Makolli: Veriu i Kosovës është bërë pika më neuralgjike e Evropës

Intervista

Makolli: Veriu i Kosovës është bërë pika më neuralgjike e Evropës

Hava Orana Nga Hava Orana Më 19 nëntor 2022 Në ora: 07:58
Veriu i Kosovës

Sekretari i AKR-së, Vesel Makolli në një intervistë dhënë për ‘Bota sot’ ka komentuar qeverisjen aktuale në vend të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti. Ai ka treguar edhe formën e qeverisjes që do të bënte Behxhet Pacolli po t’i jepej mundësia. Veseli ka komentuar vendimet për targat e fundin e dialogut me Serbinë.

Po ashtu ka përmendur edhe ‘krisjen’ mes dy shteteve shqiptare, Kosovës dhe Serbisë. Makolli është përgjigjur edhe në pyetjen nëse e sheh rikthimin e Behgjet Pacollit në pozita udhëheqëse.

Image
Vesel Makolli

 

“Bota sot”: Si e vlerësoni qeverisjen aktuale në Kosovë?

Vesel Makolli: Kosova është në një gjendje të rënduar ekonomike dhe politike. Nga ardhja në pushtet e kësaj qeverie, kemi rënie ekonomike, stagnim dhe mos realizim të investimeve kapitale të filluara nga qeverisjet paraprake si dhe realizim shumë të ulët të investimeve madhore nga të gjithë dikasteret e qeverisë aktuale. Mosrealizimi i investimeve kapitale nga kjo qeveri, ka krijuar mungesë të qindra miliona eurove në qarkullim, duke ndikuar negativisht në gjithë ekonominë e vendit. Rritja enorme e çmimeve të produkteve bazike ushqimore e të shërbimeve, e ka vështirësuar tejmase jetën e pjesës dërrmuese të popullatës. Situata gjeopolitike në Europë dhe jo vetëm, pas luftës në Ukrainë, ka ndikuar që faktori ndërkombëtar të merret shumë seriozisht me problemet në Ballkanin Perëndimor, e në veçanti me dialogun e tejzgjatur Kosovë-Serbi. Aktivitetet e fundit të fuqive evropiane dhe SHBA-ve dhe synimi i tyre për arritjen e shpejtë të një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do të zgjidhte definitivisht problemin shekullor me fqinjin tonë Serbinë, është një shans të cilin vendi jonë, gjegjësisht Qeveria, nuk duhet ta neglizhoj apo ta bishtnoj me disa gjëra teknike, por duhet që të koordinohet në plotëni me nunin e pavarësisë SHBA-në dhe të nxjerrë me të mirën e mundshme për vendin. Premtimet marramendëse të kësaj qeverie, dhe këto që i ceka më lartë, e kanë rënduar tejmase gjendjen e përgjithshme në vend, duke krijuar një lloj demoralizimi të të rinjtë dhe ndjesi pasigurie dhe joprosperiteti për kushte të jetesës pandan me rininë evropiane!

“Bota sot”: Po përmendet se ka ardhur fundi i dialogut Kosovë-Serbi. Sipas jush a është afër fundi i këtij dialogu dhe cili mund të jetë përfundimi i tij?

Makolli: Mosarritja e një marrëveshjeje me fqinjin tonë verior, ka ndikuar shumë në rrafshin ndërkombëtar për synimet e shtetit tonë. Mosnjohja nga 5 vendet e BE-së dhe mos anëtarësimi në organizatat relevante botërore përfshirë OKB-në, ka reflektuar negativisht në të gjitha lëmitë e shtetësisë dhe zhvillimit të gjithmbarshëm ekonomiko-politik të Kosovës. Serbia, qysh nga "Naçertanija" e Garashaninit e vitit 1844, ka thurur plane për zaptimin e tokave shqiptare dhe për ndryshimin e strukturës nacionale të vendeve të pushtuara, për ta vu para aktit të kryer faktorin ndërkombëtar për pranimin e Serbisë së madhe. Ky plan është tentuar të realizohet gjatë luftës së fundit me dëbimin e një milion kosovarëve. Falë NATO-së dhe SHBA-së, të cilët intervenuan me forcë ushtarake, u evitua një gjenocid i përmasave të papara në mes të djepit të kulturës botërore - Evropës dhe ju mundësua kosovarëve kthimi në shtëpi dhe krijimi i shtetit të pavarur. Serbia ende e ka synim ëndrrën e Garashaninit, dhe çdo iniciative apo plan për zgjidhjen e kësaj nyje gordiane e prolongon me qëllim, për të pritur kohë më të mira, kur do të ndryshonte konstelacioni i forcave botërore në favor të saj. Në këtë kontekst Kosova duhet të jetë ajo që në bashkëpunim me nunin e pavarësisë SHBA-të dhe aleatët, të angazhohet për arritjen sa më parë të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, e cila do t'ia hapte perspektivën e zhvillimit politik e ekonomik, si në rrafshin ndërkombëtar ashtu edhe vendor. Situata e krijuar gjeopolitike dhe frika nga ndikimi rus në Ballkan nëpërmes Serbisë, ka ndikuar në angazhimin e faktorit ndërkombëtar për zgjedhjen e problemit shekullor shqiptaro - serb dhe për arritjen e paqes në këtë regjion. Dy shtetet tona duhet të jenë unike dhe të punojnë e mos të jenë pengesë për synimin e SHBA-ve për arritjen e paqes në Ballkanin e trazuar, i cili shpesh është quajt bure baroti.

“Bota sot”: Si e vlerësoni vendimin e Qeverisë Kurti lidhur me targat?

Makolli: Është e drejtë legjitime e qeverisë sonë që t'i ndërmarrë të gjitha veprimet për targat dhe që ta ketë legjitimitetin në tërë territorin e vendit, por situata momentale vendore dhe ndërkombëtare, kërkon syçeltësi, diplomaci dhe koordinim maksimal me aleatët. Qeveria e Kosovës, si dhe i gjithë spektri politik shqiptar në përgjithësi, primare duhet ta kenë arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë, e cila do të ketë në brendinë e saj njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizata tjera relevante botërore. Serbia nuk është e interesuar që të arrihet pajtimi me Kosovën në këto rrethana kur konstelacioni i forcave ndërkombëtare është në anën e Kosovës, andaj çdo prolongim i çështjes shkon në favor të saj. Diplomacia jonë duhet të jetë vigjilente dhe në plotëni në koordinim me nunin e pavarësisë SHBA-të, se përndryshe çdo gabim yni në këto momente kyçe, sjell dëme të pariparueshme në të ardhmen për shtetin tonë. Problemi i targave më shumë është teknik dhe si i tillë, rregullohet me automatizëm me marrëveshjen gjithëpërfshirëse. Do të ishte një gabim fatal, nëse ne duke e trajtuar problemin e targave, krijojmë pa dashje hapësirë për ta prolonguar arritjen e marrëveshjes dhe i pengojmë SHBA-të dhe aleatët në synimet e tyre për ta bindur Serbinë për pranimin e planit të fuqive të mëdha. Projekti i marrëveshjes gjithëpërfshirëse duhet ta lë nën hije problemin e targave, e jo e kundërta.

“Bota sot”: Së fundi është vërejtur një ‘krisje raportesh’ në mes dy qeverive shqiptare, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas jush, kush është fajtori për këtë krisje?

Makolli: Raportet jo të mira mes liderëve dhe kastave të tyre politike shqiptare kanë "traditë historike", të dhimbshme, por shumë e vërtetë. "Krisje raportesh" ka pas në historinë më të re gjatë krijimit të shtetit shqiptar. Krijuesit e shtetit, problem më të madh kanë pas me kundërshtarët politik, se sa me fqinjët armiq. Ndaj krijuesit të shtetit të parë modern shqiptar, janë bërë 55 atentate, nga kundërshtarët e tij politik dhe nga shtetet armike fqinje. Historia e jonë njeh patriot dhe tradhtar, mes nuk ka. Historianët tonë në vend që me u marrë me këtë fenomen dhe ta shtjellojnë pse ato 'krisje raportesh" kanë ndodhur gjatë historisë dhe që na kanë kushtuar shumë shtrenjtë, përkundrazi ata e shkruajnë historinë me diktate ideologjike-enveriste, me ç'rast madhërohen pa meritë shumë cuba, kurse anatemohen krijuesit e shtetit të parë modern shqiptar. Fatkeqësisht kjo po na përsëritet edhe sot. Deklarimet e para të dy kryeministrave tanë shqiptar, Edi Rama dhe Albin Kurti, rreth planit franko-gjerman të përkrahur nga SHBA-të për marrëveshjen gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, kishin shumë dallime, nuk ishin të koordinuar, çka realisht do të duhej të ndodhte. Menjëherë në opinion si rëndom u lansuan dy ekstreme, tradhtar dhe patriot. Ky jounifikim ndërshqiptar kur kemi të bëjmë me çështje jetike për kombin tonë, na ka sjellur shumë dëme, andaj duhet si dukuri të eliminohet sa më shpejt, përmes një diskursi publik dhe akademik.

“Bota sot”: Cili është vlerësimi juaj për ‘Ballkanin e Hapur”?

Makolli: Jetojmë në kohën e globalizmit ku rëndësia e kufijve është nominale për të mirën e zhvillimit të gjithmbarshëm socio-ekonomik të shteteve dhe të qytetarëve të tyre. Parimisht çdo iniciativë që ka për qëllim integrimin rajonal apo edhe më gjerë me qëllim të sjelljes së dobive për shtetet, duhet të jetë e pranueshme. Në këtë kontekst, edhe iniciativa e Ballkanit të hapur, e cila deklarativisht është përkrahur dhe nga SHBA-të, me kusht që Kosova të trajtohet si shtet i barabartë me shtetet e tjera, nuk është dashur që apriori të kundërshtohet. Çdo herë dhe për çdo iniciativë të tillë dhe jo vetëm që ka të bëjë me lehtësimin e qarkullimit të njerëzve dhe mallrave, duhet që të analizohet mirë dhe në koordinim me miqtë tanë ndërkombëtar duhet të përkrahet, kuptohet nëse është në të mirën e përgjithshme.

“Bota sot”: Aktualisht po përmendet mundësia e trazirave në veri të vendit. A mendoni se ka kanosje të sigurisë në veri?

Makolli: Ballkani si territor gjeopolitik historikisht ka qenë vatër e krizave, të cilat kanë ndikuar në sigurinë e përgjithshme evropiane dhe botërore. Fitili i ndezjes së Luftës së Parë Botërore ka nisur në Ballkan dhe me të drejtë Ballkani ka marrë epitetin "fuçi e barutit". Në Ballkan gërshetohen interesat e Rusisë dhe të Perëndimit. Kosova gjegjësisht veriu i Kosovës është pika më neuralgjike e Evropës ku Rusia tenton që nëpërmes aleatit të saj historik Serbisë, të krijoj trazira me qëllim që të bartë interesin e perëndimit nga Ukraina në Ballkan. Në situatën momentale, ne duhet të jemi tejet vigjilent dhe mos të krijojmë hapësirë për trazira që do të orkestroheshin nga Beogradi dhe Moska. Trazirat eventuale do të kishin jehonë të madhe ndërkombëtare si dhe do të prolongonin planin e aleatëve perëndimor për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë dhe do t'i krijonin mundësi Serbisë për veprimet e saj destabilizuese. Në të kundërtën Kosova me trazira eventuale do të humbte shumë, sidomos në rrafshin ndërkombëtar. Përpjekjet e miqve tanë ndërkombëtar për tejkalimin e menjëhershëm të problemit të targave, janë në kontekst të evitimit të trazirave eventuale në veri dhe si e tillë kërkesa e ndërkombëtarëve, e në veçanti e SHBA-ve duhet të përkrahet. Fat i madhi i joni është që për sigurinë e shtetit tonë në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, përgjegjës është KFOR-i. Ne duhet të jemi permanent në koordinim me SHBA-të dhe aleatët, në mënyrë që çdo veprim i yni të jetë pandanë me synimet e faktorit ndërkombëtar për arritjen e marrëveshjes së përgjithshme, që kishte me e zgjidh problemin shqiptaro-serb dhe kishte me e qetësue Ballkanin dhe më gjerë.

“Bota sot”: A e shihni një rikthim të Behgjet Pacollit dhe AKR-së në pushtet?

Makolli: Kosova ka nevojë për një qeveri nga ekspertë të fushave gjegjëse, të cilëve kishte me u pri një personalitet i kalibrit të z. Pacolli, qeveri e cila kishte me arritur një zhvillim të dëshiruar ekonomik. Z. Pacolli në programin e vet të zhvillimit ekonomik gjithmonë e ka pas në target krijimin e kushteve për thithje të shumta të investimeve nga jashtë dhe për rritje ekonomike dy shifrore, e cila kishte me mundësuar krijimin e vendeve të punës dhe avancimin e shtyllave kryesore të shtetit, arsimit, shëndetësisë dhe mirëqenies sociale. Zotit Pacolli, deri tash nuk ju ka dhënë mundësia që ta ketë timonin e qeverisë dhe ta jetësoj planin e tij të zhvillimit ekonomik. Presidenti i AKR-së z. Behxhet Pacolli është personalitet i kompletuar, biznesmen me përmasa botërore, humanist, poliglot, Kosovës i solli shumë njohje dhe si i tillë i nevojitet shumë skenës politike dhe Kosovës. Z Behgjet Pacollit, duhet t’i besohet timoni i qeverisë, për të mirën dhe avancimin prosperues të vendit në të gjitha lëmit.

“Bota sot”: Si sekretar i AKR-së, me cilën nga partitë në Kosovë partia juaj do të bashkëpunonte?

Makolli: AKR-ja është parti liberal-demokratike, me president të saj z. Behgjet Pacolli, i cili është i njohur në përmasa botërore për pikëpamjet e tij për zhvillim ekonomik, ekonomi të tregut, bashkëpunim me të gjitha subjektet politike kur është në pyetje interesi jetik i vendit dhe për sundim të ligjit. Parimisht bashkëpunimi në mes të partive politike duhet të bëhet bazuar në orientimet e tyre ideologjike dhe programeve të tyre zhvillimore. Nuk duhet të ketë apriori vija të kuqe për bashkëpunim në mes të subjekteve politike. Personalisht për mua, interesi i shtetit dhe kombit është mbi të gjitha, andaj në kontekst të kësaj, jam për bashkëpunim me çdo parti politike, nëse është në të mirën e vendit. Mendimi im personal është se shprehja "vija të kuqe", është shumë anakronike dhe mbase e dëmshme për shoqërinë. Interesi i shtetit është mbi të gjitha, andaj edhe bashkëpunimi me partitë politike që e avancojnë zhvillimin dhe prosperitetin e shoqërisë sonë, është mbi të gjitha, edhe mbi "vijat e kuqe".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat