, por edhe u rëndua në akuza, në mënyrë që mos të dënohej me pak vite burgim, por maksimalisht. Ai përshkruhej nga organet e punëve të brendshme si i përfshirë në “veprimtari të theksuar armiqësore”, por duke i shtuar edhe veprën e tentativës së arratisjes, e cila nuk ekzistonte.

Kajtazi u arrestua më 13.3.1953. U akuzua në bazë të nenit 64 në kombinim me nenin 10 dhe nenit 72 të Kodit Penal. Në përfundim të procesit, neni 64 u zëvendësua me nenet 4 dhe 7 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 “Për fajet kundra popullit dhe shtetit”. Midis të tjerash, në vendim, për të thuhej:

“Kanë dëgjuar radiostacione të shteteve imperialiste. I kanë komentuar këto lajme dhe kanë konkluduar në ndryshimin e situatës. Veç kësaj me rastin e vdekjes së shokut Stalin, në një kohë kur gjithë populli ynë vajtonte dhe lotonte për humbjen e pazëvendësueshme të shokut Stalin, figura ndërkombëtare e paqes, e socializmit dhe e demokracisë, i pandehuri, bashkë me rrethin e tij armiqësor, gëzohej dhe fërkonte duart se me humbjen e këtij do të dobësohej kampi socialist, do të merrnin guxim imperialistët dhe do të ndryshonte situata e do të kthehej e kaluara, do restaurohej regjimi i urisë, i shtypjes dhe i shfrytëzimit”.

Gjykata Ushtarake Territoriale Tiranë, e drejtuar nga kapiten I Theofan Naçi, me pjesëmarrjen e prokurorit kapiten II Thoma Nako, me vendimin nr.102, datë 23.6.1953, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 20 vjet burgim, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për 4 vjet. Meqë nuk kishte pasuri do llogaritej koha me punë korrektuese. Dënimin e vuajti në kampet e punës së detyruar. U lirua nga burgimi më 22.9.1964 nga Reparti nr.307 Rubik. Të dënuarit ishin vendosur atje për të ndërtuar uzinën e bakrit të atij qyteti. E gjithë kjo histori ishte vetëm për një qeshje. Pas dënimin kishin ndodhur shumë ngjarje, ndër të tjera edhe dënimi i stalinizmit dhe kultit të individit nga Hrushovi në Bashkimin Sovjetik (edhe në Shqipëri, në kongresin e 3-të të PPSH-së u dënua stalinizmi), e më pas prishja e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike, por burgimi nuk i ndryshoi kurrë.

 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat