AAK paralajmëron kundërshtarët politik, Nitaj: Aleanca lidere e pushtetit lokal

Intervista

AAK paralajmëron kundërshtarët politik, Nitaj: Aleanca lidere e pushtetit lokal

Arife Morina Nga Arife Morina Më 26 maj 2021 Në ora: 08:02
Muharrem Nitaj

Zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen në muajin tetor të këtij viti.

Shumica e partive politike në vend, kanë filluar organizimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve të tyre, në komunat përkatëse.

Mirëpo, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është një hap para, pasi ajo i ka marrë shumë seriozisht zgjedhjet lokale, ku edhe ka zyrtarizuar disa kandidatura, siç janë: Besnik Tahiri në Podujevë, Daut Haradinajt në Prishtinë, Arbër Tolajt në Pejë dhe Bekë Berisha në Istog.

Kurse, për detaje të parapërgatitjeve për zgjedhje lokale, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka folur nënkryetari dhe shefi i shtabit zgjedhor të AAK-së, Muharrem Nitaj.

Ai u shpreh optimist, duke thënë se AAK do të korrë suksese të mëdha në zgjedhjet lokale, duke fituar edhe dy komuna të tjera, përveç atyre që tashmë qeverisë.

“Aleanca sot për sot është lidere e pushtetit lokal. Udhëheqë me sukses disa komuna dhe them se kjo mund të jetë një bazë e fortë e një suksesi në zgjedhjet e ardhshme lokale. Gjakova, Suhareka, Rahoveci, Deçani, Klina, Juniku, kanë qenë shembuj fantastik të një qeverisjeje të suksesshme! Nuk besoj se kjo do të mbetet pa u shpërblyer nga votuesi”, deklaroi Nitaj.

Në vazhdim, nënkryetari i AAK-së foli edhe për punën e Qeverisë Kurti dhe gatishmërinë e partisë së tij, për të bashkëpunuar lidhur me dialogun me Serbinë.

Ndonëse, Nitaj nuk pret shumë zhvillime gjatë takimeve të qershorit, ai i bëri kërkesë Qeverisë Kurti t’i përfshijë urgjentisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës në negociata dhe

Intervista e plotë 

“Bota sot”: Si e komentoni në përgjithësi situatën politike në vend?  

Muharrem Nitaj: Vështirë e përshkrueshme! Nuk po ndodhë asgjë. Njerëzit po presin se si do të funksionoj qeveria e re. Në planin e brendshëm, njëjtë siç ka qenë edhe në qeverinë e shkuar. Situata politike në vendnumëro, njëjtë edhe gjendja ekonomike, në mos edhe më keq. Komunikimi i shumicës me opozitën i pavërejtshëm...

“Bota sot”: Kreu i Alencës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj pak ditë më parë ka njoftuar se tani është fokusuar në zgjedhjet lokale. Cilat janë pritshmëritë e juaja nga zgjedhjet lokale? 

Muharrem Nitaj: Situata është pak e çuditshme. Në zgjedhjet e përgjithshme jemi renditur të katërtit, por në nivelin lokal jemi të parët. Aleanca sot për sot është lidere e pushtetit lokal. Udhëheqë me sukses disa komuna dhe them se kjo mund të jetë një bazë e fortë e një suksesi në zgjedhjet e ardhshme lokale. Gjakova, Suhareka, Rahoveci, Deçani, Klina, Juniku, kanë qenë shembuj fantastik të një qeverisjeje të suksesshme! Nuk besoj se kjo do të mbetet pa u shpërblyer nga votuesi.  

Po ashtu ka edhe disa lëvizje shumë mira në disa komuna të tjera, të cilat mund të jenë befasi në zgjedhjet që vijnë!  

Minimalisht presim që ta përsërisim rezultatin e zgjedhjeve të shkuara lokale PLUS të synojmë fitore edhe në së paku dy komuna të tjera!

“Bota sot”: A mendoni se AAK do të arrijë të ketë ngritje elektorale duke u bazuar në disa kandidatura siç janë ajo e Daut Haradinajt, Besnik Tahirit, Bekë Berishës e Arbër Tolajt? 

Muharrem Nitaj: Këto kandidatura shpërfaqin përkushtimin që këtyre zgjedhjeve tu qasemi me seriozitet. Secili prej tyre është duke punuar fort që idetë e planet e tyre për komunat specifike, t’u prezantohen qytetarëve!  Ne jo vetëm shpresojmë, por edhe besojmë në suksesin e tyre.

“Bota sot”: Po ashtu, së fundmi AAK është përballur edhe me disa largime nga partia, si e komentoni këtë? A mund të ndikojë kjo në elektorat? Apo me prurjet e reja partija juaj do synoj të rritet edhe më shumë? 

Muharrem Nitaj: Unë nuk i shoh tragjike këtë lëvizje. Bile për mua janë krejtësisht normale. Askush nuk është i përjetshëm. Dikush largohet e dikush vjen. Ka pasur disa figura me një përvojë të gjatë në AAK, që në një moment të caktuar kanë kërkuar të lirohen nga aktiviteti në parti dhe natyrisht ne i kemi kuptuar. Bile i kemi përcjellë edhe me mirënjohje, sepse ata padyshim se kanë kontribuar në AAK.  

Por në të njëjtën kohë ka qenë shumëfish më i madh numri i atyre që kanë aderuar në AAK, por nuk kemi bërë propagandë për ardhjen e tyre.  

Aleanca është në një proces edhe reflektimi edhe mobilizimi! Po i analizojmë gabimet tona dhe po i bëjmë veprimet e duhura që Aleanca të ketë shtrirje më të madhe dhe të jetë parti e gjithë atyre që kanë vullnet, energji por edhe vizion dhe mund tu them se jemi në rrugë të mirë!

“Bota sot”: Qeveria Kurti është afër 100 ditëshit të saj, si e komentoni punën e saj deri më tani? 

Muharrem Nitaj: Ndoshta kanë kaluar pak ditë, por e kam të vështirë të gjejë elemente të forta të kësaj qeverie. Programi i Qeverisë, vështirë të cilësohet si i tillë; Situata me vaksinimin, e fundit edhe në rajon; Masat anti-covod krejtësisht të pakuptueshme; Masat e mbijetesës ekonomike, të papërfillshme, e kështu më radhë! Fillimi nuk duket i mirë!

“Bota sot”: Pasi kryetari Ramush Haradinaj ka pranuar ftesën e Kurtit për të bashkëpunuar për dialog, cilat tema do i kërkoni kryeministrit që të i trajtoj në dialog? 

Muharrem Nitaj: Ne edhe kur e kemi drejtuar vetë qeverinë, e kemi thënë se dialogu është në proces që u takon të gjithëve. Nëse ju kujtohet Kryeministri Haradinaj ka pasë provuar që ta krijojë një ekip uniteti mbipartiak për dialogun.  

Edhe sot e mbrojmë një parim të tillë. Kosova duhet ta synojë një konsensus të brendshëm për platformën dhe përmbajtjen e bisedimeve me Serbinë. Kjo nuk nënkupton se duhet t’i merret mandati për këtë temë Qeverisë e Kryeministrit! Ata e kanë këtë mandat edhe me Kushtetutë, por palët politike që përfaqësohen në Kuvend, duhet të jenë në dijeni për çdo detaj të këtij procesi! Ne nuk kërkojmë të përfshihemi në ekipin e dialogut, por insistojmë që të jemi të informuar e të konsultuar për çdo detaj të këtij procesi.  

Kjo një dhe e dyta, kërkojmë që në këtë proces të përfshihen dhe të kenë rol SHBA.

“Bota sot”: Çfarë prisni nga dialogu me Serbinë që do të rifillojë në qershor? A duhet Kosova të insistojë në njohje reciproke? 

Muharrem Nitaj: Kosova jo vetëm që duhet të insistojë, por ta bëjë të qartë se kjo çështje është e panegociueshme, sikurse edhe kufijtë e Kosovës së 2008.  

Personalisht nuk pres shumë nga takimet e qershorit apo edhe të tjerat që mund të vijnë. Ky proces mund të fillojë të prodhoi sukses vetëm kur pjesë e tij të jenë edhe Shtetet e Bashkuara!   

“Bota sot”: Si i shihni shkarkimet e ambasadorëve nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla? A mendoni se këto shkarkime janë bërë në mënyrë profesionale apo për qëllime politike? 

Muharrem Nitaj:  Për qëllime e për motive, mund ta pyesni Ministren Gërvalla apo Kryeministrin Kurti! Për mua këto shkarkime kanë qenë të pa analizuara dhe kanë dërguar një mesazh joserioziteti te shtetet prej nga janë tërhequr. Shteti ka vijimësi dhe e pakta nuk do të duhej të tërhiqeshin të gjithë përnjëherësh!  

“Bota sot”: Vendi jonë po përballet edhe me pandeminë Covid-19, si e vlerësoni menaxhimin e ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia? 

Muharrem Nitaj: Nuk pajtohem me masat që vazhdojnë të jenë në fuqi. Nuk pajtohem me orën policore, është krejtësisht e panevojshme. Nuk pajtohem as me mbylljen e gastronomisë, as të eventeve familjare. Bota përreth po vendosë t’i heqë kufizimet, e ne ende e kemi në fuqi orën policore... 

Në aspektin e trajtimit mjekësor të pacientëve, mendoj që kanë bërë aq sa ka qenë e mundur.  

Natyrisht vaksinimin e konsideroj dështim!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat