“Tregimi që ndikoi shumë në karrierrën time letrare”

Intervista

“Tregimi që ndikoi shumë në karrierrën time letrare”

Nga: Faton Mehmeti Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 09:43
Gazetari Faton Mehmeti dhe shkrimtari Sabit Rrustemi gjatë intervistës

“Bota sot”: Çfarë iu shtyu të bëheni shkrimtar?

Sabit Rrustemi: Duket pak e pabesueshme, e çuditshme do të thosha, po unë, ani se isha në klasën e pestë , dhe përmes librave të leximit atë kohë mësonim edhe emra shkrimtarësh, mendoja dhe atë seriozisht që shkrimtarët rrinë vetëm në libra të shkollës, aty flenë, aty hanë… dhe s’dalin prej tyre, hiç. Asqë kam ëndërruar atëkohë të bëhem shkrimtar, sepse, sipas mendjes sime, do t’mërzitej shumë nëna po dhe babai, po s’mbesnin pa mue.

Pak më vonë, nga klasa e gjashtë e tutje, mësova se kishte dhe shkrimtarë të gjallë, që bënin jetë edhe jashtë librave, që ecnin për toke,hanin bukë si tjerët… madje dhe mund të shiheshin, të prekeshin …të dëgjoheshin kur flisnin. Jo vetëm të lexoheshin . Dhe, nga momenti kur u anëtarësova në Bibliotekën e shkollës sonë në Zhegër ( shkollës fillore atë kohë – fillimi i viteve shtatëdhjeta të shekullit të shkuar, m’u shfaq dëshira për t’shkruar dhe unë, po,vetëm për të shkruar se, “ të bëheshe shkrimtar”, ish punë që s’bëhej, jo që s’doja, po më dukej diçka e paarritshme.

Tek në vitet e para të gjimnazit, kur zura t’i shoh , t’idëgjoj e madje dhe t’i prekë shkrimtarët, nisi të formësohej në mua ajo ëndrra apo thënë më drejt, synimi për t’u bërë shkrimtar. Po, sot e kësaj dite, ende nuk jam bindur në masën e duhur që i kam plotësuar kushtet për të qenë shkrimtar. Ato “kushte”, jo që i kisha të shkruara diku, pra, as i kisha parë e lexuar…. Vetëm i mendoja si kushte që vështirë mund të përmbushen. Në rend të parë, me shkrimin dhe botimin e librave. Pastaj, nuk e besoja se vetëm me vjersha mund të bëhesha shkrimtar. Duhej patur dhe disa romane e libra tjerë studimor… për t’i përmbushur disi “kushtet”, që përveç librave, i mendoja edhe do “kritere” tjera, sidomos nga aspekti njerëzor. Shkrimtari, thoshte kjo rradakja ime, para se gjithash e mbi të gjitha, duhet të jetë njeri i përkryer, pa asnjë të metë, shembull për gjithçka…

Më vonë, kur nisa studimet në Prishtinë , sado që isha edhe më afër atyre që shkruanin,që kishin dhe libra, që i quanim dhe njihnim për shkrimtar, nuk ma mirrte mendja se një ditë dhe unë mund të rreshtohem me ‘ta. Madje, nuk e di edhe sot, sado që dëshira ime ekziston, nuk është shuar ende, ama për t’u bërë taman shkrimtar, shkrimtar i mirëfilltë, sipas atyre “kushteve” që i kishte paramenduar ajo mosha ime e adoleshencës… po, zor. Gati si ajo thënia epike e Idriz Seferit: “Tanë jetën luftova me ba kët ven’ Shipni… po, zor te koka breee” … Edhe unë, nga klasa e gjashtë e këndej, shkruaj, nxiros letra e gris letra dhe prapë shkruaj, botoj edhe libra e,nukpo e di ende në u bëra apo jo, shkrimtar.

E, tash në kohë të sotit, disa që po “shkruajnë”, ende pa asnjë libër të botuar, i thonë vetit, “shkrimtar”… dhe ne, paradoksalisht vazhdojmë lutjet tona të mërzitshme, ”Zot, jep ku s’ka…” a, njëherë s’themi, “Zot, jep ku duhet” !

“Bota sot”: Ju dhe keni mbajtur burg për një tregim. A mund ta na flisnin diçka më shumë për këtë ?

Sabit Rrustemi: Po, edhe pse kam folur shumë për të, që nga momenti kur pushteti i asaj kohe u mobilizua tej mase për ta ruajtur “vëllazërim – bashkimin” mes popujve “jugosllav” që t’mos prishej shkaku i atij tregimi …. Po, edhe ky tregim,apo pse do t’flas sërish për të, nuk më bën shkrimtar, nëse nuk ka vlerë, meqë vlera letrare e veprës që shkruan, që boton apo dhe që e lë në dorëshkrim, e përcakton dhe statusin tënd, e jo numri i tyre dhe lloj-llojshmëria e gjinive letrare.

Ka qenë tregimi im i vetëm i pabotuar i përmbledhjes me tregimi,”Më fliste një zë”, të cilën unë e kisha dorëzuar për botim në redaksinë e revistës,”Zëri i rinisë”, ku ishte recensuar me mendimet më të mira, të shprehura edhe e me shkrim madje, nga Anton Pashku e Ali Aliu, Dhe, arsyeja pse nuk ishte botuar qëndronte në faktin se, në verën e vitit 1980 unë kisha konkurruar me të në një konkurs anonim letrar të së përditshmes “Flaka e vëllazërimit”, që dilte në Shkup. Rezultatet e atij konkursi nuk ishin shpallur ende dhe, tregimi mbeti në pritje për gati një vit …dhe nuk u shpallën asnjëherë, meqë nuk kishte pasur tregime të mjaftueshme për t’i marrë në konsideratë për vlerësime e çmime.

Atë kohë,afërsisht dy muaj para demonstrative të vitit 1981,Redaksia e revistës FJALA ma kërkoi një tregim për botim, nga libri që pritej të botohej së shpejti…dhe unë ia dërgova pikërisht ate, natyrisht pa më shkuar mendja fare se mund të ndodhte ajo që ndodhi.

përballjet e mia tetëvjeçare nëpër gjyqet e asaj kohe, zhgënjimi më i madh që kam përjetuar, nuk ka qenë presioni e maltretimi psikik nga ana e UDB-së, hetuesisë e gjykatave, as e burgut që padrejtësisht e mbaja, sa mosbesimi i gjithë asaj kaste pushtetarësh ndaj të vërtetës që e thosha në çdo rast, a në qelinë e burgut, a në zyrat e hetuesve, a në bankën e zezë të Gjykatës së Çarkut në Prishtinë, dhe prapë nuk më besonin. Ky mosbesim i asaj kohe e I asaj kaste njerëzish, ndaj fakteve të pamohueshme të cilat i paraqitnim bashkë me ish kryeredaktorin e revistës FJALA, Sabedin Halitin, edhe sot më lëndojnë. Ne u dënuam shkaku i një koincidence, të cilën më shumë e krijoi me veprimet e veta Kasta politike e kohës, e jo masa e shumicës që i kërkonte të drejtat që i mungonin. Po, i njëjti sistemi, me veprimet e pamatura ndaj nesh ( meje dhe Sabedin Halitit) mëtonte të shfajësojë, kinse po i shpartallonte celulat “armiqësore” edhe brenda rretheve intelektuale e në mediet e shkruara dhe audio vizuele. Në fakt, ai pushtet po kalbej e rrënohej para syve të popullit pikërisht nga masat që ndërrmerte karshi kërkesave të drejta dhe të vërtetave që thuheshin…

Por mua, si një krijues i ri i asaj kohe, më dëmtuan shumë, ma ndalën rritën krijuese, një karrierë letrare që prisja ta përuroja gjatë vitit 1981 me dy vepra letrare…e kjo, për një njëzetvjeçar të asaj kohe, nuk ishte pak.

Sot, nuk mund të mburrem me ato që i kam vuajtur nga strukturat e pabesa të atij sistemi … po me një situate të re që u krijua në Kosovë pas 12 qershorit 1999, po…. Ani se edhe me lirinë që e kemi, mbeti shumëçka për t’u dëshiruar.

“Bota sot”: Si e shihni letërsinë e pasluftës?

Sabit Rrustemi: Letërsia jonë e pasluftës, me një fjalë, është pasqyrë e gjithëmbarshme e gjendjes të cilën po e jetojmë në shtetin e ri të Kosovës, ku vetëm shteti ende është i ri, i brishtë dhe duke u mëkëmbur me hapin e breshkës. Të tjerat, si Kosova, letërsia … dhe gjendja , janë të vjetra, na përcjellin së paku nga antika e këndej. Nga njerëzit e secilës kohë që e kanë jetuar,duket të kenë qenë të njëjtat përpjekje, për të dalë tej rrethit, tej kësaj anarkie e, në kërkim të një rendi më të mirë të jetës e të vlerave,në secilën fushë, e, edhe të letërsisë.

Besoj jam i qartë…. Janë shkruar e po shkruhen edhe në këtë kohë libra të mirë, siç i cilësonte Rugova, një nga kritikët më të mirë të letërsisë sonë, dikur e sot, “libra interesantë” por që nuk po vërehen prej bollëkut të librave nën mesataren e asaj që na duhen, madje edhe libra që veç e nxirosën faqen tonë të bardhë… Mungon një vlerësim i mirëfilltë i vlerave,madje mungon ky vlerësim dhe fare nuk është në përputhje me respektimin e kritereve letrare, edhe kur paguhen nga institucionet tona të kulturës për të vlerësuar mirëfilli, sepse ende ekziston “miku im”, “shoku”, “daja”, “tezja”, “nusja e dajës”, “ish profi” … e ku ta di… dhe vlerat e mira i mbulon pluhuri e tallava letërsia hedh valle jo veç sallave, shesheve po më së shumti, medieve tona private e besa, edhe asaj publike…

Dhe kështu pastaj bëhemi hipokritë e ankohemi për mungesë leximi, derisa as vetë nuk lexojmë. A, në fakt, Kosova nuk është pa lexues.

Mbase qëlluam dhe të papërgatitur në këtë tranzicion, a s’di çka u bë, po zgjatet si shumë… e, kam frikë se lëre që s’po i shohim na si duhet vlerat tona, po as të tjerët s’po kanë rast t’i shohin… sepse, shihe çka u bë me përkthimet … thjeshtë si thonë, “lamë thiu”.

Dukem mbase pakëz i vrazhdë, po është krijuar një përshtypje e përgjithshme edhe sa i përket letërsisë, se këtu, shkruan kushdo që zgjohet n’krah t’majtë a të djathtë, boton ai që ka dhe, del n’media e portaleve, ai që jep. E, kështu as nuk mbahet e aq më pak zhvillohet letërsia.

Mendoj dhe besoj, ende kemi forca për ta tejkaluar këtë gjendje, me një ndërgjegjësim të përgjithshëm si kolektivitet, si popull me një fjalë, duke i ndërgjegjësuar dhe institucionet tona dhe veçanërisht strukturat tona udhëheqëse,po edhe duke i hequr maskat tona të tepërta e të padukshme fytyrave tona që, të zezës t’i thuhet, e zezë dhe, të bardhës, e bardhë, sepse këtu në këtë vend, në këtë ”sistem demokratik”, te vlerësimi i vlerave, nuk duhet të vlejë vota e shumicës, por përcaktimi dhe zbatimi i kritereve që përzgjedhin vlerat e mirëfillta, me një fjalë, që ndajnë shapin prej sheqerit.

Po e përsëris, që të mos keqkuptohem, edhe në periudhën e pasluftës, në Kosovë, po shkruhet letërsi e mirë, madje shumë e mirë, po ajo prej pluhurit të madh që po e krijojmë, nuk po shihet…

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat