Ëndrra amerikane/Rrëfimi i gjilanases e cila shkoi për të studiuar dhe tani është pjesë e ushtrisë së Amerikës

Intervista

Ëndrra amerikane/Rrëfimi i gjilanases e cila shkoi për të studiuar dhe tani është pjesë e ushtrisë së Amerikës

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 28 qershor 2021 Në ora: 08:16
Argjenta Ramiqi-Brunst

Shkoi nga Kosova në Shtete e Bashkuara të Amerikës për të studiuar. Por, jeta e saj mori një kthesë të mbarë në SHBA. Argjenta Ramiqi - Brunst në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka rrëfyer për sfidat e ndryshme që u përball gjatë kohës që ishte e vetme në një kontinent tjetër, deri te momenti ku vendosi t`i bashkohet Ushtrisë Amerikane.

Për gjithë ata që jetojnë në Kosovë, shpeshherë ëndrrat janë të parealizueshme, por Argjenta e realizoi ëndrrën amerikane në moshë të re, përkundër që u rrit dhe u shkollua në Kosovë.

Historia e Argjentës do të jetë frymëzim për të gjitha vajzat e reja të Kosovës, të cilat kanë ëndrra të mëdha.

Image

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Argjenta, faleminderit që jeni pranuar që ta rrëfeni rrugëtimin tuaj për gazetën “Bota sot”. Na tregoni pak për mënyrën si keni shkruar në SHBA?

Argjenta Ramiqi- Brunst: Së pari dua të ju falënderoj për ftesën. Unë jam lindur dhe rritur në Gjilan, dhe pasi fillova studimet në Universitetin e Prishtinës, vendosa të aplikoj dhe të shkollohem në Amerikë. Aplikova si studente, fitova bursë në një kolegj në Kaliforni dhe vendosa të veproj dhe të vazhdoj të jetoj këtu. Nuk ka qenë e lehtë, pasi kërkohen shumë dokumente, teste dhe shumë para, dhe isha vetëm, pa asnjë njeri. Isha vetëm 19 vjeçare kur lashë Kosovën për herë të parë. Unë tani jam shtetase e Amerikës , kam mbaruar fakultetin dhe tani jam duke vazhduar prapë shkollën për degën e Psikologjisë.

“Bota sot”: Cilat kanë qenë sfidat që jeni përballur në SHBA, duke e ditur që ju jeni rritur dhe shkolluar në Kosovë?

Image

Argjenta Ramiqi- Brunst: Kam pasur shumë sfida. Gjithçka në Amerikë është ndryshe duke filluar nga edukimi, edukata, jetesa etj. Sfida e para ka qenë imigracioni, se si ta fitoj pasaportën amerikane, si ta gjej veten, si dhe mundësitë e punësimit. Në Amerikë ke shumë mundësi, mirëpo duhesh të jesh shumë e shkathët, të integrohesh shpejt dhe të punosh fort. Unë, fatmirësisht gjuhën angleze e kam mësuar në shkollën e mesme, në kurse dhe përmes librave dhe prandaj arrita që të fitoj bursë në “Kalifornia” , mirëpo të integrohesh në Amerikë vetëm gjuha nuk mjafton. Në Kosovë gjithçka është aftër, jeta është më pak dinamike, gjithçka funksionin ndryshe, me pak stresuese, kurse në Amerike nëse nuk merr rreziqe në jetë, nuk mund ta prekësh suksesin.

“Bota sot”: Sa ka qenë për ju të ambientoheni në shoqërinë amerikane?

Argjenta Ramiqi- Brunst: Unë jam një person që ambientohem shumë shpejt dhe jam shumë mendje hapur. Nuk mundesh të jetosh në Amerikë dhe të veprosh sikurse ke jetuar në Kosovë, pasi që duhet të përshtatesh rrethit ku jeton. Sapo i kam mësuar hapat, unë e kam përqafuar kulturën amerikane dhe mundohem që t`i marr vetëm gjërat me vlerë dhe të bukura nga kjo kulturë.

Image

“Bota sot”: Çfarë mundësi i jep SHBA-ja për gratë në krahasim me Kosovën?

Argjenta Ramiqi- Brunst: Unë mendoj që në Kosovë mundësitë janë të limituara në shumë aspekte. Së pari, është punësimi, mundësia zhvillimi dhe mundësia e mendimit të lirë, pa paragjykime dhe vendimmarrja. Thjesht të marrësh vendime, të bësh atë çfarë t'i do pa u bazuar çfarë mendojnë shoqëria apo familja. Tani pak disa gjëra kanë ndryshuar në Kosovë, mirëpo prapë duhen shumë punë dhe ndryshime.

“Bota sot”: Si erdhe deri tek ideja që t`i bashkoheni ushtrisë amerikane?

Argjenta Ramiqi- Brunst: Lufta në Kosovë. Unë kur kam qenë e vogël kam parë shumë ushtarë të NATO-s dhe të vendeve fqinjve dhe gëzohesha shumë kur i shihja në uniformë. Të jesh ne uniformë është privilegj sepse jo gjithkush mund ta ketë mundësinë të shërbejë. Thjesht dëshira ime që t`i shërbej popullit amerikan, më ka shtyrë që të jem pjesë e ushtrisë amerikane. Mami ime po ashtu është police dhe i shërben vendit (Kosovës) për një kohë të gjatë dhe ajo me ka motivuar që unë të zgjedhi uniformën.

“Bota sot”: Sa është e vështirë për një shqiptare të arrijë t`i bashkohet ushtrisë?

Argjenta Ramiqi- Brunst: Për shqiptarët që kanë lindur në Amerikë dhe janë rritur këtu, mundet me qenë më pak sfiduese, mirëpo pasi unë nuk kam lindur në Amerikë, unë e kam ndjekur një rrugë të gjatë, të mundimshme për të arritur këtu. Ushtria amerikane është ushtria më e fortë dhe më me ndikim në botë, ku kërkohet disiplina dhe nëse nuk je një person që i pëlqen sfidat, kjo fushë nuk preferohet. Mirëpo është proces i gjatë, ku sfidohesh jo vetëm në aspektin fizik po edhe mental. Unë gjithmonë kam besuar në veten time edhe kur të tjerët nuk kanë besuar në mua. Unë jam duke punuar fort që bëhem officere/togere në Army dhe shpresoj që do t’ia dal.

Image


“Bota sot”: A ka qenë ëndrra juaj që të bëheni ushtare?

Argjenta Ramiqi- Brunst: Po, kam pasur gjithmonë ëndërr të bart uniformën amerikane sepse për mua është privilegj dhe krenari. Unë nuk e harroj kurrë nga vij dhe jam falënderuese ndan popullit amerikan për kontributin që ka dhënë në Kosovë. Amerika ka qenë dhe do të jetë aleati më i mirë i Kosovës dhe pa popullin Amerikan ne nuk do të ishim këtu ku jemi sot. Unë gjithmonë e përmendi Kosovën kudo që shkoj, sidomos me ushtarët amerikanë dhe ata kanë një dashuri dhe respekt për vendin tonë.

“Bota sot”: Përveç, ushtrisë ju punon edhe në Universitetin e Qytetit të Seattle, si ja dilni duke ditur që ju jeni edhe një nënë?

Argjenta Ramiqi- Brunst: Të gjithë më pyesin, si ja del, si mundesh? Kjo pyetje më bëhet shpesh nga nënat dhe gratë sepse e gjejnë motivimin dhe frymëzimin nga unë. Unë kam punuar në universitete të ndryshime këtu edhe përpara se të futem në ushtri dhe kam fituar shumë çmime të ndryshme. Unë punoj për “City University of Seattle” dhe jam këshilltare për ushtarët amerikanë. Çelësi është duhesh të jesh një menaxhere e mirë, të menaxhosh kohën sepse koha është flori dhe të jesh nënë nuk të pengon aspak në realizmin e ëndrrave tua, përkundrazi të jep motivim që të vazhdosh përpara. Nëse dikush është duke e lexuar këtë intervistë, dua t`ju tregoj që gjithçka është e mundur kur beson në vete dhe kur lufton për ëndrrat e tuaja. Unë jam nënë, ushtare, merrem me brandin tim, dhe shumë shpejt do të jem edhe trajnere personale këtu ne Amerike. Është një thënie në anglisht që thotë: Opportunities don't happen. You create them (Që i bie mundësitë nuk ndodhin, ato i krijon ti vet)

“Bota sot”: Ju gjithashtu, kohëve të fundit keni lansuar edhe brendin tuaj të rrobave për fitnes, cili ka qenë frymëzimi juaj?

Argjenta Ramiqi- Brunst: Po është e vërtetë. Frymëzimi ime ka qenë vetvetja. Unë merrem me fitnes dhe ushtroj çdo ditë dhe gjithmonë kam dashur që të kem rrobat e mija për fitnes. Dua që të gjithë femrat/nënat të ndihen komod dhe bukur kur ushtrojnë. Brandi ime quhet “Zana” dhe do të shitet në Amazon. Kam punuar rreth një viti për këtë biznes, sepse kam dashur që të nxjerr diçka të veçantë për të gjitha gratë, moshat dhe më në fund u realizua. Për të gjithë ata njerëz që dëshirojnë të blejnë brandin ‘’Zana’’ , mund ta me gjejnë në faqen e Instagramit ‘’ZanaCollection3’’ dhe po ashtu në AMAZON.

“Bota sot”: Cilat janë planet tuaja për të ardhmen? A do të jetë pjesë e planeve tuaja edhe kthimi në Kosovë?

Argjenta Ramiqi- Brunst: Planet e mia gjithmonë ndryshojnë dhe tani për tani jam fokusuar në edukimin, në familjen time dhe brandin tim Zana. Për tani këtë verë, planifikoj që ta vizitoj shumë shpejt Kosovën dhe bregdetin shqiptar. Besoj që kur të realizoj planet e mija afatgjate, ndoshta do të kthehem në Kosovë dhe t`i ndihmoj gjeneratat e reja. Ne në Kosovë gjithmonë kemi nevojë për ndryshime, zhvillime dhe me shume kënaqësi do të kisha dëshirë të ndihmoj vendin tim.

“Bota sot”: A po e jetoni ëndrrën amerikane?

Argjenta Ramiqi- Brunst: Ëndrra Amerikane nuk vjen lehtë, por me shumë sakrifica shumë të mëdha dhe perceptimi se jeta në Amerikë është sikur në filma amerikan, është e gabuar dhe larg realitetit. Në Amerikë jeta ka shumë disiplinë, përkushtim, gjithçka kërkon orar të caktuar dhe punë të palodhshme, duhesh t’ia dalësh vet pa ndihmën e askujt dhe e ke një kohë të limituar. Derisa sot gjithçka që kam dashur të arrij në Amerikë, ja kam dalur, mirëpo ka shumë dëshira, plane që ende dua t`i realizoj. Amerika të bën person më të mençur, më të fortë, ambicioze dhe ka mundësi për të gjithë. Ju faleminderit për kohën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat