LDK-ja heq dorë nga Lëvizja Vetëvendosje, s’ka koalicion paszgjedhor

Intervista

LDK-ja heq dorë nga Lëvizja Vetëvendosje, s’ka koalicion paszgjedhor

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 12 shkurt 2021 Në ora: 14:36
Isa Mustafa dhe Avdullah Hoti

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Filloreta Berisha.

Berisha ka shpalosur programin që ajo ka nëse do të arrijë të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës, duke shtuar që do të jetë përfaqësimi i politikave publike në nivel nacional, veçanërisht në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe rinisë.

Kandidatja për deputete ka folur edhe në lidhje me situatën politike në vend, ku tha që LDK-ja ka arritur të përfaqësoj shumë mirë situatën pandemike dhe se programin që LDK ofron është alternative për qytetarët.

Nga ana tjetër ajo përmendi edhe arsyen pse pikërisht ka zgjedhur LDK-në duke shtuar që është e vetmja parti e cila nuk vë asnjëherë në dyshim sistemin e demokracisë dhe se përmes LDK-së do të mundohet të arrijë të që të gjithë të kenë pagën që e meritojnë dhe kushtet e punës.

Nuk mbeti pa u përmendur as largimi i Osmanit nga LDK-j,a e që largimin e saj Berisha nuk e sheh aspak të dëmshëm, pasi, sipas saj, largimi i Osmanit nuk ka dëmtuar LDK-në dhe se përzgjedhja e saj është individuale.

Duke biseduar me kandidatën për deputete u përmenden vijat e kuqe të LDK-së me partitë e tjera e që ajo u përgjigjë shumë shkurtë dhe qartë që LDK nuk do të ketë asnjë koalicion me VV-në.

Ndërsa për postin e presidentit ajo u shpreh që duhet të jetë person me kredibilitet të lartë, që i bashkon të gjitha subjektet politike.

Krejt në fund Berisha fton të gjithë qytetarët të dalin të votojnë LDK-në me numër 132, duke ditur se është votë për demokracinë dhe lirinë e këtij vendi.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në vend?

Filloreta Berisha: Është situatë parazgjedhore pandemike, të cilën LDK e ka menaxhuar mjaft mirë. Në takimet e zhvilluara me degët dhe nëndegët e LDK-së vërehet entuziazmi dhe besimi për LDK-në, si parti e qendrës së djathtë dhe promovimin e programit tonë politik. Konsiderojmë se është programi më i mirë, që ofron alternativa për sferat e ndryshme të jetës së qytetarëve tanë.

Image
Filloreta Berisha

“Bota sot”: A do të jenë zgjidhje zgjedhjet?

Filloreta Berisha: Gjithsesi, duke ditur se Zgjedhjet janë shpallur nga KQZ, ne si LDK kemi ndërmarrë të gjitha masat e duhura karshi vendimeve të KQZ-së, duke respektuar në plotëni kornizën ligjore të legjislacionit në fuqi. Zgjedhjet janë zgjidhje, që qytetarët të dallojnë propagandën, popullizmin dhe autokracinë e një subjekti që përmes këtyre formave synon marrjen e pushtetit. Në anën tjetër, qytetari ka si zgjidhje LDK-në, si një subjekt që prej themelimit ka qenë koherencë të vazhdueshme me politikat e SHBA-së, shtetit që së bashku me Presidentin Rugova dhe UÇK-në i kanë dhënë kuptim demokracisë, lirisë dhe pavarësisë që ne sot si shtet e gëzojmë.

“Bota sot”: Cila ishte arsyeja që vendosët të hyni në skenën politike?

Filloreta Berisha: Unë në politikë kam qenë dhe jam rritur me LDK-në, si një shtëpi e të gjithëve, ku përfaqësimi im në këtë subjekt është prezantuar përmes tri postulateve kryesore “Liri, pavarësi dhe demokraci”, që Presidenti Rugova i ka pasur rrugëtim të përjetshëm të projektimit të shtetit të Republikës të Kosovës. Mirëpo, në këto zgjedhje, struktura e LDK-së nga dega e Klinës më dha besimin për kandidim për deputete në Kuvendin e Kosovës. Arsyeja kryesore për kandidim në këto zgjedhje është përfaqësimi i politikave publike në nivel nacional, veçanërisht në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe rinisë.

“Bota sot”: LDK-ja është partia që po përfaqësoni, pse pikërisht kjo parti?

Filloreta Berisha: Pikërisht LDK-ja, duke ditur rolin e saj historik dhe mishërimin e vlerave më të rëndësishme për projektimin e shtetit të Kosovës. LDK gjithnjë, duke pasur për bazë se nuk vë në dyshim asnjëherë sistemin tonë qeverisës “demokracinë” dhe nuk luan me karta që vijnë nga Lindja. LDK është më shumë se kaq, është vetë themeli i shtetit të Kosovës. Liritë individuale dhe kolektive shprehen më së miri përmes LDK-së dhe politikave publike që LDK përfaqëson. Prandaj, përfaqësimi im në LDK është përtej subjektit individual, është vlerë dhe nder për mua.

“Bota sot”: Kënd do të përfaqësoni në Kuvendin e Kosovës?

Filloreta Berisha: Në Kuvendin e Kosovës do të përfaqësoj çdo qytetarë dhe do të jem zëri i të gjithë qytetarëve, pa asnjë dallim. Në veçanti, do të angazhohem për politikat në shëndetësi, arsim dhe rini, duke e pasur parasysh se ka nevoj për reformim të shtyllave përkatëse. Nuk do të lejoj asnjëherë që vlerat themelore të këtij vendi të shkelen nga subjekte, që me shumë propagandë dhe popullizëm, mundohen të frikësojnë çdo zë që është ndryshe dhe që nuk ju përshtatet. Përfaqësimi im është përfaqësim i infermierëve, mjekëve, specializantëve, mësuesve dhe të rinjve dhe të rejave.

“Bota sot”: Cilat janë synimet që keni nëse zgjidheni deputete e Kuvendit të Kosovës?

Filloreta Berisha: Synimet e mia do të jenë në funksion të përfaqësimit më të denjë të mjekëve, mësuesve dhe të rinjve. Rrjedhimisht, do të fokusohem që përmes iniciativave ligjore dhe amandamentimit të legjislacionit ekzistues të ofrojmë politika konkrete dhe të zbatueshme për shëndetësinë, arsimin dhe rininë. Me këtë do të synoj, që të gjithë të kenë pagën që e meritojnë, kushtet e punës që duhet pasur dhe vendet e punës që duhet hapur për të rinjtë dhe të rejat. Fokusi im do të jetë, që NE MUNDEMI, edhe përkundër vështirësive që mund të dalin gjatë procesit.

“Bota sot”: Largimi i Vjosa Osmanit nga LDK, a do ta dëmtojë në këto zgjedhje?

Filloreta Berisha: Vërehet qartë se largimi i saj nuk na dëmton. Votuesi i LDK-së nuk voton që LDK-ja të shihet si nëndegë e partisë së zonjës në fjalë. Përzgjedhja e saj është individuale dhe duhet ditur se votuesit e LDK-së nuk tradhëtohen nga persona që kanë për synim shkatërrimin dhe përçarjen e LDK-së. LDK është më shumë se sa një individ.

“Bota sot”: Znj. Berisha, Z. Hoti ka deklaruar se LDK nuk ka vija të kuqe për asnjë parti, me cilën parti sipas jush mund të keni koalicion parazgjedhor?

Filloreta Berisha: Nuk mund të konkludoj se me cilën, por që një gjë është e sigurt se me Vetëvendosjen nuk do të kemi koalicion. Është thyer besimi dhe është jokorrekte për votuesit e LDK-së që të bëhen koalicione me këtë subjekt. Gjithsesi, organet e partisë do të vendosin se cila është rruga më e mirë për Kosovën, përkatësisht për shtetin dhe LDK-në.

“Bota sot”: Cili është qëndrimi juaj lidhur me postin e presidentit?

Filloreta Berisha: Presidenti ka rol unifikues dhe sipas kompetencave kushtetuese ka rol të rëndësishëm në përfaqësimin e të gjithë qytetarëve pa dallim partiak, etnik apo racor. Rrjedhimisht, mendoj se presidenti duhet të jetë person me kredibilitet të lartë, që i bashkon të gjitha subjektet politike, është zë unifikues dhe gardian i Kushtetutës të Republikës së Kosovës.

“Bota sot”: Cili është mesazhi juaj për të gjithë votuesit në zgjedhjet e 14 Shkurtit?

Filloreta Berisha: Mesazhi im për të gjithë qytetarët është që të dalin të votojnë LDK-në me numër 132, duke ditur se është votë për demokracinë dhe lirinë e këtij vendi. Është votë për shtetin dhe përfaqësimin e saj të denjë në raportet ndërkombëtare në miqësi të përhershme me SHBA-të. LDK është programi dhe alternativa më e mirë qeverisë, është vetë themeli i shtetit të pavarur të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat