Kurti ka shumicën për formimin e Qeverisë, Osmani do të jetë presidente e vendit

Intervista

Kurti ka shumicën për formimin e Qeverisë, Osmani do të jetë presidente e vendit

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 1 mars 2021 Në ora: 14:01
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Analisti politik, Skënder Mulliqi, së fundmi i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje. Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka folur për situatën aktuale politike dhe rrjedhat e saj.

Ai ka thënë se arsyeja që i është bashkuar LVV-së është se Kosova nuk ishte në rrugën e duhur, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm, që sipas tij janë bisedimet me Serbinë dhe marrëveshja e “Zajednicës”, gjë që për të cilat LVV-ja ishte parimore në këto plane duke mbrojtur kauzën e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës nga Serbia.

I pyetur se a do të ndikojë në formimin e qeverisë, moscertifikimi i kandidatëve të LVV-së, ai ka thënë se moscertifikimi i deputetëve ka qenë i ndikuar nga politikat ditore, por që edhe pse Kurtit i është bërë shumë e padrejtë, sipas tij nuk do të ketë asnjë bazë ligjore që do ta pengojë atë dhe përkundër këtyre, LVV-ja do ta formojë qeverinë pa problem.

Ai ka folur edhe në lidhje me kandidimin e Vjosa Osmanit për presidente, që sipas tij ajo do të zgjedhet e në krye të shtetit dhe madje më nuk do të ketë nevojë as të shkohet prapë në zgjedhje. Por, sipas Mulliqit, president mund të jetë edhe ndokush jashtë partiak.

Ai ka thënë se puna e parë që duhet ta bëjë Kurti posa të vije në qeveri, është konsolidimi i shtetit ligjor dhe funksional, por që qeverinë e re e presin edhe sfida të tjera, siç është dialogu me Serbinë.

Image
Skënder Mulliqi dhe Albin Kurti

“Bota Sot”: Pse vendosët t’i bashkoheni LVV-së?

Skënder Mulliqi: Profesioni i gazetarit kërkon përkushtim, jo njëanshmëri politike. Unë moti merrem më këtë profesion dhe gjithmonë synimi im ka qenë mbrojtja e vlerave nacionale, e pasi që Kosova u pavarësua me luftë nga Serbia, me tërë qenien time kam punuar për zhvillim të gjithmbarshëm dhe për forcimin e shtetësisë të Kosovës. Jam përpjekur që t’i luftoj dukuritë negative në shoqëri e jo njerëzit e caktuar, çka është edhe detyrë e secilit gazetar dhe publicist. Punët pas çlirimit të vendit në vitin 1999 nuk shkuan ashtu edhe siç ishte pritur nga shumica. Dolën papritur në skenë fenomenet negative siç janë krimi i organizuar, korrupsioni e dukuri tjera negative, të cilat i shkaktuan dëme të mëdha vendit. E prishën shumë imazhin e vendit në botë. Kosova në vend të prosperitetit dhe avancimit të proceseve demokratike të një shteti të ri, në këtë drejtim, mori më shumë kahun e kundërt, atë të stagnimit, të izolimit dhe jo zhvillimit të duhur ekonomik. Kështu që në këtë kontest ra shumë edhe standardi i jetesës së shumicës së qytetarëve. Vendi në këtë fazë të tranzicionit u varfërua, pa punësimi u rrit, mbi 20 për qind të popullatës po jetojnë shumë keq, kurse nga pa perspektiva e krijuar të kastave politike në pushtet, shumica e të rinjve po marrin rrugën e largimit nga Kosova. Unë mos të them i pari, por ndër të parët në Kosovë kur isha në gazetën kombëtare “Bota Sot”, i kam luftuar dhe vazhdoj edhe sot t’i luftoj dukuritë negative në shoqëri. I kam luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin galopant. Në rrugëtimin tim gazetaresk, publicistik dhe si analist politik, e kam përkrahur në një mënyrë apo tjetër sa ishte gjallë presidentin e parë të Kosovës së pavarur dr.Ibrahim Rugova. Pse kam vendosur të aderoj në LVV është një mesele në vete. Rruga që kishte trasuar kjo kastë politike, nuk ishte rrugë e duhur për Kosovën, si në planin e brendshëm politik, ashtu edhe në planin e jashtëm sidomos keq na shkuan punët në bisedimet me Serbinë, gjoja për normalizim të marrëdhënieve të ndërsjella. Ju bënë shumë lëshime palës serbe, së pari me Decentralizimin pastaj me Demarkimin e vijave kufitare me Maqedoninë e Veriut dhe me Malin e Zi, duke iu dhuruar si në pjatë tokat shqiptare grabitqarëve serbo-sllave. Pastaj, u nënshkrua marrëveshja e dëmshme e “Zajedinicës” me disa kompetenca ekzekutive nga ish presidenti Thaçi dhe nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. LVV-ja ishte parimore në këto plane duke mbrojtur kauzën e drejtë të sovranitetit dhe integritetit të Kosovës nga Serbia hegjemoniste. LVV-ja edhe në planin e brendshëm është për zhvillim të të gjitha proceseve zhvillimore. Ka në programin politike të saj programin social. Ekzistojnë edhe arsye tjera pse zgjodha këtë subjekt, politik, sikur që e zgjodhën edhe shumica për ta votuar në formën plebishitare në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Bota Sot”: A keni pretendime që në të ardhmen të merrni ndonjë pozitë të lartë në LVV?

Skënder Mulliqi: Unë momentalisht nuk kam ndonjë pretendim, pretendimi dhe synimi kryesor i imi edhe i shumicës në parti është që më në fund Kosova ta merr të mbarën, se mjaft ka vuajtur nga keqpërdorimet e mëdha e të vogla, nga pasurimet e paligjshme në njërën anë dhe varfërimin e shumicës në anën tjetër. Këto praktika të vjetra të qeverisjes me vendin do të ndërpriten me Qeverinë tonë. Zhvillimin më të hovshëm të vendit e ka prioritet si dhe krijimin e perspektivave të reja në hapjen e vendeve të reja të punës për rininë tonë. Shpesh gjatë fushatës kreu i LVV-së, Albin Kurti e ka potencuar problemin e pa punësimit si dhe problemin se si me fakultete të rinjtë po detyrohen të punojnë kamarierë e profesione tjera dytësore .

“Bota Sot”: Çfarë mendoni, a duhet Kurti të bëjë koalicion me ndonjë parti, nëse po, me cilën?

Skënder Mulliqi: Tash shpejt pritet konstituimi i organeve të reja të pushtetit, ku LVV-ja e ka shumicën parlamentare me një minus shumë të vogël. Lideri ynë Albin Kurti ka vuri vija të kuqe për ata që janë në një formë apo tjetër të implikuar në afera korruptive dhe këtu nuk do të ketë lëshime, se mbi këtë kauzë dhe kauzën e shumicës së votuesve ka marrë besimin LVV-ja për ta udhëhequr vendin për mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Së shpejti edhe do të dihet se si do të formohet dhe cili do të jetë partneri tjetër politikë eventual i Qeverisë Kurti, pos Listës Qytetare të Vjosa Osmanit. Sigurisht lideri, Albin Kurti do të ketë në këtë rast parasysh edhe proceset e mëdha të karakterit shtetëror e nacional siç është edhe vazhdimi i dialogut me palën serbe ku kërkohet unitet i përgjithshëm.

“Bota Sot”: Si e komentoni vendimin e KQZ-se për moscertifikimin e kandidatëve nga LVV-ja? Dhe a mendoni se do të ndikojë në formimin e qeverisë?

Skënder Mulliqi: Ky mos certifikim i deputetëve ka qenë i ndikuar nga politikat ditore, jashtë praktikave të deritashme kur bëhet fjalë për kuvendarë. Ky mos certifikim kryesisht kishte të bënte me liderin e LVV-së, Albin Kurtin, por të gjitha këto lojëra politike vetëm sa e shtuan vullnetin e njerëzve që masovikisht të votojnë pro LVV-së me 14 shkurt. Edhe pse Albinit iu bë shumë e padrejtë për deputet dhe disa të tjerëve aty, mendoj së nuk do të ketë asnjë bazë ligjore që ta pengojë atë ta udhëheqë qeverinë e re me mandat të plotë. KQZ-ja nuk u tregua parimore as me mërgatën duke vënë pyka pa asnjë nevojë në numërimin e votave si dhe në dërgimin e tyre me postë. Edhe përkundër këtyre tendencave jo parimore karshi LVV-së, ajo do të formojë qeverinë pa ndonjë problem.

“Bota Sot”: A duhet të jetë Vjosa Osmani presidente sipas jush, apo duhet të kemi një president jopartiak?

Skënder Mulliqi: Ushtruesja e detyrës së presidentes të vendit, zonja Vjosa Osmani mendoj se do të zgjedhet në këtë detyrë edhe për faktin se ka marrë afër 270 mijë vota që është plebishit edhe kur bëhet fjalë për këtë post të lartë pushtetar. Zgjedhje të jashtëzakonshme kemi pasur deri më tash pesë syresh dhe mendoj së është bërë mjaft dhe Vjosa atë ditë kur do të votohet për presidente, do ta ketë kuorumin. Pse? Nuk ka logjikë më të shkohet në zgjedhje dhe këtë unë mendoj nuk do të lejojnë as deputetët e partive politike. Do të bëjnë kuorumin për faktin se nuk dëshirojnë më të sprovohen se a do të fitojnë si kuvendarë në zgjedhje të reja. E sigurisht se shumë nga këta kuvendarë të tashëm të LDK-së, PDK-së dhe AAK-së nuk janë të sigurt se nuk do të pësojnë subjektet e tyre rënie drastike. Këto dhe shumëçka tjetër na japin të drejtën për të menduar së Vjosa Osmani do të jetë presidentja e ardhshme e Kosovës. Edhe po të vije puna, mund të vije në shprehje edhe një president jashtë partiak, me konsensus të partive politike.

“Bota Sot”: A mendoni se premtimet e Kurtit janë të realizueshme, pasi disa e kanë vënë në pikëpyetje mundësinë e realizimit të tyre?

Skënder Mulliqi: Mendoj së të gjitha premtimet kana bazë reale për tu përmbushur. Jo si deri më tash kur elektorati dhe në përgjithësi qytetarët i mashtruan dhe u manipuluan duke mos i përmbushur partitë në pushtet as elementet e premtuara. Qeveria Kurti do të punojë mirë me njerëz profesionistë, me njerëz të përgjegjshëm dhe me moral politik e të pa korruptuar. Kuptohet se për të gjitha nuk ka mundësi kohore të realizohen, por që ato primaret do të realizohen gradualisht kur dihet se qeveritë e deritashme kanë lënë mbrapa probleme të mëdha të grumbulluara të natyrës politike dhe veçmas të ecurive ekonomike. E thash edhe më lartë se LVV-ja prioritet e ka programin social të cilin edhe do ta përmbushë në të mirën e qytetarëve, në të mirën e të gjitha kategorive shoqërore e veçmas të kategorive të rrezikuara. Gjithashtu prioritet do të jetë edhe zhvillimi i ekonomive të vogla ku do të absorbonin shumë vende te reja të punës për të rinjtë tanë të papunë etj.

“Bota Sot”: Cili mendoni se duhet të jetë veprimi apo vendimi i parë të cilin Kurti duhet ta marrë me të ardhur në krye të qeverisë?

Skënder Mulliqi: Puna e parë e Qeverisë Kurti është konsolidimi i shtetit ligjor dhe funksional. Do të ketë punë jo të vogla në riparimin e gabimeve apo lëshimeve nga qeveritë e kaluara. Do të zvogëlojë korrupsionin në të gjitha nivelet pa pardon .Nuk do të këtë padrejtësi në punësim. Do të punohet që të kemi arsim më cilësor dhe shëndetësi efektive që nuk i kemi as për afër. Një vend të rëndësishëm do të këtë zhvillim të bujqësisë të subvencionuar e turizëm. Qeverinë e re e presin plot sfida të tjera, e më e vështira punë që e pret do të jetë vazhdimi i dialogut me Serbinë, e që sipas Kurtit nuk do të jetë prioriteti i parë e as i dyti. Kësaj radhe me Qeverinë Kurti, shtetit serb nuk do t’i ecin agjendat dhe lëshimet sipas dëshirës së tyre sikurse ngjau deri më sot. Në këtë temë për t’i dalë mbarë këtij procesi politik, lypet një konsensus i të gjitha partive politike së është temë e interesit nacional.

“Bota Sot”: A mendoni se po menaxhohet mirë situata pandemike në Kosovë?

Skënder Mulliqi: Pandemia globale ka shkaktuar probleme të mëdha në botë në menaxhimin e saj. Edhe shtetet shumë të zhvilluara ekonomikisht mezi po e mbajnë mbi supe barrën shumë të rëndë dhe të stërzgjatur të pandemisë, e cila po merr mijëra jetë njerëzish. Në Kosovë menaxhimi sa ishte Qeveria Kurti ishte në nivel të duhur, e cila pësoi në menaxhim me Qeverinë Hoti. Ka nevojë për masa shtesë të preventives që të ndalet sadopak hovi i virusit vdekjeprurës. Shumë e ka keqësuar gjendjen ekonomike edhe ashtu të dobët. Pandemia me këtë trend jo të mirë të zhvillimit do të jetë sfidë edhe për Qeverinë e re - Kurti 2 në ndaljen e hovit dhe në sigurimin e vaksinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat