Ministri Krasniqi flet për sfidat dhe projektet, ky është niveli i bashkëpunimit me kryetarët e komunave

Intervista

Ministri Krasniqi flet për sfidat dhe projektet, ky është niveli i bashkëpunimit me kryetarët e komunave

Arife Morina Nga Arife Morina Më 30 qershor 2021 Në ora: 08:35
Elbert Krasniqi

Misioni i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal është të rritet autonomia lokale dhe të forcohet aftësia e Komunave, që nëpërmjet pjesëmarrjes aktive të qytetarëve dhe përfaqësimit demokratik, të ofrohen shërbime me kosto efektive për të rritur cilësinë e jetës, sigurinë dhe ekonominë lokale.

E lidhur me planet, projektet dhe sfidat e këtij dikasteri, në një intervistë për gazetën “Bota sot” ka folur ministri Elbert Krasniqi.

Ai gjatë intervistës foli edhe për gjendjen në të cilën kjo ministri ishte, me ardhjen e tij në krye të udhëheqjes.

“Për shkak se MAPL është udhëhequr që një kohë të gjatë nga Ministria të cilët nuk kanë pasur për qëllim të bashkëpunojnë me Komuna dhe të krijojnë projekt dhe programe të qëndrueshme për përmirësimin e jetës së qytetarëve, shumë problem funksionale mirëpo edhe teknike kanë qenë sfidë që në fillim”, u shpreh Krasniqi.

Tutje, ministri shpjegoi edhe ndikimin e pandemisë Covid-19 në implemetimin e disa projekteve dhe bashkëpunimin me kryetarët e komunave.

Krahas kësaj, ministri Krasniqi dha detaje mbi bashkëpunimin me kryeministrin Kurti dhe përgatitjen e raportit të 100 ditëshit qeverisës.

“Ne kemi bërë përgatitjet e nevojshme dhe dorëzimin e raportit 100 ditor tek qeveria, duke i përfshirë punët e përfunduara, projekt propozimet si dhe nismat ligjore të cilat janë të përfshira në planin e punës të MAPL-së”, u shpreh ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z.Krasniqi, si e komentoni situatën aktuale në komunat e vendit?

Elbert Krasniqi: Unë që prej marrjes së detyrës si Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, kam vizituar disa nga komunat e Republikës së Kosovës, me qëllim të informimit lidhur me sfidat të cilat janë përballur komunat gjatë këtyre viteve e në veçanti gjatë periudhës me pandeminë COVID-19.

“Bota sot”: Si e keni gjetur ministrinë të cilën e udhëhiqni?

Elbert Krasniqi: Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka mjaftueshëm staf profesionist, i cili është i përkushtuar për të realizuar detyrat në përputhje me planin e punës së Ministrisë, mirëpo për shkak se MAPL është udhëhequr që një kohë të gjatë nga Ministria të cilët nuk kanë pasur për qëllim të bashkëpunojnë me Komuna dhe të krijojnë projekt dhe programe të qëndrueshme për përmirësimin e jetës së qytetarëve, shumë problem funksionale mirëpo edhe teknike kanë qenë sfidë që në fillim.

“Bota sot”: Sa ka ndikuar pandemia Covid-19, në implementimin e planeve të ministrisë?

Elbert Krasniqi: Si në çdo sferë tjetër të jetës, pandemia ka ndikuar në realizimin normal të planeve të punës, mirëpo ne si kabinet pavarësisht sfidave kemi bërë përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e punëve dhe vazhdimin e proceseve të rregullta të punës.

“Bota sot”: Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha gjatë kësaj periudhe në kontrollimin dhe mbikëqyrjen e punës nëpër komuna?

Elbert Krasniqi: MAPL gjatë periudhës 100 ditore ka monitoruar 108 mbledhje kuvendet e komunave kanë mbajtur gjithsej, prej tyre 96 mbledhje të rregullta, 8 të jashtëzakonshme si dhe 4 solemne. Janë monitoruar 100% të mbledhjeve të kuvendeve komunale. Kuvendet e komunave kanë miratuar 374 akte, prej tyre 37 rregullore dhe 337 vendime. MAPL ka konfirmuar 145 akte të ligjshme dhe 11 akte janë kthyer në rishqyrtim. Në ministri të linjës janë dërguar 28 rregullore si dhe 102 vendime për vlerësim të ligjshmërisë, nga të cilat 23 akte të ligjshme janë vlerësuar, kurse për 10 akte është kërkuar që të rishqyrtohen.

“Bota sot”: Në çfarë niveli është bashkëpunimi juaj me kryetarët e komunave dhe sa janë të hapur ata për bashkëpunim me ministrinë?

Elbert Krasniqi: Deri më tani bashkëpunimi ynë me kryetarët e Komunave ka qenë i rregullt, korrekt dhe transparent, siç e ceka edhe më lart, ne jemi në koordinim të vazhdueshëm me Kryetarët e Komunave lidhur me sfidat të cilat përballen Komunat dhe qytetarët e Kosovës.

“Bota sot”: Që nga zgjedhja e juaj si ministër z.Krasniqi, cilat janë disa nga parregullsitë më të mëdha që jeni përballur deri më tani?

Elbert Krasniqi: Parregullsitë të cilat i kemi hasur deri tani kanë qenë neglizhimi i punëve nga qeveritë e kaluara. Me qellim vendosjen e ligjshmërisë në rastet kur komunitetet përbejnë 10% të qytetarëve në atë komunë, komunat duhet të emërojnë një nënkryetar të komunës për komunitete, ashtu siç është paraparë me nenin 61 të Ligjit 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale. Komuna e Graçanicës për afër katër vite nuk e ka respektuar një gjë të tillë dukë lënë komunitetin shqiptar që jeton në komunë pa përfaqësim në ekzekutiv të komunës. Me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë dhe promovimit të të drejtave të komunitetit jo shumicë në Komunën e Graçanicës, Ministri i MAPL-së z. Elbert Krasniqi ka kërkuar zyrtarisht nga kryetari i komunës që të fillojë procedurat për emërimin e nënkryetarit nga radhët e komunitetit shqiptar ose për ndryshe MAPL dhe Qeveria e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin veprime konform nenit 64 të Ligjit nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, ku parashihet suspendimi ose shkarkimi i kryetarit të komunës për mos zbatim të ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Pas një refuzimi katër vjeçar kryetari i Komunës së Graçanicës ka filluar menjëherë procedurat për emërimin e nënkryetarit.

“Bota sot”: Duke parë që 100 ditëshi i parë i Qeverisë Kurti është afër, si e vlerësoni bashkëpunimin deri më tani me kabinetin qeverisës?

Elbert Krasniqi: Bashkëpunimi dhe koordinimi në mes të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Qeverisë që nga fillimi e deri më tani ka qenë i shkëlqyeshëm për sa i përket përkrahjes së nismave ligjore të MAPL-së dhe fushave tjera koordinuese, duke pasur gjithmonë derën e hapur për të adresuar çështjet tona në qeverinë Kurti.

“Bota sot”: A keni filluar përgatitjet për raportin e 100 ditëshit, të cilin kryeministri Albin Kurti ua kërkojë të gjithë ministrave ditë më parë?

Elbert Krasniqi: Ne kemi bërë përgatitjet e nevojshme dhe dorëzimin e raportit 100 ditor tek qeveria, duke i përfshirë punët e përfunduara, projekt propozimet si dhe nismat ligjore të cilat janë të përfshira në planin e punës të MAPL-së.

“Bota sot”: Cilat janë objektivat dhe planet e juaja gjatë këtij mandati qeverisës?

Elbert Krasniqi: Me qëllim promovimin e transparencës, ruajtjes së parasë publike dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, vendimi i parë i ministrit ka qenë vendimi për të publikuar në baza javore të gjitha shpenzimet e kabinetit të MAPL-së. Gjithashtu të gjitha shpenzimet e MAPL-së nga tani e tutje bëhen publike në baza mujore. Bazuar në të dhënat e publikuara për shpenzimi të reprezentacionit kabineti i ministrit z. Elbert Krasniqi i përbërë nga 10 zyrtarë shpenzon rreth 320 euro në muaj në krahasim më kabinetin e mëparshëm ku vetëm për një ditë janë shpenzuar 455 euro në reprezentacion. Në kuadër të qeverisjes së hapur me nismën e MAPL, Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim që të fillohet me hartimin e Planit Kombëtar të Veprimit për qeverise të hapur në kuadër të Partneritetit për Qeverisje të Hapur – PQH. Në kuadër të kësaj MAPL si udhëheqëse e këtij procesi do të krijojë Komitetin Nacional Koordinues, i cili do të jetë komitetet gjithëpërfshirës i përbërë nga institucionet relevante publike, organizatat e shoqërisë civile si bashkëudhëheqëse, sektorin e biznesit, organizatat dhe institucionet tjera relevante vendore e ndërkombëtare.

Gjatë këtij mandati ne synojmë të ndërmarrim disa nisma ligjore si dhe aktivitete të tjera të cilat kanë të bëjnë me vetëqeverisjen lokale, duke përfshirë plotësim ndryshimin e ligjit për vetëqeverisje lokale, projektligjin për sistemin e menaxhimit të performancës komunale, hartimin e koncept dokumentit për ligjin për grantin e katërt qeveritar si dhe rritjen e transparencës, llogaridhënies, përmirësimin e shërbimeve, si dhe zhvillimi e platformës E-Komunat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat