Anna Di Lellio: BE duhet të reagojë më ashpër ndaj Serbisë dhe Vuçiqit

Intervista

Anna Di Lellio: BE duhet të reagojë më ashpër ndaj Serbisë dhe Vuçiqit

Më: 1 qershor 2023 Në ora: 11:39
Profesoresha në Universitetin e Nju Jorkut, Anna Di Lellio

Në zhvillimet e fundit në veri, viktimë nuk është Serbia, apo serbët atje. Bashkimi Evropian duhet të ishte më i ashpër në reagime edhe ndaj Serbisë, e jo vetën Kosovës. Kështu thotë në një intervistë për Radio Kosovën profesoresha në Universitetin e Nju Jorkut, Anna Di Lellio. Ajo thotë se Rusia përmes destabilizimit në Ballkan, synon të përçajë unitetin e BE-së për luftën në Ukrainë.

Këto ditë kemi zhvillime në veri të Kosovës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës se ka vepruar në veri pa u koordinuar me SHBA-në. A ka ndikuar kjo në marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në?

Anna Di Lellio: Po për momentin është e qartë që kjo ka ndikuar në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së. Mendoj që ka pasur mungesë të durimit dhe qeveria ka ra nën ndikimin e nacionalizmin serb. Kjo nuk është ajo që duhet tani sidomos në këtë kohë kur kemi luftën në Ukrainë. Natyrisht që zhvillimet në veri kanë ndikuar, por nuk mendoj në atë nivel që mund të thuhet se nuk ka miqësi ndërmjet dy vendeve më. Por për momentin duket që Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë besim që Qeveria e Kosovës është duke bërë gjënë e duhur. SHBA-ja në këto moment ka të drejtë, por që shpresojë që SHBA, të mos e keqkuptojë këtë. Çështja nuk është te gabimi që bënë Qeveria e Kosovës, por te rreziku që vjen nga nacionalizmi serb, që mbështetet nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Reagimi nuk ka munguar as nga vendet e BE-së. Pse ky ndryshim i qasjes amerikane dhe evropiane në raport me Kosovën?

Anna Di Lellio: Nuk mendoj që ka ndryshim të qasjes, por ka vazhdimësi. SHBA-ja dhe BE-ja gjithmonë kërkojnë për normalizim të marrëdhënieve, kërkojnë arritjen e një marrëveshjeje, kërkojnë dialog. Këto kërkesa po vazhdojnë  prej 10 vitesh dhe kjo nuk ka ndryshuar. Por kjo është një situatë e re dhe më duhet ta përsëris që ka një luftë në Ukrainë dhe Rusia do të përdorë Kosovën dhe Ballkanin si “Kalin e Trojës”për ta destabilizuar Evropën. Pra, kjo është mjaft delikate dhe çdo gabim mund të çojë drejt destabilizimit. BE-ja nuk ka nevojë për këtë, as BE-ja e as SHBA-ja, sepse ata janë të përfshirë në një luftë të madhe që po ndodh në Ukrainë.

A po ndikon Rusia përmes Serbisë në (jo)stabilitetin politik dhe sigurinë e Kosovës?

Anna Di Lellio: Absolutisht që po. Para dy vitesh kam qenë bashkautor për një grup të ekspertëve në një raport për Kosovën dhe raportet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, për Qendrën “Woodrow Wilson” në Uashington D.C dhe e thamë po të njëjtën gjë. Kjo ishte para luftës në Ukrainë. Problemi kryesor për stabilitetin e Kosovës dhe Ballkanit,  për raportet e mira, apo të këqija ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është Rusia. Ajo po e përdorë Serbinë si një rrugë për ta destabilizuar Evropën.

Cilat janë interesat strategjike të Rusisë në rajonin e Ballkanit, duke përfshirë Kosovën?

Anna Di Lellio: Interesi ka të bëjë me qëllimin e Rusisë për ta goditur unitetin e Evropës dhe Perëndimit. Ka për qëllim ta godasë unitetin që ka arritur BE-ja, në mbështetje të Ukrainës. Ne e dimë që jo të gjitha shtetet e BE-së kanë qëndrim të njejtë drejt Ballkanit, drejt Serbisë dhe drejt Kosovës, dhe kjo mund të krijojë ndarje ndërmjet vendeve të BE-së. Rusia e do këtë, e do destabilizimin e Kosovës. Nuk mendoj që Rusia, apo Putini, mendojnë për Kosovën apo Serbinë, ata thjesht duan ta përdorin këtë për të goditur unitetin e BE-së.

Atëherë si duhet të reagojë Qeveria e Kosovës?

Anna Di Lellio: Duhet të koordinohet me Perëndimin. Qeveria duhet të mësojë nga presidenti i Ukrainës, Voldimir Zelenski. Zelenski ka vepruar në një mënyrë shumë të mençur duke u koordinuar me të gjithë, duke kërkuar ndihmë nga të gjithë, sepse një vend i vogël nuk mund të  fitojë ndaj një vendi të madh. Pra, Ukraina, nuk mund të fitojë e vetme ndaj Rusisë, po ashtu edhe Kosova nuk mund të fitojë e vetme ndaj Serbisë. Kosova ka nevojë për miq dhe nuk është koha që të provohet për të vepruar i vetëm. Kosova duhet të koordinohet me Perëndimin, sepse nuk ka ku të shkojë tjetër.

Cili është roli i Bashkimit Evropian dhe komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës?

Anna Di Lellio: Tash meqë e kam kritikuar Qeverinë e Kosovës, tani mund ta kritikojë edhe BE-në. Mendojë që BE, nuk po reagon në formë të duhur. Madje edhe ajo se çfarë ndodhi gjatë këtyre ditëve, në rregull, ata e kritikuan kryeministrin Albin Kurti për qasjen e tij, por ata nuk kanë vepruar njëjtë edhe me Serbinë, dhe presidentin Aleksandër Vuçiq. Në këtë rast viktimë nuk është Serbia, viktima nuk janë serbët në veri. Unë nuk kam dëgjuar reagim të forta nga BE-ja për atë se çfarë ndodhi në veri, apo mospajtim me faktin  që Serbia ka vendos ushtrinë përgjatë kufirit me Kosovën. Këto gjëra duhet të dënohen  ashpër. Retorika që Serbia por përdor në media, që serbë të paarmatosur po sulmohen nga NATO, nuk qëndron. BE duhet të reagojë më ashpër ndaj këtyre veprimeve dhe ndaj Aleksandër Vuçiqit, njëjtë siç kanë vepruar me Albin Kurtin.

Çfarë ndikimi ka kjo situatë në marrëdhëniet ndëretnike dhe stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor?

Anna Di Lellio: Për këtë nuk di shumë. Gjatë kohës sa unë kam qenë në Kosovë, nuk ka parë shumë ndërveprime ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Ndoshta gjërat kanë ndryshuar. Ndoshta gjërat janë më mirë në pjesët e tjera të Kosovës,sesa në veri ku serbët manipulohen dhe shantazhohen nga grupe ekstremiste. Ndërveprimet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve nuk mund të ndryshojnë  nëse nuk ndryshojnë edhe ndërveprimet politike. Pra, nëse nuk zgjidhet çështja e statusit të Kosovës, edhe raportet me Serbinë, gjëra të tilla si në Serbi do të ndodhin vazhdimisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat