Stërvitja “DEFENDER - Europe 21” në Shqipëri

Intervista

Stërvitja “DEFENDER - Europe 21” në Shqipëri

Më: 24 prill 2021 Në ora: 08:46
Ilustrim

Koloneli Joseph Scrocca, Drejtor për Marrëdhëniet me Publikun në Komandën e Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe Afrikë, flet në intervistë për DW për synimet e stërvitjes DEFENDER-Europe 21.

DW: Kolonel Scrocca, çfarë synimesh ka stërvitja ushtarake DEFENDER - Europe 21, që pritet  të zhvillohet në fillim të majit dhe do të zgjasë 45 ditë?   

Joseph Scrocca: DEFENDER-Europe 21është një stërvitje e përbashkët mbrojtëse shumëkombëshe e drejtuar nga Komanda në Evropë dhe ajo në Afrikë e ushtrisë së SHBA-së. Kjo stërvitje synon të ngrejë gatishmërinë dhe realizojë ndërveprimin midis ushtrisë së SHBA, NATO-s dhe ushtrive partnere, në mënyrë që bashkërisht të jemi të përgatitur për t'iu përgjigjur çdo kërcënimi. 

Po ashtu stërvitja ushtarake në fjalë synon të demonstrojë aftësinë e SHBA për të shërbyer si një partner strategjik sigurie në rajonet e Ballkanit Perëndimor dhe Detit të Zi, ndërkohë që mbështet aktivitetet tona në Evropën Veriore dhe Afrikë. Mbështetur në suksesin e kësaj stërvitjeje, vitin e kaluar, sivjet DEFENDER-Europe 21 përfshin një numër më të madh kombesh aleate dhe partnere të NATO-s, që kryejnë aktivitete në një zonë më të gjerë sesa ajo që u planifikua në 2020-ën.

Stërvitjet ushtarake si DEFENDER - Europe 21 demonstrojnë që angazhimi i SHBA ndaj NATO-s është i pathyeshëm, i hekurt, që aleatët dhe partnerët e NATO-s janë më të fortë së bashku. Këto stërvitje janë një shembull i shkëlqyer i aftësive tona kolektive.

Image

DW: Sa kombe dhe trupa ushtarake do të marrin pjesë në aktivitetet e stërvitjes dhe në sa zona do të shtrihen ato? 

Kolonel Joseph Scrocca:Marrin pjesë më shumë se 26 kombe dhe 28.000 trupa shumëkombëshe që do të kryejnë aktivitete pothuajse në të njëjtën kohë në më shumë se 30 zona trajnimi, të shtrira në 12 vende. 

DW: Cilat janë aktivitetet kryesore?

Image

Kolonel Joseph Scrocca: DEFENDER-Europe 21 do të përfshijë disa manovra dhe aktiviete ushtarake. Kryesoret janë: Përgjigja e Shpejtë (1 -15 maj 2021) që ka të bëjë me operacione ajrore në Estoni, Bullgari dhe Rumani, ku do të përfshihen më shumë se 7,000 trupa nga 11 vende; Përgjigja e menjëhershme (15 maj - 1 qershor) ku më shumë se 5.000 trupa nga 8 vende do të shpërndahen në 31 zona trajnimi në 12 vende të ndryshme për të kryer trajnime dhe stërvitur për të hapur zjarr realisht. Do të ketë edhe një operacion të përbashkët logjistik në bregdet; Mbrojtja kalorsiake (15 maj- fillim qershori)  ku më shumë se 13.000 trupa do të kryejnë gjuajtje reale dhe operacione reale mbrojtëse me raketa si edhe një evakuim mjekësor në shkallë të gjerë; Stërvitja e Komandës post manovre (qershor 2021)ku afërsishtnjë personel prej  2.000 vetësh do të bëjë manovra për aftësinë e shtabit për të komanduar forca tokësore shumëkombëshe në një mjedis të përbashkët dhe të kombinuar stërvitor, ndërkohë që kryen operacione në botën reale në 104 vende në dy kontinente.

DEFENDER-Europe 21 do të ketë edhe dy ngjarje trajnimi shumë të rëndësishme: Luani Afrikan (15 maj -15 qershor) që është ngjarja vjetore më e rëndësishme stërvitore e komandës së ushtrisë amerikane në Afrikë, ku rreth 5.000 vetë, personel ushtarak, nga 24 kombe, do të stërviten për gadishmëri mjekësore, do të kryejnë manovra në shkallë të gjerë për të gjuajtur si edhe manovra ajrore dhe detare. Këto manovra do të kryhen kryesisht në Marok: Mbrojtësi i Patundur, (15 maj-1 qershor) që është një seri e re e manovrave të  NATO-s, e fokusuar në përforcimin transatlantik të Evropës dhe që demonstron aftësinë e NATOs për t'iu përgjigjur me shpejtësi spektrit të plotë të kërcënimeve.

Image

DW: Çfarë kërcënimesh dhe krizash potenciale ndaj paqes dhe sigurisë në Europë dhe Detin e Zi  ka aktualisht apo mund të shfaqen?

Kolonel Joseph Scrocca: Situata e sigurisë në Evropë është bërë gjithnjë e më komplekse gjatë dekadës së fundit. Ushtria amerikane duhet në të ardhmen të jetë e gatshme të vendosë trupa, të luftojë me vendosmëri dhe të fitojë kundër çdo kundërshtari pothuajse të barabartë, në një konflikt të përbashkët, në shumë fusha dhe me intensitet të lartë.

Thënë këtë, DEFENDER-Europe 21 është një stërvitje e përbashkët, shumëkombëshe, mbrojtëse që përfshin forcat aleate dhe partnere. Ajo nuk zhvillohet në përgjigje të ndonjë kërcënimi specifik ose kundërshtari. Ajo dhe stërvitje të tjera ushtarake që zhvillohen rregullisht të lidhura me të, janë manovra të drejtuara nga SHBA, të dizenjuara për të rritur gatishmërinë dhe ndërveprimin me SHBA, aleatët dhe forcat partnere.

DW: A ka ndonjë paralajmërim nga Rusia apo Irani lidhur me DEFENDER-Europe 21?

Kolonel Joseph Scrocca: Për të siguruar transparencën, SHBA informuan OSBE-në për planet lidhur me zhvillimin e stërvitjes ushtarake DEFENDER-Europe 21 dhe do të vazhdojnë përpjekjet për të ndarë me këtë organizatë koordinimin, shkëmbimin e informacionit, në mënyrë që SHBA të përmbushin detyrimet e tyre, që burojnë nga traktati.

Image

DW: Çfarë kontributi jep Gjermania në DEFENDER-Europe 21?

Kolonel Joseph Scrocca: Këtë vit pjesa më e madhe e aktiviteteve të DEFENDER-Europe 21 do të zhvillohen në Ballkanin Perëndimor dhe zonat pranë Detit të Zi. Gjithsesi, kemi planifikuar paraprakisht të përdorim portin e Bremerhaven në Gjermani. Por jo si një nga portet kryesore për manovrat ushtarake pasi vetëm një sasi e vogël e pajisjeve do të ngarkohet në Bremerhaven. Parashikojmë gjithashtu përdorimin e aeroporteve në Frankfurt, Nuremberg dhe Ramstein duke filluar nga ky muaj deri në fund të majit.

Përveç kësaj, Zona e Trajnimit në Grafenwoehr është planifikuar të përdoret në qershor për Stërvitjen e Komandës post manovre që është një stërvitje e asistuar, e mbështetur nga imitimi në kompjuter për demonstrimin e aftësisë së SHBA në kryerjen e operacioneve sulmuese në një mjedis shumëkombësh. Kjo stërvitje do të imitojë një skenar të bazuar në përgjigjen e  NATO-s, sipas nenit V*.

DW: Shqipëria do të jetë vendi kryesor mikpritës i një stërvitjeje kaq gjigande ushtarake. Çfarë prisni nga Shqipëria që të arrihen synimet e manovrës DEFENDER-Europe 21?

Kolonel Joseph Scrocca: DEFENDER-Europe 21 do të fillojë në Durrës, në javën e parë të majit. Shqipëria do të presë një stërvitje të përbashkët të logjistikës në bregdet, të njohur me inicialet JLOTS (Joint Logistics Over-the-Shore-Logjistikë e përbashkët në bregdet) e cila do t'i mundësojë ekipit të shërbimit amerikan të përdorë anije për të ngarkuar dhe shkarkuar pajisje dhe personel në porte jo të përshtatshme apo të dëmtuara si edhe në plazhe të zhveshura.

Image

Kjo është një ngjarje e rëndësishme, sepse do të jetë hera e parë që një JLOTS ndodh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ky trajnim historik demonstron aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të shërbyer si një partner strategjik i sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe rajonet e Detit të Zi ndërkohë që ne ngrejmë gatishmërinë operacionale dhe ndërveprimin me aleatët tanë të NATO-s dhe partnerët pjesëmarrës në Defender-Europe 21, gjë që nxjerr gjithashtu në pah rëndësinë strategjike që ka Porti i Durrësit.

Rreth  5.000 forca amerikane do të stërviten dhe veprojnë në Shqipëri nga muaji prill deri në qershor, të cilat do të veprojnë në vende të shumta në Shqipëri, përfshirë bazën ajrore në Kuçovë, në Farkë dhe në zonën e trajnimit në Bizë.

*Neni V në Traktatin Themelues të NATO-s ka të bëjë me mbrojtjen kolektive thelbi i të cilit është që një sulm kundër një vendi aleat/anëtar konsiderohet si një sulm kundër të gjithë NATO-s.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat