Kina rrit kapacitetet për të shënjestruar ujgurët jashtë vendit

Intervista

Kina rrit kapacitetet për të shënjestruar ujgurët jashtë vendit

Më: 26 prill 2022 Në ora: 17:12
Një ujgur etnik duke protestuar në Turqi në kërkim të më shumë të drejtave për këtë komunitet. Fotografi nga arkivi

Kina është duke shënjestruar ujgurët dhe minoritete tjera myslimane përmes një rrjeti global që po zgjerohet me mbështetjen e qeverive në Lindje të Mesme dhe atyre në Azinë Qendrore dhe Jugore.

Duke përdorur frikësimin, ngacmimet, vëzhgimin, ndalimin dhe ekstradimet, fushata e Pekinit është duke u zgjeruar në gjithë botën dhe është e dokumentuar në një raport të ri për Kinën, të përpiluar nga Instituti Kissinger i Qendrës Wilson.

Hulumtimi i ri tregon sesi rritja globale e Kinës – kryesisht për shkak të ndikimit të saj ekonomik, përmes projekteve siç është Iniciativa, Brezi dhe Rruga – i ka mundësuar Pekinit të ketë ndikim te qeveritë e huaja.

Studimi ka dokumentuar 5,532 raste të ujgurëve që janë përballur me kërcënime, 1,150 raste të ujgurëve të ndaluar në një shtet nikoqir dhe 424 raste të ujgurëve që janë dëbuar apo ekstraduar në Kinë në periudhën 1997-2022.

Siç është përmendur edhe në studim, nga 10 shtete ku ujgurët - ashtu sikurse kazakët, kirgizët dhe grupe tjera - janë tejet të cenueshëm ndaj ndalimeve apo ekstradimeve, Kina financon më së shumti pesë prej tyre: Pakistanin, Kirgizinë, Taxhikistanin, Kamboxhian dhe Mianmarin.

Pekini ka nisur një fushatë brutale, përmes së cilës më shumë se 1 milion ujgurë, kazakë dhe minoritete tjera myslimane janë dërguar në kampe ndalimi dhe burgje në provincën Ksinjiang me arsyetimin se janë duke luftuar ekstremizmin islamik.

Mirëpo, këto përpjekje kanë rritur dyshimet për punë të detyrueshme, internime masive, kontrollim të detyrueshëm të lindjeve, zhdukje të kulturës ujgure dhe identitetit fetar, ashtu sikurse akuza për gjenocid.

Për të kuptuar më shumë, Radio Evropa e Lirë ka biseduar me Bradley Jardine, hulumtues në Qendrën Wilson dhe autor i studimit të publikuar më 25 prill.

Si është përhapur fushata e Kinës kundër ujgurëve përgjatë viteve dhe cilat janë mjetet kryesore që përdor Pekini?

Bradley Jardine: Fushata e Kinës kundër ujgurëve ka qenë duke u zhvilluar tash e një kohë. Kam analizuar të dhëna nga viti 1997, kur kemi parë dëbimet e para nga Pakistani. Ky veprim ka qenë si përgjigje ndaj incidenteve në qytezën Barin në jug të Ksinjiangut dhe atëherë Kina ka nisur të rrisë vëmendjen ndaj diasporës ujgure. Prej asaj periudhe, gjërat janë përshkallëzuar në mënyrë dramatike.

Bradley Jardine: Kjo gjë nxitet nga dy gjëra kryesore. Lufta e Shteteve të Bashkuara kundër terrorizimit (2001) i ka mundësuar Kinës që të krijojë mjete të reja retorike për të ndërtuar aleanca dhe koalicione për ndjekjen e disidentëve ujgurë dhe diasporës; më pas më 2017 me programin e burgosjeve masive në Ksinjiang, kur Kina ka nisur vërtet të rrisë vëzhgimin në provincë. Kjo më pas ka ndikuar që shërbimet kineze të sigurisë të rrisin fokusin në ndjekje të ujgurëve. Unë kam analizuar 1,500 ujgurë, që ose janë ndalur brenda shteteve siç është Arabia Saudite apo Egjipti, ose janë dërguar në vende si Taxhikistani. Nëse marrim parasysh sulmet kibernetike, apo kërcënimet kundër anëtarëve të familjes, numri do të shkonte në mbi 7,000 incidente. Të dhënat e mia dalin prej rasteve të raportuara në media. Shumica e ujgurëve të shënjestruar përmenden me emra, ose kanë qenë pjesë e raportimeve për të cilat janë kryer hulumtime. Pra, shifra 7,000 është baza dhe vetëm një copë ajsbergu e realitetit.

Image
Bradley Jardine

Bradley Jardine: Turqia vazhdon të jetë destinacioni më i madh, ndonëse ekziston edhe një eksod i vogël, kryesisht i figurave të mirënjohura, sikurse aktivisti kazak, Serikzhan Bilash, i cili është zhvendosur në Shtetet e Bashkuara. Pra, nuk ka hapësirë të veçantë për ta momentalisht, përveç nëse ka më shumë vullnet politik në Perëndim për të rritur kuotat e refugjatëve. Atje do të ishin më të sigurt.

Raporti juaj fokusohet në institucionet dhe kornizat ligjore që i ndihmojnë Kinës të zbatojë këtë shtypje jashtë shtetit. Nëse e analizojmë Euroazinë, Organizata e Shangait për Bashkëpunim ka luajtur rol të madh. Çfarë mjete ka në dispozicion Pekini përmes këtij blloku?

Bradley Jardine: Azia Qendrore është rast shumë unik, sepse ka qenë një prej rajoneve që ka zhvilluar bashkëpunim të hershëm me Kinën, në aspektin e shtypjes dhe vëzhgimit të diaporës ujgure. Kina i ka kushtuar vëmendje të veçantë diasporës në këtë rajon dhe e ka parë atë si potencialisht destabilizuese në periudhën post-sovjetike. Prandaj, Kina ka krijuar një numër mjetesh në Azinë Qendrore, të cilat nuk janë parë diku tjetër. Një prej tyre është Organizata e Shangait për Bashkëpunim, përmes kornizës ligjore të së cilës Kina koordinohet me homologët e saj në Azinë Qendrore dhe Rusinë.

Fillimisht, kjo organizatë është thënë se merret me çështje të caktimit të kufijve, pas daljes nga Bashkimi Sovjetik dhe më vonë ka nisur të merret me “tre djajtë” duke përmendur terrorizmin, separatizmin dhe ekstremizmin. Përmes kësaj retorike, Kina ka arritur të miratojë retorikë kundër ekstremizmit në Azinë Qendrore – ku regjimet sekulare veçse i kanë shpallur disidentët si ekstremistë fetarë – dhe e kanë zbatuar të njëjtën gjë edhe te popullsia ujgure, brenda apo jashtë shtetit

Brenda Organizatës së Shangait për Bashkëpunim ekzistojnë një mori traktatesh që mundësojnë ekstradim reciprok pa bërë pyetje mes vendeve anëtare. Ka korniza ligjore për bashkëpunim kundër-terrorizmit, sikurse shpërndarja e inteligjencës për secilin që konsiderohet terrorist, ndonëse në shumicën e rasteve kjo gjë ndodh pa u bazuar në shumë fakte. Ky lloj i bashkëpunimit po zgjerohet, andaj e ka bërë rajonin shumë të rrezikshëm dhe armiqësor për ujgurët. Një pjesë e madhe e diasporës ka ikur dikur në ato që janë parë si vende më të sigurta: Afganistan, Pakistan dhe Turqi. Mirëpo, Azia Qendrore tani konsiderohet rajoni më i rrezikshëm për aktivistët ujgurë për shkak të këtyre traktateve për ekstradim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat