Eksperti gjerman flet për dialogun, tregon si duhet të veprojnë SHBA dhe BE

Intervista

Eksperti gjerman flet për dialogun, tregon si duhet të veprojnë SHBA dhe BE

Më: 1 tetor 2021 Në ora: 11:37
Bodo Weber

Eksperti i njohur gjerman për Ballkanin, Bodo Weber në një intervistë për Kp deklaroi se pret ulje të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë pas marrëveshjes së Brukselit për targat që është arritur gjatë së enjtes. Weber thotë se presidenti serb Aleksandër Vuçiq e përdori masën e reciprocitetit për të rritur tensionet, si një mjet thelbësor i politikës së tij.

Për ekspertin Weber, fakti që nuk u arritur marrëveshje para 14 shtatorit për lëvizjen e që çoi në masën e reciprocitetit, dëshmon se dialogu i udhëhequr nga Bashkimi Evropian ka humbur fuqinë dhe besueshmërinë. Sipas tij, kjo nuk do të ndryshojë derisa BE-ja të rikthejë në mënyrë të besueshme politikën e saj të zgjerimit e kjo bëhet edhe me një angazhim serioz edhe nga SHBA. Weber nuk pret ndonjë përparim gjatë këtij viti në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës.

Në lidhje me epokën post-Merkel dhe politikat ndaj Ballkanit Perëndimor e sidomos dialogut, Weber thotë se udhëheqja gjermane duhet të ketë një angazhim serioz në lidhje me politikat e zgjerimit të BE-së, duke u ulur në një diskutim serioz me presidentin francez Macron

Intervista e plotë:

Kp: Z. Weber, në Bruksel u arrit një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për targat. A i ulë kjo marrëveshje tensionet mes Kosovës dhe Serbisë që u shfaqën në pjesën veriore?

B. Weber: Unë pres që kjo të ndodhë - duke gjykuar sipas marrëveshjes së publikuar nga Përfaqësuesi i BE-së Miroslav Lajçak, një kompromis është arritur, në përgjithësi një marrëveshje e përkohshme që paraqet një fitore të caktuar, të kufizuar për Qeverinë e Kosovës dhe politikën e reciprocitetit të saj, dhe nuk lë asnjë palë plotësisht të kënaqur - por kjo do të çojë në uljen e tensioneve.

Ndërsa diplomatët perëndimorë (BE dhe SHBA) bënin thirrje vazhdimisht për uljen e tensioneve, nga ana tjetër Rusia, si aleate e Serbisë, disi e nxiti situatën, madje duke shkaktuar një skandal, përmes ambasadorit të saj në Beograd, i cili vizitoi forcat ushtarake serbe, që tingëlloi si mbështetje për nxitjen e tensioneve. A do të ndikojë kjo në ndonjë mënyrë në marrëdhëniet e Serbisë me Perëndimin?

B. Weber: Epo, Serbia, presidenti Vuçiç e përdori incidentin për të rritur tensionet, një mjet thelbësor i politikës së tij, duke përfshirë lojën me kartën ruse, një element integral i politikës së tij të manovrimit midis Perëndimit dhe Lindjes. Për sa kohë që ne nuk shohim një rivendosje serioze të politikës së zgjerimit të BE-së, duke përfshirë bërjen përsëri të besueshme të perspektivës së anëtarësimit, dhe bazuar në këtë, një rivendosje të vërtetë serioze të negociatave BE-SHBA mbi një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse, ne nuk do të shohim një kthesë serioze në politikën perëndimore ndaj Serbisë që do të largonte hapësirën manovruese të Vuçiçit për lojëra të tilla.

Kjo situatë duket se dinamizon procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Çfarë prisni të ndodhë në të ardhmen?

B. Weber: Nuk shoh fare dinamikë në dialog. Fakti që nuk ishte e mundur që BE-ja (dhe SHBA) të bënte që Prishtina dhe Beogradi të binin dakord për një marrëveshje të re të përkohshme, mbi aranzhimin e përkohshëm të marrëveshjes së vitit 2016 për lirinë e lëvizjes, një marrëveshje mjaft margjinale, para 14 shtatorit, demonstron shkallën në të cilën procesi i dialogut i udhëhequr nga BE-ja ka humbur fuqinë dhe besueshmërinë. Dhe kjo nuk do të ndryshojë derisa BE-ja të rikthejë në mënyrë të besueshme politikën e saj të zgjerimit, dhe BE-ja e kryesuar nga Berlini, gjithashtu edhe SHBA-të të angazhohen në nivelin më të lartë për një rifillim real të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, duke filluar me përcaktimin e një kornize negociuese mbi parimet e besueshme.

Ndërsa dialogu ka marrë më shumë vrull, a prisni që tensionet të vazhdojnë, apo palët do të jenë më të përmbajtura?

B. Weber: Siç thashë, unë e shoh dialogun në një krizë strukturore, të përhershme. Kështu që unë nuk pres asnjë përparim të vërtetë gjatë vitit 2021, i cili është një vit i ndërmjetëm, ku administrata e presidentit Biden nuk është vendosur ende plotësisht, dhe me një ndryshim të qeverisë së Gjermanisë dhe largimin e Kancelares Merkel. Por gjithashtu nuk pres as tensione të tjera të mëdha.

Na tregoni ju lutem rolin që Gjermania do të ketë në këtë proces, në periudhën e ardhshme që është periudha post-Merkel?

B. Weber: Epoka e Kancelares Merkel po mbaron. Merkel luajti një rol të rëndësishëm drejtues në dialog dhe në politikën e BE-së për Ballkanin Perëndimor më gjerësisht, por fuqia dhe ndikimi i saj po zbehej për disa vjet tashmë, e minuar në përgjithësi nga refuzimi i zgjerimit nga presidenti francez Macron, dhe bllokimi i hapjes së bisedimeve të pranimit të Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë më konkretisht. Qeveria e re gjermane duhet të rinovojë urgjentisht udhëheqjen gjermane mbi zgjerimin e BE-së dhe mosmarrëveshjen Kosovë-Serbi, duke filluar me një angazhim serioz, me një diskutim serioz me presidentin Macron, vitin e ardhshëm pas zgjedhjeve presidenciale franceze. Sepse nëse Macron, në vitin 2022 nuk heq dorë nga rezistenca e tij, perspektiva e anëtarësimit, pra politika e zgjerimit të BE-së do të jetë përfundimisht e vdekur, dhe bashkë me të edhe dialogu. Me pasoja serioze dhe afatgjata mbi stabilitetin dhe sigurinë e rajonit dhe të Evropës në tërësi. Në këtë moment, unë shoh shpresë për një udhëheqje të përtërirë gjermane shumë më tepër me Partinë e Gjelbër që hyn në qeverinë e re, sesa me Kancelarin e ardhshëm, pavarësisht nëse ai do të vijë nga Partia fituese Socialdemokrate, SPD, apo partia CDU e Merkelit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat