Kurti për Vuçiqin: Nuk distancohet nga Millosheviqi e as nga Putini

Intervista

Kurti për Vuçiqin: Nuk distancohet nga Millosheviqi e as nga Putini

Më: 5 maj 2022 Në ora: 05:42
Foto ilustrim

Darka joformale ka zgjatur rreth një orë e gjysmë e pas saj, kryeministri Kurti,  tha se nga ana e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk ka edhe më tej distancim nga politika e Sllobodan Millosheviqit dhe as nga politika e presidentit rus, Vladimir Putin.

Pas darkës jozyrtare të shtruar në Berlin, ku i pranishëm ishte kryeministri Albin Kurti, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq si dhe i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kreu i ekzekutivit kosovar dha edhe një deklaratë RTK-në.

Kurti paralajmëroi se takimi i radhës nuk do të jetë në nivel të liderëve, por do të jetë në nivel të kryenegociatorëve.

Kryeministri kosovar rikonfirmoi se  takimi i radhës në këtë nivel do të jetë me 13 maj.

Më poshtë, sjellim të plotë deklarimin e kryeministrit Kurti dhënë RTK-së në Berlin, pas darkës joformale.

Pyetje: Kryeministër, si kaloi takimi i sontëm?

Kurti: Në pallatin Borsig në periferi të Berlinit ishte takimi i tretë me lehtësimin  apo ndërmjetësimin e  Lajçak, takim  që ishte në përgatitje për takimin javës së ardhme kur me 13 maj, kryenegociatorët tanë takohen në Bruksel. Qëndrimet e presidentit të fqinjit tonë verior janë të vjetra dhe insistimi im është natyrisht për një marrëveshje që natyrisht është e obligueshme, normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona, duke pasur në qendër njohjen reciproke. Mirëpo në këtë aspekt, nuk mund të them se ka përparim. Pra, nuk ka distancim nga Millosheviqi, nuk ka distancim nga Putini, dhe përveç që ka qëndrime të vjetra, ka edhe sjellje të çrregullta do të thosha.

Pyetje: Pra po presim një takim të ardhshëm, njëjtë në nivel  kryenegociatorësh, mirëpo jo në nivel liderësh kur flasim për Brukselin?

Kurti:  Takimi i radhës nuk do të jetë në nivel të liderëve, do të jetë në nivel të kryenegociatorëve, pra zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, me 13 maj do ta takojë homologun e tij në Bruksel dhe do të vazhdojnë diskutimet dhe shqyrtimet, por është e qartë se Kosova është në të drejtën e saj dhe tashmë edhe faktorët ndërkombëtarë e kanë të qartë se është Serbia ajo e cila duhet të ndryshojë, në mënyrë qe të kemi zgjidhje e marrëveshje.

Pyetje: Pra, kryeministër është e njëjta frymë sikurse në takimin  parë dhe të dytë?

Kurti:  Po e ritheksoj se  qëndrimet janë të vjetra dhe kjo është arsyeja se pse nuk mund të kemi një marrëveshja të re çfarë i nevojitet jo vetëm raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe Ballkanit në përgjithësi e do te thosha edhe Bashkimit Evropian.

Pyetje: Pra nuk mund të presim një takim liderësh së shpejti në Bruksel?

Kurti: Mund të ketë takim, varësisht se si shkon takimi i kryenegociatorëve me 13 maj.

Deklarata e Kurtit vjen pasi ai gjatë ditës takoi kancelarin gjerman, Olaf Scholz me të cilin mbajti edhe një konferencë për media.

Në këtë konferencë edhe një herë ai u rikonfirmuan marrëdhëniet e ngushta mes Kosovës e Gjermanisë.

Gjatë ditës, Kurti pati takime dhe me ministren e Punëve të Jashtme të Gjermanisë./RTK

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat