Nagavci: Rritja e pagave për mësimdhënësit, është rritje domethënëse

Intervista

Nagavci: Rritja e pagave për mësimdhënësit, është rritje domethënëse

Më: 7 dhjetor 2022 Në ora: 12:19
Arbërie Nagavci

Pavarësisht sfidave që ka kaluar sistemi arsimor gjatë këtij viti, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, thotë se ky vit po përmbyllet suksesshëm, duke finalizuar projekte të rëndësishme. Në një intervistë për Radio Kosovën, Nagavci foli edhe për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës, projektet për vitin që vjen e shumë çështje të tjera.

Zonja ministre, si po përmbyllet ky vit për sa i përket arsimit, si e vlerësoni ju? Cilat ishin të arriturat gjatë këtij viti, kur ndërkohë ka pasur edhe sfida?

Arbërie Nagavci: Ky vit ka pasur sfida të njëpasnjëshme, e fundit ishte situata me grevën. Përtej kësaj, konsideroj se e kemi përmbyllur suksesshëm vitin, pasi që e kemi finalizuar planin Strategjik të Arsimit për periudhën e ardhshme deri në vitin 2026, kemi finalizuar Ligjin për Edukimin e Hershëm, të cilin e kemi votuar në Qeveri dhe ka kaluar në Kuvend në leximin e parë, kemi finalizuar edhe Ligjin për Arsimin e Lartë dhe më herët patëm finalizuar edhe Ligjin për Agjencinë e Akreditimit. Përtej kësaj dhe nismave ligjore, edhe në buxhetin për vitin 2023, kemi një rritje prej 12 për qind, që tregon vëmendjen e Qeverisë për arsimin. Janë një varg procesesh të tjera, që na bëjnë të kënaqur me rezultatet që kemi arritur dhe na bëjnë më shumë kërkues për rezultate të reja, sepse beteja për të pasur një cilësi më të lartë në arsim, është një betejë që asnjëherë nuk përfundon e nuk mund të themi që e kemi finalizuar me sukses të plotë. 

Ndërkohë, Sindikata e Arsimit vazhdon të deklarojë se greva e mbajtur në fillim të vitit shkollor është pezulluar deri në janar të vitit 2023. Kërkesat e tyre tashmë dihen, ndërsa kanë theksuar se nuk e dinë se cili do të jetë koeficienti për punëtorët e arsimit në bazë të Ligjit të ri të Pagave, a mund të na thoni se si është paraparë kjo me Ligj?

Arbërie Nagavci: Në tri vitet e fundit për shkak të situatës me pandeminë, humbjet në arsim kanë qenë shumë të mëdha, jo vetëm në Kosovë. Kjo e ka bërë edhe më të vështirë gjithë situatën me grevën. Është mirë që përfundimisht u përmbyll ai proces. Unë besoj që greva në arsim, në formën si është bërë, pra, duke u mohuar mbajtja e mësimit për nxënës, është e dëshmuar që dëmton më së shumti nxënësit. Duke e njohur dhe respektuar të drejtën e punëtorëve për grevë, si një e drejtë legjitime, besoj se ka mënyra të tjera për të realizuar të drejtat e tyre dhe pres që nuk do të ketë më nevojë për organizimin e kësaj forme të grevës. Për sa i përket çështjes së koeficienteve, rritja që është bërë për mësimdhënësit, është rritje domethënëse. Kemi rregulluar për herë të parë me Ligjin e Pagave situatën për sa i përket pagave të mësimdhënësve. Kemi paraparë në Ligjin e Pagave dhe rrjedhimisht në Ligj të Buxhetit, për herë të parë edhe rritjen për performansë të mirë të mësimdhënësve, që besoj se do të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë në mësimdhënie, që është në interes edhe të vetë mësimdhënëseve për të realizuar me sukses rritjen në pagë. Nëse e shohim në total, duke pasur parasysh edhe numrin e mësimdhënësve, është një ndër katër kategoritë që kanë pësuar rritjen më domethënëse për sa i përket Ligjit të Pagave bashkë me sektorin e shëndetësisë, atë të policisë e mbrojtjes.

Zonja ministre, me kalendarin e ri shkollor, është paraparë zëvendësimi i orëve të humbura gjatë grevës, ndërsa shumë prindër nuk i kanë dërguar fëmijët e tyre në shkollë të shtunave? A është menduar se si do të veprohet tutje?

Arbërie Nagavci: Planifikimi i kalendarit të ri të vitit shkollor është bërë duke marrë parasysh të gjithë elementet e rëndësishëm, sepse është një çështje mjaft komplekse, ku duhet të merret për bazë përmbajtja mësimore. Humbja ka qenë në muajin shtator, pra, ka qenë planifikimi për përmbajtjen që do të zhvillohej në gjysmëvjetorin e parë dhe për këtë arsye është dashur që të kompensohet në këtë kohë. Në anën tjetër, kemi pasur tre muaj kur fëmijët nuk kanë shkuar në shkollë, që do të thotë se nuk ka pasur mbingarkesë te fëmijët. Do të ishte shumë gabim nëse do të lihej gjatë muajve të verës, në muajin korrik, një periudhë e gjatë në temperatura të larta dhe do të reflektonte në lodhjen e fëmijëve. Është e vërtetë që të shtunën e parë të planifikuar ka pasur në shumicën e shkollave edhe mësimdhënës që nuk kanë shkuar në shkolla, dhe prindër, qoftë për shkak që e kanë konsideruar si ngarkesë për fëmijët, apo arsye të ndryshme, por kjo gjendje ka ardhur duke u përmirësuar. Besoj se tani jemi në një situatë kur prindërit dhe mësimdhënësit dhe secili prej nesh, duhet të punojmë që jo vetëm të kompensohet mësimi i humbur, sepse nuk do të jetë asnjëherë në mënyrën e plotë, por të angazhohemi maksimalisht për të përmirësuar rezultatet në arsim.

Ndërkohë, me ndarjen e buxhetit për vitin 2023, është thënë se është 12 për qind më i lartë në fushën e arsimit. A mund të na thoni sa është ndarë buxheti për arsim dhe a i plotëson nevojat?

Arbërie Nagavci: Sigurisht që nevojat, jo vetëm në arsim, por gjithmonë dëshirat janë më të mëdha se sa mundësitë. Megjithatë, në bazë të prioriteteve që i kemi përcaktuar i kemi kushtuar vëmendje digjitalizimit të sistemit të arsimit dhe edukimit të hershëm, si prioritete. Janë planifikuar gjashtë milionë euro për ndërtimin e kopshteve dhe çerdheve apo për adoptimin e hapësirave ekzistuese në kopshte dhe çerdhe, me synimin që të rritet përfshirja në edukimin e hershëm. Të gjitha studimet e organizatave më kredibile dhe studimet shkencore, kanë vërtetuar që investimi në edukimin e hershëm, është investimi më i duhur për zhvillimin jo vetëm të secilit fëmijë, por edhe të familjeve e shoqërisë në të ardhmen. Pra, është një investim që kthehet shumëfish për shoqërinë. Krahas me miratimin e Ligjit për Edukimin e Hershëm, që e bën edukimin parafillor, nga mosha 5-6 të obliguar nga viti 2023, konsideroj që është investim i mirë. Gjashtë milionë euro e gjysmë janë planifikuar për digjitalizim të sistemit të arsimit. Pothuajse kemi përfunduar aspektin teknik të përgatitjeve. Në mbledhjet me DKA-të do të ndahen informatat e nevojshme. Jo vetëm që janë ndarë këto mjete për vitin 2023, por janë planifikuar për tri vitet e ardhshme në kornizën afatmesme të shpenzimeve, në mënyrë që të gjitha klasat e të gjitha shkollat t’i kemi të pajisura me pajisjet e duhura për të përdorur teknologjinë në mësimdhënie. Paralelisht me pajisjet dhe shpërndarjen e rrjetit, është planifikuar edhe përmirësimi dhe zhvillimi i kompetencave të mësimdhënësve në përdorimin e teknologjisë, sikurse edhe përgatitja e materialeve online dhe gjithë komponentët e tjerë të rëndësishëm, siç janë unifikimi i të dhënave apo përdorimi i të dhënave të cilat janë në formën digjitale. Tashmë e kemi finalizuar edhe projektligjin për tekste mësimore. Aty e kemi parapri edhe kopjen digjitale të teksteve. Natyrisht, është një debat i gjerë gjithandej në botë, ndërsa unë jam ithtare të kopjeve fizike të teksteve shkollore. Natyrisht, digjitalizimi i tyre është i përfshirë, sepse lejon mundësi, qoftë për ushtime të ndryshme e aktivitete të tjera të cilat janë të ndërlidhura. Përtej teksteve mësimore, është paraparë me Planin Strategjik të Arsimit, edhe krijimi i materialeve digjitale që mund të përdoren nga mësimdhënësit. Ka investime edhe në pajisjen e shkollave me laboratorë e kabinete, salla të edukatës fizike, e të tjera.

Ndërkohë, ju thatë që ka pasur avancim edhe në infrastrukturën ligjore. Kur pritet të miratohet Ligji për Arsimin e Lartë dhe ai për Agjencinë e Akreditimit?

Arbërie Nagavci: Ligjin për Agjencinë e Kosovës për Akreditim e kemi finalizuar dhe e kemi votuar në Qeveri dhe është votuar në lexim të parë në Kuvend. Janë zhvilluar një varg tryezash e debatesh, ku Komisioni për arsim ka ftuar palë të ndryshme përfshirë edhe përfaqësues të Agjencisë, Këshillit Shtetëror të Cilësisë, e të tjerë dhe pres që shumë shpejt do të kalojë në Kuvend edhe në lexim të dytë. Për sa i përket Ligjit për Arsimin e Lartë, si ministri e kemi finalizuar. Konsideroj që grupi punues kanë bërë një punë shumë të mirë. E kemi dërguar në Ministri të Financave kërkesën për vlerësimin financiar. Besoj që në një mbledhje shumë shpejt të Qeverisë do të miratohet në Qeveri, ku pastaj do të përcillet për në Kuvend e ku pres që të shqyrtohet me shumë seriozitet e prioritet.

Për sa i përket vlerësimit të performansës së mësimdhënësve, është thënë se kjo çështje do të rregullohet edhe me Ligj dhe udhëzim administrativ, çfarë është bërë në këtë drejtim?

Arbërie Nagavci: Grupi punues është në proces. Ekziston udhëzimi administrativ për licencimin e mësimdhënësve, i cili ndonëse është në fuqi, asnjëherë nuk është realizuar në tërësi. Pjesa më e madhe e mësimdhënësve i kanë vetëm licencat e nivelit të parë, por nuk është vazhduar tutje. Jemi duke e ri-shikuar udhëzimin administrative për licencimin e mësimdhënësve. Jemi duke punuar po ashtu për provimin shtetëror të mësimdhënësve që është në periudhën para hyrjes në proces të mësimdhënies. Më së largu tremujori i parë i vitit 2023 do t’i kemi të finalizuar këto udhëzime administrative. Me Ligjin e Pagave për herë të parë e kemi paraparë edhe shtesën për performansën e mësimdhënësve, që ndërlidhet edhe me avancim në licencim të mësimdhënësve.

Me konkursin për inspektorë të arsimit, është paraparë që të pranohen 20 inspektorë, ndërsa do të ketë edhe vitin që vjen një konkurs tjetër. A pritet të plotësohen kapacitetet e Inspektoratit.

Arbërie Nagavci: Aktualisht, sipas Ligjit të Inspektoratit por edhe në përgjithësi nevojave që janë për monitorimin e punës në institucionet edukative arsimore, resurset janë shumë të kufizuara. Aktualisht janë rreth 20 inspektorë, që do të thotë po e dyfishojmë numrin këtë vit, po ashtu janë paraparë për vitin e ardhshëm edhe 20 inspektorë të tjerë. Besoj që kjo do të ndihmojë dukshëm. Jemi duke shikuar edhe mekanizma të tjerë, për të fuqizuar edhe mekanizmat në vetë shkollat dhe në nivel komunal, që vlerësimi i performansës të mos jetë një inspektim vetëm nga inspektorët, por të jetë edhe një zhvillim në karrierë i mbështetur edhe nga menaxhmenti i mesëm i shkollës, menaxhmenti i lartë i shkollës, komunat, e kështu me radhë.

Në Samitin e Berlinit, në mesin e tri marrëveshjeve të nënshkruara, ishte edhe marrëveshja për njohjen e diplomave universitare dhe marrëveshja për njohjen e tri profesioneve: mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve. Çfarë mund të na thoni për rëndësinë e këtyre marrëveshjeve dhe kur pritet të jetësohen ato?

Arbërie Nagavci: Janë dy marrëveshje tepër të rëndësishme. Ka qenë një periudhë jo e shkurtë dhe jo e lehtë e angazhimit të zyrtarëve, të cilët janë angazhuar që të finalizohen suksesshëm këto marrëveshje. Dy marrëveshje janë në fushën e arsimit. Përfitues janë profesionistët që mund të ushtrojnë profesionin e tyre në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, pa procedura teknike për njohje të diplomave. Konsideroj se përfituesit më të mëdhenj janë shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilat kanë pasur probleme të theksuara me mosnjohjen e diplomave të cilat i kanë përfituar në Kosovë. Tani të gjithë bashkëkombësit tanë që jetojnë e punojnë në Luginë, të cilët i kanë përfunduar studimet e tyre në Kosovë, kanë të drejtë të ushtrojnë profesionin e tyre në vendet ku jetojnë, duke shmangur kështu të gjitha vështirësitë që u janë krijuar nga Serbia, duke mos ua njohur diplomat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat