Berisha i bindur në fitore në Obiliq, tregon arsyet pse ai duhet të jetë kryetar

Intervista

Berisha i bindur në fitore në Obiliq, tregon arsyet pse ai duhet të jetë kryetar

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 15 tetor 2021 Në ora: 14:32
Ajet Berisha

Kandidati për kryetar të Obiliqit nga Lëvizja për Bashkim, Ajet Berisha, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka folur për situatën aktuale politike në vend, programin e tij dhe pritjet nga zgjedhjet e 17 tetorit.

Sipas tij, Obiliqi në këto zgjedhje do të shkojë në balotazh, derisa ka theksuar se është kandidati më i besueshëm dhe më profesional për udhëheqjen e Obiliqit.

Madje, Berisha ka thënë se ka qenë iniciator i ligjit për Obiliqit, gjë që sipas tij, edhe kjo do të ndikojë në zgjedhjen e tij për kryetar të kësaj komune.

Berisha qeverisjen e tanishme të kësaj komune, e quan qeverisje të keqe, sepse sipas tij ka qenë qeverisje klienteliste, madje përveç kësaj, duke filluar nga keq menaxhim i financave publike, pastaj duke u ranguar e 27-ta në raportin e KDI-së, e deri tek shumë keqpërdorime të tjera që dëshmojnë për një qeverisje të keqe në këto dy mandate.

Më tej, ai ka treguar edhe për programin e tij qeverisës dhe disa nga projektet që do t’i ketë prioritet nëse e fiton këtë mandat.

Berisha përmendi disa nga këto projekte, kështu duke filluar nga zbatimi i plotë i ligjit për Obiliqin, ndërtimi i QKMF-së së re në Obiliq, përfundimin e infrastrukturës, e deri tek riorganizimi i transportit publik dhe transport urban.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Çfarë rezultatesh prisni nga këto zgjedhje?

Ajet Berisha: Konsideroj që ne jemi duke bërë fushatë të ndershme, duke premtuar qeverisje transparente, llogaridhënëse dhe duke ofruar programin qeverisës më konkret.

Garanci për rezultat të mirë në zgjedhjet e 17 tetorit është angazhimi dhe vizioni ynë nga e kaluara, mes tjerash duke qenë iniciues të ligjit për Obiliqin. Ne besojmë që Obiliqi do të shkojë në balotazh kurse ne jemi të parët.

“Bota sot”: A mendoni se jeni i duhuri për kryetar të komunës së Obiliqit?

Ajet Berisha: Unë konsideroj që jam kandidati më i besueshëm, më profesional, më kompetent dhe me programin më konkret për të udhëhequr me komunën e Obiliqit.

Po ashtu, së bashku me Lëvizjen për Bashkim, kam qenë iniciator i Ligjit për Obiliqin, ligj ky i cili e shpallë Obiliqin me rrethinë zonë të mbrojtur mjedisore, ku përfitimet nga ky ligj janë shumë dimensionale.

Me pak fjalë, e kaluara ime dëshmon se çdo herë kam qenë korrekt, konsistent dhe i pa lëkundur në qëndrimet e mia politike, i përkushtuar për të bërë punë të mira për qytetarët e vendit tim.

Prandaj jam i bindur që për qytetarët e Obiliqit jam zgjedhja më e mirë.

“Bota sot”: Si është qeverisur me në komunën tuaj deri tani?

Ajet Berisha: Puna e qeverisë së deritashme ka qenë e keqe! Kjo qeverisje ka qenë qeverisje klienteliste, kryekëput në shërbim të plotë të klaneve të caktuara, që për qytetarët e Obiliqit janë të njohura. Keq menaxhim i financave publike, për dy vitet e fundit komuna ka pasur suficit 4,007,262.51 € (gjithmonë duke u bazuar në raportet e Auditorit të përgjithshëm). Qeverisje jo transparente duke u ranguar e 27-ta në raportin e KDI-së. Ndarja e subvencioneve mbi baza të nepotizmit dhe përkatësisë partiake. Probleme të mëdha në arsim duke përgjysmuar normat e mësimdhënësve të cilët kanë qenë të punësuar kohë më par dhe kjo ka ndikuar në uljen motivit të këtyre mësimdhënësve për punë. Këto dhe shumë keqpërdorime të tjera dëshmojnë për një qeverisje të keqe në këto dy mandate.

“Bota sot”: Çfarë mendoni se ju bën të dalloni nga kandidatë e tjerë?

Ajet Berisha: Angazhimi im për çështjen kombëtare në rininë e hershme krahas studimeve në Universitetin e Prishtinës, në protesta studentore, pastaj duke u angazhuar në ilegalitet, e më pas në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe angazhimi në luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni. Po ashtu, së bashku me Lëvizjen për Bashkim, kam qenë iniciator i Ligjit për Obiliqin, ligj ky i cili e shpallë Obiliqin me rrethinë zonë të mbrojtur mjedisore, ku përfitimet nga ky ligj janë shumë dimensionale. Me pak fjalë, e kaluara ime dëshmon se çdo herë kam qenë korrekt, konsistent dhe i pa lëkundur në qëndrimet e mia politike, i përkushtuar për të bërë punë të mira për qytetarët e vendit tim, prandaj jam i bindur që për qytetarët e Obiliqit jam zgjedhja më e mirë.

“Bota sot”: Cili është programi juaj qeverisës?

Ajet Berisha: Programi im qeverisës përmban tri shtylla:

Parimet qeverisëse,

Investimet sektoriale dhe

Zotimi për zbatimin e plotë të ligjit për Obiliqin.

Në kuadër të këtyre tri shtyllave bazike të programit tonë qeverisës, kemi 104 zotime për t’i realizuar në mandatin 4 vjeçar. Zotimet e mia mund t’i gjeni në facebook, fan page: Ajet Berisha.

“Bota sot”: A mendoni të bëni koalicion me njërën nga partitë tjera?

Ajet Berisha: Aktualisht jemi duke punuar që rezultati në zgjedhjet e 17 tetorit të jetë sa më i mirë për ne. Varësisht prej rezultatit që do të marrim do të jetë përcaktues për veprimet tona të ardhshme. Dëshira jonë është që të fitojmë në raundin e parë mbi 50%, por për këtë mbetet të vendosin qytetarët.

“Bota sot”: Si e vlerësoni menaxhimin e Covid-19 në komunën e Obiliqit me kryetarin e tanishëm?

Ajet Berisha: Edhe pse furnizimi me material shëndetësor është përgjegjësi e M. Sh. për shkak të mungesave të theksuara gjatë kësaj periudhe, konsideroj se komuna ka treguar mungesë të përgjegjësisë për furnizim me materiale të domosdoshme. Këtë gjendje të rëndë për pacientët me Covid 19, komuna është dashur të ndërmerr masat e duhura për ta lehtësuar sadopak gjendjen e rënduar të pacientëve dhe familjeve të tyre. Më keq se kaq në këtë periudhë nuk ka funksionuar aparati i rëntgenit me muaj të tërë.

“Bota sot”: Nëse e fitoni këtë mandat, çfarë do të ndryshoni në sistemin shëndetësor?

Ajet Berisha: Fillimisht do të krijojmë kushte më të mira për pacientët dhe stafin mjekësor me ndërtimin e QKMF-së së re në Obiliq.

Do të ngrihet niveli i shërbimeve ekzistuese dhe do të shtohet numri i shërbimeve shëndetësore;

Do të rritet kapaciteti i njësisë së urgjencës në QKMF

Sigurimi i mamografit

Furnizim me material të listës esenciale në rast mungesës së tyre nga MSH

Barnatore në shërbim 24/7

Mbështetje financiare për të sëmurët me sëmundje malinje.

“Bota sot”: Cilat projekte i keni prioritet për t`i realizuar sapo ta merrni mandatin?

Ajet Berisha: 1)Zbatimi i plotë i ligjit për Obiliqin:

  1. Ngrohja qendrore përmes sistemit të co – gjenerimit;
  2. Kuotë më e ulët e çmimit të energjisë elektrike;
  3. Përparësi punësimi në KEK në kushte të barabarta;
  4. Zbatim të të gjitha masave që dalin nga ky ligj për mbrojtjen e mjedisit;
  5. Ndërtimi i infrastrukturës për stimulimin e aktiviteteve sportive dhe kulturore.
  1. Ndërtimi i QKMF-së së re në Obiliq;
  2. Ndërtimi i çerdhes në Milloshevë;
  3. Përfundimi i infrastrukturës bazë dhe modernizimi i saj;
  4. Riorganizimi i transportit publik dhe transport urban dhe urban periferik pa pagesë për të gjithë qytetarët.

“Bota sot”: Por, punën e Qeverisë Kurti si e komentoni deri më tani?

Ajet Berisha: Nuk kam pasur kohë të merrem me punën e qeverisë Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat