Deputeti i LDK-së: Podujeva ka qenë një “dush i akullt” për ne

Intervista

Deputeti i LDK-së: Podujeva ka qenë një “dush i akullt” për ne

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 14 dhjetor 2020 Në ora: 07:44
Deputeti i LDK-së, Faton Bislimi

Emri i tij është përmendur si i denjë për të qenë kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërkaq deputeti i kësaj partie, Faton Bislimi në një intervistë për ‘Bota sot’ ka treguar nëse do të pranoj një pozitë të tillë. Tutje deputeti Bislimi ka folur edhe për afërsinë e LDK-së me ish Presidentin Hashim Thaҫi dhe PDK-në.

Poashtu ai ka sqaruar nëse mund të ketë edhe një koalicion të dytë LDK e LVV. Deputeti i LDK-së ka kërkuar sërish reforma brenda kësaj partie, pasi duke përmendur humbjen e komunës së Podujevës, Bislimi thotë se ‘Podujeva ka qenë një dush i akulltë, dhe si tillë duhet kuptuar jo si humbje e madhe, por si mundësi e madhe për reflektim dhe rikthim’.

“Bota sot”: Keni kërkuar disa herë reforma brenda LDK-së, cila është arsyeja?

Faton Bislimi: Unë besoj se LDK është forcë politike më e madhe sesa që mendohet dhe përceptohet në situatën e tanishmë. LDK është boshti kurrizor politik përmes së cilit kanë kaluar proceset kryesore të shtetndërtimit të Republikës sonë. Normalisht, emancipimi qytetar dhe politik në vendin tonë sjellë me vete nevojën e domosdoshme për ndryshime si në ofertë ashtu edhe në strukturë të secilës parti, përshirë këtu edhe LDK-në, vecanërsisht kur kihet parasysh fakti që LDK është parti me përvojë tri-dekadëshe. Si parti politike, LDK vazhdon të jetë një shtëpi akademike e politikbërjes. Por, sikur cdo organizatë tjetër, edhepse e suksesshme me dekada, edhe LDK ka nevojë për ribrendim politik. Sot më shumë se kurrë, LDK duhet të mësojë nga e kaluara – si nga sukseset ashtu edhe nga dështimet. Fati i mirë i saj është se ka shumë më shumë histori suksesi sesa dështimi. Prandaj, e ka më të lehtë mësimin. E ka më të lehtë ribrendimin. Neglizhimi i nevojës për ribrendim politik të LDK-së i sjellë humbje të mëdha dhe besa edhe të priparueshme jo vetëm LDK-së, por gjithë Kosovës. E, në traditën e LDK-së është të qenurit gardian i vendit, dhe jo anasjelltas.

“Bota sot”: Është përmendur disa herë një afërsi e LDK-së me ish Presidentin Thaҫi dhe PDK-në, cila është e vërteta?

Faton Bislimi: Afërsia e vetme politike e LDK-së duhet të jetë me idealet e themelit të saj dhe mbi të gjitha me filozofinë politike të Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova. Ka shumë që flasin për rugovizëm. Por, të paktë janë ata që përtej fjalës, mund edhe ta përçojnë mesazhin e botëkuptimit që fjala realisht e ka. Rugovizmi, si gërshetim i stilit udhëheqës dhe veprimit politik, shkon përtej gandizmit si koncept, dhe aktivizmit qytetar paqësor si lëvizje. Në stilin udhëheqës, rugovizmi është urtësi. Edhe në leksikonin akademik, por edhe në traditën tonë kulturore, urtësia është virtyt i lartë, është mençuri e mbështjellur me dashuri. Në veprimin politik, rugovizmi është idealizëm kombëtar, i mbështjellur me pasion. Si dy krerët e shqiponjës si simbol yni kombëtar, këto dy atribute bazë të rugovizmit janë pjesë të një trupi – ato i lidhë përkushtimi deri në vetmohim. Për LDK-në, përtej reflektimit, botëkuptimi rugovist duhet kuptuar si themel që premton shumë; themel që i dha shtytje të fuqishme lirisë e substancë pavarësisë së Kosovës. Themel aq i fortë, sa që premton dhe garanton ndërtimin e një Kosove që jo vetëm do na bënte neve krenar, por e cila do i bënte krenar edhe miqët tanë ndërkombëtarë, pa ndihmën e të cilëve, zor se do ishim këtu ku jemi sot. LDK nuk ka qenë asnjëherë barrikaduese ndaj proceseve politike; përkundrazi ka qenë në shërbim të konstruktivitetit politik edhe ndërpartiak edhe në interes të shtetit. LDK të vetëm alergji politike duhet ta ketë ndaj korrupsionit e krimit, nepotizmit dhe papërgjegjësisë.  Zgjedhja e z. Thaci për postin e Presidentit të Kosovës nuk duhet kuptuar si afërsi politike në mes LDK-së e PDK-së, por si përmbushje e një marrëveshje koalicioni në mes dyja palëve, përmes së cilës LDK kishte siguruar postin e të parit të Qeverisë së Kosovës. Fundja, unë e kam thënë edhe më parë se përkundër kësaj, elektorati i LDK-së ka shpreh një pezm ndaj koalicionit të LDK-së me PDK-në dhe si rezultat e ka dënuar elektoralisht LDK-në për këtë.

“Bota sot”: Sipas juve, kujt i takon Presidenti?

Faton Bislimi: Zgjedhja e Presidentit të Kosovës dhe mënyra se si kryhet ky proces është i përcaktuar me Kushtetutën e vendit dhe me vendimet e Gjykatës Kushtetuese të ndërlidhura me këto procese.  Në versionin më të drejtë, Presidenti i takon popullit pasi që Kushtetuta e obligon atë të jetë përfaqësues i unitetit të popullit të Kosovës. Mirëpo, historia politike e Kosovës deri më tani ka treguar se klasa jonë politike ka prodhuar Presidentë përmes formulave partiake, me një përjashtim.  Andaj, në kohën në të cilën jemi, me sfidat që po ballafaqohet populli dhe Republika, është obligim i Kuvendit të Kosovës që të zgjedhë Presidentin e vendit sipas normave kushtetuese ashtu që të mos rrezikojmë të hargjojmë afatin kushtetues dhe të futemi në ujëra të panjohura. Nëse ne nuk e zgjedhim Presidentin e ri deri në fund të afatit ligjor, ne shkojmë në zgjedhje. Mirëpo, edhe pas zgjedhjeve, mund të vijmë në situate të njejtë, pasi që nuk pritet që një subjekt i vetëm të siguroj 2/3 e votave në Kuvend për të zgjedhe Presidentit. Andaj, në cfarëdo matematike, liderët politikë duhet të merren vesh për këtë cështje.

“Bota sot”: A do të mund të ketë sërish një qeveri nga LDK e LVV?

Faton Bislimi: LDK ka kapacitete të mjaftueshme që të dalë në zgjedhje e vetme dhe të sforcojë pozitën e vet. Ne nuk jemi përjashtues. Kemi pasë një përvojë jo të mirë në koalicionin me LVV-në por besoj se është pikërisht kjo përvojë që do të ndihmojë të dyja palët të mësojnë dhe të jenë të gatshme të bashkëpunojnë për interesin e vendit në të ardhmen. Partitë duhet të mësojnë të dalin nga petku i ngushtë I interesit politik partiak dhe të ofrohen sa më shumë interesit nacional të vendit.

“Bota sot”: A është e gatshme LDK-ja për zgjedhje të reja?

Faton Bislimi: Po, LDK është gjithëherë e gatshme për zgjedhje sepse LDK beson në demokraci. Nuk ka element më themeltar të demokracisë se sa zgjedhjet e lira dhe fer. Normalisht, situata me pandeminë e rëndon këtë proces, por nëse zgjedhjet janë zgjidhje, atëherë LDK është e gatshme për to, sepse LDK është gjithëherë e gatshme për t’i ofruar zgjidhje problemeve politike në vend. LDK ka një elektorat të mrekullueshëm dhe shumë të sinqertë. Ai di edhe të ndëshkojë edhe të ofrojë mbështetje plebishitare për LDK-në. Është oferta jonë dhe veprimet tona politike ato që e drejtojnë elektoratin e LDK-në në njërën nga këto rrugë. Unë besoj se me reflektim të brendshëm ne do të dijmë të drejtojmë elektoratin tonë në rrugën e drejtë – atë të fitorës për LDK-në dhe për Kosovën.

“Bota sot”: Si i vlerësoni arrestimet e Speciales ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit të Kosovës?

Faton Bislimi: Kosova dhe populli ynë kanë nevojë për drejtësi. Drejtësia duhet ta bëjë punën e vet në mënyrë të paanëshme dhe me përgjegjësi të lartë. Besoj se sjellja e zyrtarëve tanë të lartë që vullnetarisht iu bindën Dhomave të Specializuara në Hagë tregon pjekuri politike. Edhe sjellja e klasës politike në përgjithësi ka qenë korrekte. Andaj, krejt cka neve tash na duhet është triumfi I drejtësisë.  Mirëpo ajo që dihet botërirsht dhe nuk mund të ndryshohet nuk ka të bëjë me individët por me luftën e popullit tonë për liri e pavarësi nën amblemën e UCK-së. Ajo luftë ka qenë e drejtë, e pastër si loti, dhe vetmbrojtëse. Si rrjedhojë e sakrificës sonë popullore për liri e për të mbrojtur pragun e shtëpisë dhe vatrave tona autoktone, ne patëm fatin e madh që në krah të kishim edhe NATO-n. Andaj, ҫfarëdo përpjekje e kujdo që të barazojë veprimet individuale të kujdo me luftën e UCK-së dhe popullit tonë për liri e pavarësi është e kot dhe e tillë do mbetet.

“Bota sot”: Kënd e shihni në krye të LDK-së?

Faton Bislimi: Unë nuk jam idhtar i individualizmit por i ekipit. Unë besoj se një ekip i mirë, përfaqësues, dhe i mirëpritur jo vetëm nga strukturat e LDK-së por edhe nga elektorati, është ekipi i fitorës për LDK-në dhe Kosovën. Nuk jam unë ai që përcaktojë këtë ekip e as kreun e LDK-së. Realisht, dihet që LDK e ka kreun e saj tani. Por, reflektimi ynë si LDK duhet të ndodhë. Podujeva ka qenë një dush i akulltë, dhe si tillë duhet kuptuar jo si humbje e madhe, por si mundësi e madhe për reflektim dhe rikthim. E kam thënë që ata llapjanë që nuk e votuan LDK-në kësaj rradhe, e bënë këtë me zemra të thyera, por e bënë për t’i dhënë mësim LDK-së. Për t’i treguar se ata njerzë duan reflektim. Prandaj, une edhe në takimet e partisë edhe publikisht kam dalë me nocionin për ribrendimin politik të LDK-së. Sot më shumë se kurrë, LDK duhet të mësojë nga e kaluara – si nga sukseset ashtu edhe nga dështimet. Fati i mirë i saj është se ka shumë më shumë histori suksesi sesa dështimi. Prandaj, e ka më të lehtë mësimin. E ka më të lehtë ribrendimin. Neglizhimi i nevojës për ribrendim politik të LDK-së i sjellë humbje të mëdha dhe besa edhe të riparueshme jo vetëm LDK-së, por gjithë Kosovës. E, në traditën e LDK-së është të qenurit gardian i vendit, dhe jo anasjelltas. Ribrendimi politik nuk duhet kuptuar as si diferencim, as si ndëshkim, e as si shpërblim për individin. Ky koncept ka të bëjë me vizionin e LDK-së, me ofertën që ne si LDK duhet ndërtuar sot për njëzet vitet e ardhshme, sepse koha e bashkëdyzuar me emancipimin elektoral dhe ndryshimin demografik të vendit, tanimë e ka tejkaluar ofertën tradicionale të LDK-së. Ribrendimi politik bëhet duke u bazuar në kohezion të brendshëm partiak dhe llogaridhënie e marrje të përgjegjësisë. Papërgjegjësia politike është formula më e sigurtë e dështimit. LDK nuk e ka as komoditetin e as kohën që në vazhdimësi të tolerojë këtë. Ribrendimi politik është oferta e kohës e LDK-së për Kosovën, e cila gërsheton mençur rugivizmin si traditë politike jashtë së cilës LDK humbë identitetin e vet historik, bashkë me thirrjen dhe çasjen inovative në politikbërje pa të cilën LDK po e ka të vështirë të bëhet edhe vatra politike e gjeneratava të reja. Vetëm kështu, LDK do ta sigurojë rikthimin e madh, duke dalë fitimtare në betejat politike të rradhës. Cfarëdo kamoflimi kozmetik qoftë në lidership e qoftë në çasje nuk sjellë më sukses. Kurse, suksesi i LDK-së është sukses i Kosovës.

“Bota sot”: Emri juaj është propozuar nga këshilltari i kryeministrit Hoti për kreun e LDK-së, a do të pranonit të bëheshit kryetar i LDK-së në këto rrethana?

Faton Bislimi: Unë i jam shumë mirënjohës secili dashamirës të LDK-së që jep opinionin e vet të pandikuar dhe e vlerëson punën time. Në rastin konkret, unë asnjëherë në jetë as nuk e kam takuar e as njohur z. Hajdaraj. Sidoqoftë, i jam mirënjohës për përkrahjen. Por, sic thash më lartë, unë I mbetem besnik ekipit për punë të suksesshme dhe jo vec individit. Unë asnjë pretendim personal nuk e kam; këtë kauzë e kam për LDK-në dhe Kosovën, per më të mirën për të ardhmen e fëmijëve tanë! Liderë të mëdhenjë janë ata që marrin përgjegjësi të mëdha; ata që konservatorizmin e LDK-së nuk e shfrytëzojnë si mburojë për vetën, por si mundësi për partinë; ata që vizionin për LDK-në e ndërtojnë karshi kërkesave e nevojave të kohës, e jo interesave të tyre; ata që LDK-në e shohin si shtëpi e familje të përbashkët, e jo si shoqëri aksionare; ata të cilën e dijnë, e kuptojnë, e vlerësojnë, elektoratin e LDK-së si bazament të suksesit politik dhe si palën e vetme më të rendësishme të ndëshkimit politik. Liderë të suksesshëm nuk janë ata që bartin shoqërinë (e as partinë) pas vete, por ata që e çojnë shoqërinë (edhe partinë) përpara. Historia e sukseseve asnjëherë nuk rrënohet nga një dështim. Mirëpo, një histori dështimesh, edhe nëse nuk e rrënon suksesin, përfundimisht e zbehë atë. Fundja, të presim rezultate të ndryshme duke përdorë metoda të njejta, është e pakuptimtë. Sot, ne duhet që me kohezion të brendshëm, me dialog të hapur e të sinqertë, të dëgjojmë thirrjet e atyre që me votat e tyre tash e tri dekada e kanë mveshë LDK-në dhe shumë njerzë të saj me petkun e pushtetit e lidershipshit.  Ky petk bie kur vota mungon. E, në demokraci, vota është një çelës i suksesit dhe një kandar i ndëshkimit. LDK e ka rastin e mirë që tani të bëjë ribrendimin e vet politik dhe unike të dalë ballëhapur para qytetarëve të vendit me vizionin e vet, me ofertën e vet, me njerzit e vet. Dhe, nuk ka asnjë dyshim se kjo LDK mandej do të jetë LDK e zemrave të shumicës së qytetarëve të Kosovës, LDK e vlerës rugoviste, e ribrenduar politikisht për kohën, e gatshme dhe e përgjegjëshme për të marrë përsëri mbi supe proceset delikate të sforcimit të shtetit dhe mirëqenjes së qytetarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat