Deputetja e AAK-së flet për nivelin e bashkëpunimit me Qeverinë Kurti, ja si e vlerëson rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi

Intervista

Deputetja e AAK-së flet për nivelin e bashkëpunimit me Qeverinë Kurti, ja si e vlerëson rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi

Arife Morina Nga Arife Morina Më 30 qershor 2021 Në ora: 21:10
Albana Bytyqi dhe Ramush Haradinaj

Situata politike në vend, po përballet me zhvillime të shumta, kohëve të fundit. Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, për të komentuar tema dhe çështjet me rëndësi të madhe, nga perspektiva e opozitës, ka folur deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi.

Sipas Bytyqit, politika ka marrë kahje të Lëvizjes Vetëvendosje, ku Qeveria Kurti po sillet me shumë komoditet duke marrë vendime e duke bërë shkarkime çdo ditë e më shumë. Ajo kërkoi nga qeveria që të merret me çështje më madhore, pasi ka tema që kanë shumë rëndësi për vendin.

Krahas kësaj, deputetja foli edhe për situatën e brendshme politike në AAK, në prag të zgjedhjeve lokale. Bytyqi beson që zgjedhjet lokale do të jenë një sfidë në vete, ku presin që në komunat që i kanë, të fitojnë edhe një mandate.

Ndërsa, largimet nga partia, ajo i sheh normale.

“Si të gjitha partitë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka prurje të reja dhe largime, në politikë një gjë e tillë është shumë normale”, u shpreh deputetja Bytyqi.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Si e komentoni në përgjithësi situatën politike në vend?

Albana Bytyqi: Situata politike në vend tashmë ka marrë kahje politike të atyre që janë në pushtet sa do që mundohen të hedhin hi syve të qytetarëve. Aktualisht, VV apo Qeveria sillet me shumë komoditet duke marrë vendime e duke bërë shkarkime çdo ditë e më shumë, ata po që i kanë numrat dhe kjo po ju jep të drejtë më shumë në këtë drejtim, mirëpo do të ishte më e rrugës të merren me çështje më madhore, kemi tema me shumë rëndësi për vendin që nuk do duhej t`i shmangnin.

“Bota sot”: Ju jeni pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, si po shkojnë punët brenda partisë?

Albana Bytyqi: Punët brenda partisë janë stabile, duke u përgatitur për zgjedhje lokale, ndërsa sa i përket deputetëve dhe Grupit Parlamentar po vazhdojmë të bëjmë rolin e opozitës, duke i përfaqësuar votuesit tanë dhe qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Bota sot”: Po ashtu, së fundmi partia juaj është përballur edhe me disa largime nga partia, si e komentoni këtë? A mund të ndikojë kjo në elektorat? Apo me prurjet e reja partija juaj do synoj të rritet edhe më shumë?

Albana Bytyqi: Si të gjitha partitë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka prurje të reja dhe largime, në politikë një gjë e tillë është shumë normale. Largime të tilla mund të ndikojnë pak në elektorat, por duke e ditur se brenda Aleancës kanë gjetur atë elektorat të tillët, kjo nuk ndikon shumë pastaj, sepse AAK qysh nga themelimi i saj ka një elektorat të besueshëm dhe shumë stabil. Ne nuk po ndalemi në teren duke punuar me njerëz të rijnë të cilët e shohin Aleancën si parti me një stabilitet dhe qëndrime të qarta për vendin dhe gjatë këtyre zgjedhjeve lokale do të kemi lista mjaft të mira dhe me figura të reja në çdo komunë të Republikës së Kosovës.

“Bota sot”: Si e komentoni punën e Qeverisë Kurti në 100 ditëshin e saj?

Albana Bytyqi: Deri më tani nuk shoh ndonjë gjë tjetër sa i përket Qeverisë Kurti përpos shkarkimeve dhe emërimeve në fokus të veçantë bordet, ata kanë nuhatur mirë politiken në vazhdim nuk nguten me gabime madhore dhe me ligjet e reja që i kanë pritje sepse janë zgjedhjet lokale fokusi i radhës.

“Bota sot”: Deri më tani, sa ka pasur gatishmëri Qeveria e Kosovës që të bashkëpunoj me opozitën dhe t’i dëgjojë kërkesat e saj?

Albana Bytyqi: Deri më tani nuk kemi pasur ndonjë bashkëpunim ata thjesht po vazhdojnë më komoditetin e tyre po ashtu kanë edhe numrat për në seanca e votime dhe nuk po ju duhemi. Kështu e ka z. Kurti dhe Qeveria e tij nuk bashkëpunon as në çështjet më të rëndësishme për qytetarët e Republikës së Kosovës, kjo praktikë e unit e ka shoqëruar gjithmonë atë e le më tash me fuqi të plotë absolute. Por, ne nuk do të heshtim asnjëherë do të bëjmë opozitë të zëshme dhe si na ka hije.

“Bota sot”: Pak ditë më parë, rifilloi edhe dialogu me Serbinë, si e komentoi paraqitjen e kryeministrit Kurti në këto negociata?

Albana Bytyqi: Rifillimi i dialogut është dashur të merret më me prioritet dhe të merren mendime nga të gjithë që mos të ndodh ndonjë veprim i ngutshëm në dëm për Republikën e Kosovës. Z. Kurti duhet të koncentrohet mirë lidhur me këtë temë dhe jo të na tregoj drama politike i foli, si foli, ja zgjati dorën ose jo pak kanë rëndësi këto gjëra, ulja në tavolinë përballë një shteti që ka kryer luftë dhe gjenocid mbi popullin tonë dhe ende nuk është dënuar për këtë gjë ka shumë rëndësi. Andaj ky duhet të jetë fokusi.

“Bota sot”: Çfarë prisni nga dialogu me Serbinë? A duhet Kosova të insistojë në njohje reciproke?

Albana Bytyqi: Kosova duhet të insistojë në njohje reciproke, nuk duhet hequr dorë asnjëherë, por duhet këmbëngulje e madhe në dëmshpërblimet e luftës, sepse ajo ka qenë luftë e njëanshme nga Serbia dhe se Kosova ka bërë luftë të mbrojtjes, andaj duhet zbardhur fati i të pa gjeturve, duhet kërkuar llogaria e dhunimeve, djegieve dhe mbi të gjitha zbardhja e kryerjes së gjenocidit serb mbi popullatën kosovare. Këto duhet të jenë prioritet për çdo ulje në tavolinë diskutimi me palën serbe.

“Bota sot”: Sipas jush, cilat janë temat që do duhej Qeveria e Kosovës të fokusohej në mënyrë të rritjes së mirëqenies, ekonomisë dhe mundësive për të rinjtë?

Albana Bytyqi: Rina dhe zhvillimi i vendit janë një, situata e krijuar në Kosovë edhe para pandemisë Covid- 19, ka qenë jo shumë e mirë dhe me perspektivë për rinin tonë e si zgjidhje ata po e shohin vetëm emigrimin në vende të ndryshme të botës. Zhvillimi ekonomik në vend ka shumë rëndësi për gjeneratat e reja, andaj duhet të fokusohemi në këtë drejtim, duhet të punohet më shumë në orientim në karrierë e pastaj dhe në punë. Pra, të mendojmë për ta qysh në fazën e hershme të mos krijojmë dispropercion në mes të ofertës dhe përgatitjes së rinisë duhet përcjellë trendi i tregut dhe të ju ndihmojmë në orientim të hershëm në karrierë.

Mirëqenia e qytetarëve është obligim i secilit për ne, andaj Qeveria duhet të përkrah bizneset ekzistuese tashmë në forma të veçanta edhe pas Covidit-19, në mënyrë të kapërcimit të këtij ngërçi e pastaj shëndetësia duhet të vazhdohet si prioritet dhe shtyllë kryesore për zhvillim në vend, pastaj arsimi dhe në këtë drejtim do të kemi një shtet me stabilitet ekonomik, shëndetësor dhe do të krijojmë një vend të merituar dhe të dëshiruar për qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Bota sot”: Çfarë prisni nga zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti?

Albana Bytyqi: Zgjedhjet lokale janë një sfidë në vete, ne presim që në komunat që i kemi të kemi edhe një mandat dhe nuk jemi ndalur asnjëherë në këtë drejtim, komunat në të cilat ka qeverisur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë model i qeverisjes lokale, si shembull edhe komuna nga e cila vij dhe unë Suhareka me qeverisjen e Aleancës dhe kryetarit z. Muharremaj ka pasur ndryshime të pashme dhe në të mirë të qytetarëve. Asnjëherë nuk jemi ndalur së punuari në këtë drejtim. Kështu që suksese të gjithëve dhe punë të palodhshme në këtë drejtim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat