Hofreiter: Fillimi i negociatave është i nevojshëm

Intervista

Hofreiter: Fillimi i negociatave është i nevojshëm

Më: 11 prill 2022 Në ora: 11:02
Anton Hofreiter

Në intervistën për DW, kryetari i Komiteti të BE-së në Bundestagun gjerman, Anton Hofreiter, shpjegon pse duhet të përshpejtohet procesi i zgjerimit. 

Deutsche Welle: Disa politikanë shqiptarë kanë qenë së fundmi tek ju për të kërkuar mbështetjen e Gjermanisë për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.Si mund t'i bindni skeptikët në BE që të heqin dorë nga qëndrimi i bllokues?

Anton Hofreiter: Është e rëndësishme që në këto kohë të vështira të sigurohemi që Bashkimi Evropian të bëhet më i fortë dhe më i qëndrueshëm dhe që e gjithë Evropa të bëhet më e fortë dhe më e qëndrueshme. Për këtë është e rëndësishme që perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të bëhet shumë, shumë e qartë. Kjo është arsyeja pse unë dua që ky proces më në fund të fillojë dhe të çelen negociatat. Kam shumë shpresë se kjo do të jetë e mundur pas zgjedhjeve në Francë dhe mendoj se është e domosdoshme. Kam përshtypjen se ka filluar të kuptohet edhe në BE se rajoni dhe Europa do të bëhen më të qëndrueshme dhe më të forta, nëse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

Vitin e kaluar, fillimi i bisedimeve për anëtarësim me këto vende dështoi jo më për shkak të Francës, porpër shkak të Bullgarisë. Të paktën ky ishte shpjegimi zyrtar. Së fundmi, kryeministri i Shqipërisë njoftoi se do të aplikonte për të ashtuquajturin "decoupling”, pra, shkëputjen nga Maqedonia e Veriut. A do te ishte e mundur kjo?

E mundur është, por pyetja është se sa kuptim ka. Kur Shqipëria u nda nga bisedimet me Malin e Zi në atë kohë, kjo nuk pati efekt të mirë. Në Bullgari tani kemi një qeveri të re dhe jam optimist se kjo qeveri do të arrijë ta heqë veton.

Cilat janë argumentet tuaja që flasin për një përshpejtim të procesit?

Së pari, disponimi i fortë pro-evropian që mbizotëron në këto vende flet në favor të tyre. Pastaj, është mirë për vetë vendet nëse vazhdojnë me reformat dhe përparojnë me integrimin në Bashkimin Evropian. Dhe së dyti, është në të mirë të Bashkimit Evropian, sidomos tani përballë sfidave për t'u zgjeruar dhe për të anëtarësuar vende të tjera, se vende si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë shumë për të ofruar: kanë njerëz interesantë, kanë një rajon me potencial tejet të madh, për shembull në sektorin e energjive të rinovueshme, dhe kësisoj është një situatë win-win për të gjitha palët.

Tani edhe Ukraina po kërkon të hyjë në BE. A ka gjasa që Ukraina, ose një vend tjetër më i rrezikuar nga lufta, të anëtarësohet në BE përpara vendeve të Ballkanit Perëndimor që kanë statusin e kandidatit?

Nuk mendoj se kjo është e gjasshme. Por në funksion të luftës shfarosëse në Ukrainë, na duhet të kujdesemi shumë edhe për Ukrainën dhe të mos harrojmë Moldavinë dhe Gjeorgjinë. Sfidat janë të mëdha. Por besoj se mund të zotërohen, nëse BE-ja qëndron e bashkuar, nëse BE-ja nuk mendon vetëm për anëtarët e BE-së, por edhe për shtetet evropiane dhe Shqipëria është padyshim një prej tyre./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat