Deputetja e AAK-së: Është koha e finalizimit të dialogut, Kosova të mos pranojë diçka që është jo kushtetuese

Intervista

Deputetja e AAK-së: Është koha e finalizimit të dialogut, Kosova të mos pranojë diçka që është jo kushtetuese

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 8 mars 2023 Në ora: 17:15
Albana Bytyqi

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyçi, thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të duhej të ngulmonte që në planin frako- gjerman të përfshihet njohja e Kosovës nga Serbia.

Bytyçi në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Kosova në dialog duhet të pranojë vetëm atë që është në përputhje me kushtetutën e saj, në mënyrë që vendi të mos dëmtohet dhe të mos dalë si palë jo bashkëpunuese.

Deputetja ka folur rreth pritshmërive të tyre në takimin e 18 Marsit, gjersa ka shtuar se është koha që të finalizohet dialogu.

Bytyçi në intervistë ka treguar qëndrimin e tyre edhe rreth rastit të ambasadorit Martin Berishaj, deklaratave të deputetit Haki Abazi për vdekjen e Astrit Deharit, ligjin e pagave, si ngecjen e Kosovës në njohjet e reja dhe vlerësimi i tyre për qeverinë Kurti 2.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Znj. Bytyçi është mandati i parë i juaj si deputete në Kuvendin e Kosovës, na tregoni fillimisht rreth ecurisë dhe ndjesisë në ulësen e Kuvendit?

Albana Bytyçi: Po, ky është mandati im i parë si deputete dhe realisht mund të them se është një ndjenjë shumë e veçantë për vetë faktin se të qenit deputete është një mision shumë fisnik mund ta quaj sepse ti je aty si zëri i njerëzve që të besuan për t’i çuar përpara shumë shqetësime me të cilat përballen në jetën e tyre të përditshme. Dhe tjetra, se sa këto shqetësime ne arrijmë t’i adresojmë dhe pastaj të njëjtat të marrin përgjigje apo të zgjidhen. Pra, deputeti zgjidhet nga votat e popullit për t’i shërbyer atij dhe ky është një emocion shumë i mirë dhe mbi të gjitha kur t’i e merr seriozisht pozitën tënde dhe rolin tënd në Kuvend.

“Bota sot”: Kosova sapo e festoi përvjetorin e 15 të pavarësisë, si e keni parë Kosovën gjatë këtyre viteve si shtet, mund të na përmendi disa ngecje dhe suksese të saj?

Albana Bytyçi: Sa herë flasim për pavarësinë, është një ndjenjë krenarie, diçka që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Pavarësinë e lirinë e kemi paguar shtrenjtë me shumë gjak, me shumë të rënë, të cilët na e trasuan rrugën tonë drejt lirisë. Si shtet kemi ecur shumë përpara, ndonëse gjithmonë ka për t’u bërë pasi shtetndërtimi është diçka që nuk mbaron kurrë, kërkon përherë angazhim nga të gjithë.

“Bota sot”: Kosova dhe Serbia tashmë kanë pranuar planin franko- gjerman, për normalizim të marrëdhënieve, si e komentoni këtë propozim dhe sa do të respektohet ai nga Serbia?

Albana Bytyçi: Ne tashmë kemi përkrahur planin franko gjerman dhe po ashtu i kemi dhënë mbështetje Qeverisë Kurti lidhje me këtë plan pasi kemi vlerësuar që kjo i hapë rrugë të reja shtetit tonë në shumë aspekte.

“Bota sot”: A do të duhej të ngulmonte Kryeministri Kurti që në këtë propozim të futej njohja e Kosovës nga Serbia?

Albana Bytyçi: Sigurisht, se po, ajo duhet të jetë kërkesa kryesore dhe njëherë e mirë për të përmbyllur marrëveshjen që garanton Kosovën shtet të pavarur e sovran dhe me perspektivë të qartë integruese euro-atlantike.

“Bota sot”: Neni 10 i planit franko- gjerman, flet për marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel që do të duhej të zbatohen nga të dyja vendet, a e ka pranuar Kurti Asociacionin me planin franko- gjerman?

Albana Bytyçi: Ende është e paqartë se çka është pranuar ose jo pasi në deklarimet publike kryeministri deklaron diçka tjetër e presidenti Vuçiç diçka tjetër. Mendoj që e rëndësishme është të pranohet vetëm ajo çka është në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe vendi ynë mos të dëmtohet dhe të mos dalë si palë jo bashkëpunuese.

“Bota sot”: Takim i radhës në mes të dyja vendeve do të jetë më 18 mars në Shkup, çfarë mund të pritet nga takimi i radhës dhe pse mendoni se është vendosur Shkupi si vend takim?

Albana Bytyçi:Tash ajo çfarë presim në këtë takim si në çfarëdo takimi që mbahet, është që nga këto takime të marrim lajme të mira për vendin tonë, e rëndësishmja e gjithë kësaj është që krah nesh i kemi aleatët tanë, kemi Amerikën dhe kjo është shumë e rëndësishme.

“Bota sot”: A shihni një marrëveshje në mes të dyja vendeve në një të ardhme të afërt?

Albana Bytyçi: Tani është momentumi që të finalizohet dialogu, dhe duhet të ketë një marrëveshje finale pasi kjo tashmë është zgjatur shumë. Nuk është mirë të vazhdohet dhe të stërzgjatet dhe më shumë ky proces dhe duhet të arrihet një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që të ecim tutje.

“Bota sot”: Keni deklaruar se do ta dërgoni në Kushtetuese vendimin e Qeverisë për vlerën e koeficientit më pak se 129, si po shkojnë procedurat?

Albana Bytyçi: Kemi informata se mbi 30 ankesa janë dërguar te Avokati i Popullit dhe rrjedhimisht Ligji për Paga do të shkojë në Kushtetuese.

“Bota sot”: Deputeti Haki Abazi, ka folur ditë më parë për rastin e Astrit Deharit dhe zhdukjen e mostrave të tij. Ai madje ka akuzuar kryeministrin dhe ministren e Drejtësisë për këtë, a është përdorur politikisht ky rast dhe çfarë hapash duhet të merren për zbardhjen e plotë të tij?

Albana Bytyçi: Ky rast është përdorur tej mase politikisht dhe mua më vjen keq shumë që figura e Astrit Deharit nga vetë partia e tij është dhe po përdoret për qëllime të tyre politike. Kjo është e dhimbshme dhe në të njëjtën kohë e gërditshme për mënyrën si po e trajtojnë këtë rast. E fundit është edhe humbja e mostrave që dëshmon se partia në pushtet çështjen e Astritit e kanë pas si mjet, përpos shumë kauzave tjera të rrejshme, për të ardhur në pushtet. Tash e kanë pushtetin dhe deri më tani gjithë çfarë kanë bërë, kanë dëshmuar se janë të paaftë për ta zbardhur rastin ose thjesht nuk duan ta zbardhin pasi me gjasë kjo gjë nuk po u shkon për shtati qeverisë aktuale.

“Bota sot”: Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar të premten kallëzim penal për ambasadorin në Kroaci, Martin Berishaj, pas raportimeve për pasurinë e tij, cili është qëndrimi i AAK-së rreth këtij rasti?

Albana Bytyçi: Sa i përket rastit të ambasadorit Martin Berishaj, unë kam pas edhe deklarime për media edhe statuse ku kam shprehur shqetësimin tim si deputete pse rasti i Berishajt merret si diçka shumë normale dhe fillimisht ai as nuk është shkarkuar kur tashmë shumë raportime dhe fakte dëshmojnë për dyshime se ka diçka të vërtetë aty pasi normal që fjalën e fundit e jep drejtësia. Është skandaloze që në diplomaci të kemi persona që dyshohen për punë jo të ndershme dhe i njëjti person vazhdon të mbajë një pozitë shumë të rëndësishme në politikën e jashtme. Kjo e dëmton rëndë edhe Kosovën.

“Bota sot”: Me kalimin e viteve njohja e Kosovës ka filluar të ketë ngecje nga vendet e botës, ku “gaboi” Kosova dhe çfarë hapash duhet marrë që të rifillojnë ato?

Albana Bytyçi: Mendoj që ndërrimi i shpeshtë i Qeverive disi e ka lënë në hije angazhimin serioz në çështjen e njohjeve për shkak se fokusi më shumë ka qenë në zgjedhje. Pastaj e dimë mirë se pak a shumë çështja e njohjes është edhe çështje e interesi të shtetit që e bën njohjen për një shtet tjetër. Sidoqoftë nga ana e Kosovës mendoj se nuk është marrë me shumë përkushtim lobimi për njohje për shkak të shumë proceseve të tjera që në vazhdimësi është përballur vendi ynë. Sigurisht që kjo duhet të ndryshojë dhe të merret si një ndër prioritetet e akterëve relevantë në këtë çështje dhe të lobohet shumë që Kosova të merr njohje të reja.

“Bota sot”: Nga 1 deri 10 si e vlerësoni qeverisjen Kurti?

Albana Bytyçi: Qeverisja nën udhëheqjen e z. Kurti ka lënë shumë për të dëshiruar. Mendoj që si notim mezi e arrin notën 2 pasi më shumë është bërë propagandë se sa punë dhe kjo po shihet tashmë çdo ditë me vendimet që janë marrë dhe të cilat vendimi nuk kanë qenë në të mirë të popullit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat