“Non paper”, ëndërr e parealizuar serbe që do të mbetet e vdekur

Intervista

“Non paper”, ëndërr e parealizuar serbe që do të mbetet e vdekur

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 2 maj 2021 Në ora: 20:42
Harta e Ballkanit

Normale dhe e drejtë që Kurti do ta refuzonte takimin me 11 maj në Bruksel, pasi u bë për qejfin e Vuçiqit pa protokolle dialoguese tripalëshe BE-Kosovë-Serbi.

Kështu menon profesori i njohur, Sulejman Mehazi, i cili ka folur në një intervistë për gazetën “Bota sot".

Sa i përket përfshirjes së një grup ekspertësh në dialog e quan veprim të mençur.

Image
Sulejman Mehazi

Profesor Mehazi, ka folur edhe për dokumentin “non-paper”, i cili e quan ëndërr të parealizuar dhe i cili mund të quhet edhe si “Non paper i Millosheviqit dhe i Vuçiqit”, prandaj ai thotë se do të mbetet i vdekur ende pa lindur politikisht.

Ndër të tjerash profesori ka folur edhe për shpërndarjen e Pakos së Rimëkëmbjes, nga e cila përfitues dolën kompanitë e pasura.

Mehazi thekson se kjo ndodhi për shkak të afërsisë që kanë pasur me Qeverinë Hoti, dhe e gjitha kjo duhet të rikthehet me anë të hetimeve të prokurorisë.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka refuzuar 11 majin si datë për bisedime me Serbinë dhe dialogu do të fillojë në qershor. Si e komentoni këtë?

Sulejman Mehazi: Po normale se Albin Kurti do të refuzonte 11 majin si datë për bisedime me Serbinë, nuk mund të shkojë e të takohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për qejfin e Vuçiqit pa protokolle dialoguese tripalëshe BE-Kosovë-Serbi. 11 maji e ka kuptimin e dialogut privat e jo zyrtar të takimeve të mëparshme të Thaçit e Vuçiqit sa për t'u drekuar e pirë kafe, shkurt, 11 maji do e merrte vlerën e një dialogu ekskurzionesh një ditëshe.

“Bota sot”: Cili është mendimi juaj për grupin e ekspertëve që do të përfshihen në dialog?

Sulejman Mehazi:
Gjatë dialogut me Serbinë duhet përgatitur mirë e seriozisht, dialogu me Serbinë nuk është punë e partive politike, por punë e ekspertëve shtetëror, zgjedhja e ekspertëve nga ana e Albin Kurtit është veprim shumë i mençur, edhe pse ka disa zëra pakënaqësie ndaj Albin Kurtit për shkak të ftesës dhe pjesëmarrjes së Veton Surroit dhe Blerim Shalës gjatë dialogut me Serbinë, megjithatë duhet pranuar se Veton Surroi e Blerim Shala e kanë atë aftësi politike të mbrojnë shumë më mirë interesat shtetërore të Kosovës, sesa dikush tjetër nga partitë politike. Përvoja e Surroit është e madhe, ai mori pjesë edhe në Rambujë, është super i përgatitur intelektualisht, politikisht e profesionalisht për të mbrojtur Republikën e Kosovës shumë më mirë se dikush tjetër. Edhe Blerim Shala është i kalibrit për të dialoguar fuqishëm me Serbinë, edhe pse ka bashkëpunuar me partitë opozitare PDK e AAK. Bile shumë mirë ka vepruar Kurti me ftesën e Blerim Shalës, sepse Shala do pajtonte edhe partitë opozitare për një konsensus të të gjithë partive pozitë e opozitë të Kosovës me rastin e dialogut me Serbinë.

“Bota sot”: Por, për iniciativën e Kurtit që të bisedojë fillimisht me opozitën para dialogut dhe të përgatitet për të, çfarë mendoni?

Sulejman Mehazi:
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është i vetëdijshëm se puna e dialogut nuk ka të bëjë me politikë të brendshme të Kosovës, po është në rangun e politikës së lartë shtetërore dhe nuk do ishte e logjikshme dhe e arsyeshme të mos bisedonte edhe me opozitën që sa më të bashkuar të dalin para dialogut me Serbinë, Nëse Albin Kurti ka ftuar ekspertët, pse mos të ftojë edhe partitë opozitare me rastin e dialogut me Serbinë, bashkimi i të gjitha partive i jep forcë më të madhe dialogut me Serbinë.

“Bota sot”: Qeveria Kurti do të ndajë 11 milionë euro nga buxheti i Kosovës për të paguar rrymën e serbëve në veri. A mendoni se është veprim i drejtë?

Sulejman Mehazi:
Mendojmë se nëse qeveria e Kurtit do ndajë 11 milionë euro nga buxheti i Kosovës për të paguar rrymën e serbëve në veri, pse mos të ndajë edhe 11 milionë euro nga buxheti edhe për masën e varfër të qytetarëve shqiptarë për t'ua paguar edhe atyre rrymën. Kjo ndarje na duket selektive, serbëve po, kurse qytetarëve të varfër jo.

“Bota sot”: A mendoni se tani në krye me Kurtin mund të arrihet marrëveshje me Serbinë?

Sulejman Mehazi
: Rrethanat politike e ndihmojnë Kurtin që sa më shpejtë të arrihet një marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke të dy shteteve fqinje Kosovë-Serbi. Kërkesat bindëse të administratës se Bidenit dhe të BE-se si asnjëherë më parë nuk kanë qenë më bindëse sikurse tani për të njohur Serbia Kosovën dhe anasjelltas.

“Bota sot”: Çfarë mendoni lidhur me dokumentin “non-paper”, a mund të ketë rrezik për ndryshimin e kufijve?

Sulejman Mehazi
: "Non paperi" i Janshës është një ëndërr e kahmotshme serbe që nuk mund të realizohet kurrë, më shumë është dokument i zhurmshëm mediatik e me pasivitet politik, "Non paperin" e Janshës mund ta quajmë edhe "Non paper i Millosheviqit dhe Vuçiqit", prandaj do mbetet i vdekur ende pa lindur politikisht.

“Bota sot”: Qeveria Kurti po fajësohet edhe për mos sigurimin e vaksinave. Cili është mendimi juaj për këtë, përderisa për një kohë të shkurtër kanë siguruar 24 mijë doza.

Sulejman Mehazi:
Është normale të kritikohet pasi pandemia është më e shpejtë për të marrë vdekje njerëzish sesa ardhja e vaksinave, vaksinat janë më të ngadalshme sesa virusi i shpejtë i Covid-19. Sikurse informoi Kurti nga Brukseli se ka siguruar një numër të madh të vaksinave dhe së shpejti qytetarët do të vaksinohen.

“Bota sot”: Ditë më parë është bërë publike lista e përfituese nga Pakoja e Rimëkëmbjes, ku përfitues dolën kompanitë e pasura por jo edhe ato që kishin nevojë, a duhet ky skandal të hetohet nga Prokuroria?

Sulejman Mehazi:
Se Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike e ish-qeverisë së Hotit, ka qenë jo për qytetarët e Kosovës, po për multimilionerët e partisë së LDK-së u pa se përfitues ishin kompanitë e pasura të afërt me qeverinë e Hotit për t'u pasuruar edhe më shumë, që e ka kuptimin e një Pakoje të Rimëkëmbjes skandaloze dhe si e qysh kjo vjedhje galopante ekonomike duhet rikthyer qeverisë me anë të hetimeve të prokurorisë, kjo rimëkëmbje e ka kuptimin e pasurisë së individëve dhe e zhvatjes së Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat