Bejta: Pas katër viteve do ta kemi një Prishtinë të transformuar

Intervista

Bejta: Pas katër viteve do ta kemi një Prishtinë të transformuar

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 22 nëntor 2022 Në ora: 16:09
Fiknete Bejta

Për zhvillimet dhe punët në kryeqytet në një intervistë për “Bota sot” flet asamblistja e LDK-së, Fiknete Bejta.

Ajo zhvillimin e kryeqytetit e sheh të menaxhuar në mënyrë të mirëfilltë duke shtuar se është bërë një punë e madhe me një dinamikë të shpejtë që ka rezultate të matshme dhe të prekshme nga qytetarët.

Tutje, Bejta thotë se mes qeverisjes së Përparim Ramës dhe Shpend Ahmetit ka dallime, sepse Rama ka një kabinet profesional, derisa si pikë të dobët të qeverisjes së Shpend Ahmeti e sheh se nuk ka pasur plan-projekte që janë vendosur në seancën e votimit të buxhetit.

Ndërsa, për probleme shqetësuese si për qentë endacakë, Bejta e LDK-së, thotë se kryeqyteti është zotuar ta zgjidhë këtë çështje, e cila kërkon bashkëpunim të ngushtë mes të gjitha komunave.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën aktuale në Komunën e Prishtinës, si po menaxhohet kryeqyteti?

Fiknete Bejta: Gjendjen në Kryeqytet e shoh si një gjendje që ndodhet në një proces të transformimit, e konsideroj më shumë si menaxhim të strukturave të kryeqytetit, një proces i cili po menaxhohet në mënyrë të mirëfilltë. Qeverisja Rama në këtë vit ka qenë e kufizuar ta zbatojë planifikimin buxhetor të një qeverie tjetër, pasi që buxheti ka qenë i planifikuar në shtator të vitit 2021 nga qeveria komunale e Shpend Ahmetit.

Është bërë një punë e madhe dhe me një dinamikë të shpejtë që ka rezultate të matshme dhe të prekshme nga qytetarët. Mirëpo, kriza ekonomike gjegjësisht problemi me çmimet apo shkallën e madhe të inflacionit ka pasur impaktin e vet edhe në punën e qeverisë komunale. Shto kësaj edhe problemet që kanë zgjatur me mosfunksionimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit e kanë pamundësuar realizimin e shumë projekteve pasi që nuk ka pasur shqyrtim të ankesave (janë kontestuar rreth 700 lënde për trajtim nga ky organ) për më shumë se një vjet.

“Bota sot”: Ju keni qenë edhe më parë përfaqësuese në Kuvendin Komunal. Si po e shihni pas rreth një viti qeverisjen nga Përparim Rama?

Bejta: Një qeveri në krye të detyrës, me një kryetar që ka qenë i përkushtuar të marr vendime e të zbatojë punë në dobi të qytetarëve të Prishtinës. Zoti Rama privilegjin e të qenurit i zgjedhur i qytetarëve e sheh si përgjegjësi ndaj tyre dhe prandaj është përkushtuar të implementojë të gjitha zotimet e dhëna në fushatën elektorale të vitit të kaluar dhe kjo po ndodhë.

“Bota sot”: A mund të thoni se cili është dallimi në qeverisjen Rama krahasuar me atë paraprake nga Shpend Ahmeti?

Bejta: Kabineti i zotit Rama përkatësisht ekzekutivi komunal është unik në zbatimin e detyrave nga Kryetari, i cili ka fuqi politike dhe përkrahje për të shtyrë çdo propozim. Ekipi i Ramës është profesional, pa skandale dhe me mbështetje politike gjë që i ka munguar qeverisë së kaluar. Qeverisja komunale e zotit Rama ka plan se si do të qeveriset Prishtina dhe pikë të fortë e ka planifikimin, ndërsa problem i theksuar i qeverisë së kaluar ka qenë pikërisht se nuk ka pasur plan-projekte, që janë vendosur në seanca të votimit të buxhetit. Problemi i planifikimi të dobët ka qenë shqetësim i yni në të kaluarën, këtë e ka konstatuar edhe ZKA-ja përmes raporteve të rregullta të performancës, ndërsa zoti Rama planifikimin e ka pikën më të fortë të qeverisjes së tij.

“Bota sot”: Buxheti i teproi edhe kësaj qeverie, ndonëse u thirrën në një buxhet të miratuar paraprakisht nga një qeveri tjetër, pse ndodhi realisht kjo?

Bejta: Inflacioni, shtrenjtimi i çmimeve, problemi me mos funksionimin e OSHP-së dhe përveç këtyre zbatimi i një praktike të dëmshme nga Qeveria e Kosovës në këtë mandat që është mbyllja e Thesarit deri në muajin mars e kanë dëmtuar procesin e zhvillimit të procedurave të prokurimit. Siç dihet prokurimi nuk mund të filloj pa pasur zotimin e mjeteve që derivon nga Thesari si procedurë, dhe këto procedura të pakuptimta e kanë dëmtuar jashtëzakonisht shumë realizimin e projekteve kapitale.

Mirëpo, në dy muajit e fundit në Komunën e Prishtinës po vërehet një dinamikë e shtuar e realizimit të punëve në terren, por edhe në procedurat e prokurimit për shkak të riorganizimit të Drejtorisë së Investimeve Kapitale dhe Zyrës së Prokurimit. Dhe kjo ka dhënë rezultate, ka një mori projektesh që kanë filluar procesin e zhvillimit të punëve në terren.

“Bota sot”: Duket se ka investime më shumë në infrastrukturën rrugore. A ka të bëjë kjo me një drejtori që po qeveriset më mirë apo cili është realiteti?

Bejta: Infrastruktura rrugore nuk është i vetmi sektor që po trajtohet në këtë kohë, po ndodhin investime në parqe e hapësira publike e sportive, po investohet në shkolla e qendra të mjekësisë familjare. Pra, po trajtohet Prishtina në përgjithësi dhe në të gjithë sektorët.

“Bota sot”: Po për instruktuarën shkollore, shëndetësore etj, sa po punohet, a do të jenë të zgjidhura problemet kryesore deri në fund të mandatit?

Bejta: Infrastruktura shkollore sivjet po plotësohet me dy çerdhe të reja që janë duke u ndërtuar, ndërsa në vitin 2023 do të ndërtohen edhe katër të tjera dhe gjithashtu edhe katër shkolla të reja që lokacioni i tyre është caktuar në bazë të strukturës demografike.

Gjithashtu është investuar në renovimin dhe inventarizimin e objekteve shkollore si dhe në rregullimin e hapësirave jashtë objekteve të shkollave. Krahas kësaj po ndodhë edhe procesi i reformës substanciale në arsimin parauniversitar gjegjësisht në Komunën e Prishtinës e që konsideroj është më i rëndësishmi reformimi i menaxhmentit të shkollave konform rregullativës ligjore.

Sa i përket Shëndetësisë qёllimi i punёs në këtë kohë ka qenë forcimi i shёrbimeve tё kujdesit parësor, rritja e programeve parandaluese dhe fillimi i krijimit tё institucioneve dytësore siç parashihet në ligjin për kryeqytetin.

Është rritur buxheti për shëndetësi në kryeqytet. Ky buxhet për projekte kapitale është rritur me 134% në raport me buxhetin e vitit të kaluar.

Investimi më i madh në shëndetësinë lokale në nivel vendi po ndodhë në Prishtinë dhe ky është Spitali i Përgjithshëm i Prishtinës, i cili ka hyrë në planifikim buxhetor të Komunës së Prishtinës për vitin 2023. Si kryesuese e Komitetit për Shëndetësi në Kuvendin Komunal jam e kënaqur me punën dhe rezultatet e Drejtorisë së Shëndetësisë.

Duhet të përmendim edhe themelimin e qendrës për mikrobiologji dhe themelimin e Klinikës Stomatologjike, e cila do të dërgohet në Kuvendin e Kryeqytetit në seancën e radhës.

Rreth 10,000 nxënës të Prishtinës po përfitojnë nga vizitat sistematike mjekësore në shkolla. Pas tri vitesh, kemi filluar vizitat sistematike mjekësore nëpër shkollat fillore të Prishtinës. Çdo nxënës i klasës së parë, pestë dhe nëntë do të vizitohet nga një ekip mjekësor. Siç dihet këto vizita shërbejnë për të matur indikatorët shëndetësorë të fëmijëve, si: të pamurit, boshtin kurrizor, peshën, shëndetin oral etj.

“Bota sot”: Si do të duket Prishtina pas mandatit katërvjeçar, pra pas tri viteve në vijim, çka do të mbetet në kujtesë, sipas vizionit Rama?

Bejta: Pas katër viteve do të kemi një Prishtinë të transformuar me më shumë gjelbërim, me hapësira publike të lira, organizim të komunikacionit, shërbime komunale e shëndetësore shumë më të avancuara. Zoti Rama si kryetar do të mbahet në mend për projekte infrastrukturore të mëdha e të guximshme.

“Bota sot”: Si do të zgjidhet problemi me qentë endacakë, cili është planin juaj?

Bejta: Edhe pse kjo çështje është më shumë problem i qeverisjes së nivelit qendror, Komuna e Prishtinës seriozisht është duke e trajtuar zgjidhjen e këtij problem. Kryeqyteti është zotuar ta zgjidhë këtë çështje, e cila kërkon bashkëpunim të ngushtë mes të gjitha komunave dhe veçanërisht me institucionet qendrore. Ka filluar ndërtimi i Qendrës për Trajtimin e Kafshëve dhe përherë të parë në Kosovë po ndërtohet një qendër e tillë, e cila kryesisht fokusin do ta ketë në trajtimin e qenve endacakë.

“Bota sot”: Ju si asambliste e Kuvendit të Prishtinës, cila mendoni se është mënyra më e mirë për lehtësimin e jetës së qytetarëve?

Bejta: Komunikimi dhe bashkëpunimi me qytetaret si dhe përkushtimi ynë për të shtyrë përpara përmes kompetencave që i kemi në Kuvend projekte e ide që dalin nga ky bashkëpunim është një lehtësim i jetës së tyre.

“Bota sot”: Si është bashkëpunimi i Ramës me Kuvendin Komunal, me partitë tjera, përfshirë opozitën?

Bejta: Ka një bashkëpunim shembull dhe i cili bazohet në kompetenca ligjore.

“Bota sot”: A ka probleme që ngecin për shkak të pushtetit qendror, ndaj të cilit ju jeni opozitë?

Bejta: Ka pasur disa herë, vendimet e Kuvendit qëllimisht janë trajtuar me vonesa nga MAPL-ja.

“Bota sot”: Po, zhvillimet politike si i keni parë, cili është mendimi juaj, si po udhëhiqet shteti?

Bejta: Pushteti po administron shtetin dhe nuk po e udhëheq, ai nuk po guxon të marr vendime. Vendi po ballafaqohet me pasiguri sociale e ekonomike. Kemi konstatim të Bankës Qendrore për thellim të krizës ekonomike si pasojë e Inflacionit dhe bllokimit të investimeve kapitale (rreth 700 milionë euro janë bllokuar nga Qeveria) dhe shteti nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të parandaluar një përshkallëzim të kësaj krize.

“Bota sot”: Së pari, nga LDK-ja keni kaluar në AKR dhe sërish në LDK, pse keni ndërruar parti?

Bejta: Po ju korrigjoj juve sepse elektorati im e ka të njohur këtë fakt, unë në zgjedhjet e fundit kam qenë vetëm pjesë e listës së AKR-së si Asambliste e pavarur dhe nuk kam qenë pjesë e strukturave të AKR-së dhe e as e AKR-së si subjekt. Jam kthyer në LDK pas reformave të bëra nga lidershipi i ri, dhe këto ndryshime kanë bërë të mundur kthimin tim (pa asnjë kusht) në subjektin që tradicionalisht ka qenë edhe familja ime. Sot jam pjesë e strukturave të LDK-së, jam Kryetare e Forumit të Gruas së Degës së Pestë të LDK-së, e zgjedhur përmes votës së delegateve të Kuvendit të rregullte, ndërsa nga muaji shtator jam zgjedhur anëtare e Kryesisë Qendrore të Forumit të Gruas së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat