Pa njohje “de jure”, të Kosovës nga Serbia, paqja në pikëpyetje/ Politologu tregon si të veprohet me asociacionin

Intervista

Pa njohje “de jure”, të Kosovës nga Serbia, paqja në pikëpyetje/ Politologu tregon si të veprohet me asociacionin

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 21 nëntor 2023 Në ora: 11:03
Alnin Kurti dhe Aleksander Vuçiq

Qani Nuhiu, politolog nga Maqedonia ka komentuar ҫështjen e bisedimeve Kosovë-Serbi dhe vendimin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të nënshkruar marrëveshjen në Bruksel.

Ai në një intervistë për “Bota sot”, ka folur për mundësinë që Serbia të kushtëzohet me njohjen e Republikës së Kosovës.  

Po ashtu, politologu Nuhiu është pyetur edhe për raportet ndërmjet Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe se kush është fajtori nga këta të dy për ‘ftohjen’ e raporteve. 

Image
Qani Nuhiu

Intervista e plotë: 

“Bota sot”: Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është gati të nënshkruaj marrëveshjen në Bruksel, ndërsa Presidenti serb Aleksandër Vuҫiq jo. A do të thotë kjo se mund të jetë një marrëveshje në favor të Kosovës? 

Qani Nuhiu: Siç dihet kryeministri Kurti gatishmërinë e tij për vendosjen e nënshkrimit e ka konfirmuar disa herë, por nga presidenti i Serbisë nuk ka gatishmëri për këtë. Në fakt, Marrëveshja deklarativisht është pranuar edhe nga Aleksandër Vuçiqi, por ai tërë kohës thekson nuk do ta nënshkruaj, ashtu që ka krijuar një konfuzion të madh rreth kësaj çështje. E vërteta është se Vuçiqit i shkon në interes vetëm krijimi i “Asociacionit”, ndërkaq nenet tjera të marrëveshjes me të cilat Kosova e forcon subjektivitetin ndërkombëtar aspak nuk i pranon, kurse për këtë qëndrim të tij, çuditërisht heshtin ndërmjetësuesit e Unionit Evropian dhe emisarët amerikan. Pra, kemi një qasje mjaft konfuze, joparimore, kontradiktore të Vuçiqit e cila nëse vazhdohet kështu, nuk mund të sjellë deri tek normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Me qëllim që të ndërpriten lloj-lloj interpretimesh të papërgjegjshme është e nevojshme nënshkrimi i Marrëveshjes dhe Aneksit është i domosdoshëm.  

Marrëveshja nuk është vetëm në favor të Kosovës, por i shkon në dobi edhe të vetë Serbisë, serbëve të Kosovës dhe gjithë Ballkanit Perëndimor edhe atë në shumë aspekte, të paqes, sigurisë, integrimeve evropiane dhe të zhvillimit të përgjithshëm të rajonit. Çështja kruciale këtu është lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kurse dilema kyçe është, nëse në aspektin afatgjatë ky Asociacion do e cenojë unitetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës apo nuk do ta cenojë. Pra, parimisht kjo Marrëveshje e forcon pozicionin e Kosovës në kuptimin e rrumbullakësimit të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetësisë së saj si dhe për paqen në rajon do të ishte pozitive, me kusht nëse Asociacioni nuk e rrezikon sovranitetin dhe unitetin territorial të Kosovës.  

“Bota sot”: Sipas jush, a mund të kushtëzohet përmes kësaj marrëveshje që Serbia të njoh Kosovën si shtet? 

Qani Nuhiu: Vetë nënshkrimi i kësaj Marrëveshje bashkë me Anekesin, nëse nënshkruhen si palë të barabarta dhe në të njëjtin dokument qëndrojnë nënshkrimet e të dyja shteteve, faktikisht e futën Serbinë në rrugën e njohjes de facto të Kosovës. Megjithatë pasi të zbatohen të gjitha këto marrëveshje që tani janë mbi tavolinë, Serbia duhet të lidhë marrëveshje finale dhe gjithëpërfshirëse me Kosovën, ku Kosova edhe de jure do të njihej nga Serbia. Njohja de jure është e rëndësishme, pasi është njohje përfundimtare dhe e pakthyeshme, ndërkaq për tejkalimin përfundimtar të konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë diçka e tillë është shumë e nevojshme.   

“Bota sot”: Duke parë zhvillimet e fundit aktuale në vend, a mendoni se Kosova po qeveriset mirë? 

Qani Nuhiu: Nocioni “qeveriset mirë” është i gjerë dhe përfshinë shumë aspekte të qeverisjes në Kosovë dhe në çdo shtet tjetër dhe unë nuk e ndjej se mund të përgjigjem me objektivitet për këtë, dhe do të përmbahem nga një vlerësim i tillë, pasi pa dashje mund të jem edhe subjektiv dhe të mos jem korrekt me opinionin, megjithatë unë do t’i theksoj parametrat me të cilat mund më objektivisht të vlerësohet qeverisja aktuale në Kosovë. Pra, një qeverisje duhet të vlerësohet fillimisht për nga aspekti, nëse punon në interes të qytetarëve dhe shtetit, njëkohësisht duke siguruar respektim të kushtetutës dhe ligjeve të shtetit, transparencë në vendimmarrje dhe zbatimin e tyre, pastaj fakti nëse i përmbahet programit elektoral të premtuar dhe nëse ka treguar e tregon rezultate në zbatimin e të njëjtit program në praktikë. Pra, gjithmonë duke i analizuar këto determinanta, qytetarët mund të vijnë deri tek vlerësimi për cilësinë e qeverisjes aktuale në Kosovë.  

“Bota sot”: Ministri i Brendshëm i Kosovës, ka deklaruar se Kosova po armatoset, pas sulmit të fundit që ndodhi në Banjskë. A mendoni se ende rrezikohet siguria e Kosovës nga Serbia, pavarësisht përpjekjeve për dialog?  

Qani Nuhiu: Sulmi i grupeve terroriste nga Serbia në Banjskë dëshmoi se sa shpejt mund të rrezikohet paqja në Kosovë dhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Për të ruajtur sigurinë, Kosova krahas armatosjes me armë të karakterit mbrojtës, Kosova duhet të bashkëpunojë sa më tepër me KFOR-in edhe me aleatët e NATO-s. Mirëpo, përderisa nuk ka marrëveshje përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi me njohjen de jure si qëllim final në fund të negociatave Kosovë-Serbi si dhe anëtarësimin e plotë të Kosovës në NATO, paqja në mes të Serbisë dhe Kosovës gjithmonë do të vendohet në pikëpyetje.  

“Bota sot”: Disa herë janë kritikuar raportet ndërmjet Kryeministrit Albin Kurti dhe atij Edi Rama. Sipas jush kush është fajtor për ‘ftohjen’ e këtyre raporteve? 

Qani Nuhiu: Pa dyshim se do të ishte në favor të Kosovës që të ketë relacione të mira me qeverinë e Shqipërisë, pasi Shqipëria paraqitet si faktor diplomatik rajonal që gjithsesi mund të ndikojë në tejkalimin e vështirësive të Kosovës me Serbinë. Shqipëria, pra, është shtet anëtar fuqiplotë në NATO, pastaj anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit (dy herë ka kryesuar me Këshillin e Sigurimit), paraprakisht në vitin 2020, Shqipëria pati mundësinë të kryesonte me shumë sukses OSBE-në. Më tej, më 11 tetor 2023 në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Shqipëria zgjidhet për herë të dytë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut për periudhën 2024-2026. Shqipëria gjithashtu, në datë 9 nëntor 2023 ka fituar statusin e shtetit kandidat për hyrje në Bordin Ekzekutiv të UNESCO. Pra siç shihet të gjitha këto janë organizata me shumë relevancë dhe duke marrë për bazë faktin se Shqipëria ka një klasë diplomatësh shumë të përgatitur dhe me mjaft përvojë, ajo mund të ndihmojë shumë edhe me lobim ndërkombëtar në interes të Kosovës.  

Çështje mjaft shqetësuese janë raportet në mes të kryeministrave të Shqipërisë dhe Kosovës që në kuptimin institucional pati “plasaritje” që nga fundi i mandatit të ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, e cila rezultoi me padi gjyqësore të Ramës kundër Haradinajt.  

Aktualisht edhe raportet në mes të kryeministrave Rama e Kurti janë “të ftohta”, por duhet potencuar edhe diçka, se gjendja e këtillë e pa-lakmueshme e raporteve në mes të dy kryeministrave, nuk është vetëm çështje e egos personale dhe protagonizmit të tyre, por është edhe e natyrës të divergjencave parimore edhe konceptuale politike. E them këtë, pasi në mes të Ramës dhe Kurtit ka dallime për raportet me Serbinë, qoftë për mënyrën e udhëheqjes së dialogut aktualisht, qoftë për marrëdhëniet për në të ardhmen në mes të Kosovës dhe Serbisë.  

Ka pra, disa situata konkrete që kanë “kontribuar” që raportet ndërmjet dy kryeministrave shqiptarë të jenë të tilla, edhe duke filluar nga përkrahja e Edi Ramës për korrigjimin e kufijve mes Kosovës e Serbisë, pastaj qasja e Ramës për “Ballkanin e hapur” dhe kundërshtimi kategorik i Kurtit për këtë, më pas erdhi propozimi i draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe pa i njoftuar fare paraprakisht udhëheqësit e Kosovës. Ndodhi edhe anulimi i mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive, e cila pritej të mbahet më 14 qershor 2023 në Gjakovë u anulua një ditë para mbajtjes. Pastaj ka pasur edhe disa deklarata e momente tjera nga të dyja anët që nuk shkonte në favor të bashkëpunimit në mes të Ramës dhe Kurtit dhe qeverive të tyre. Pra fajtor për këtë “ftohje” të raporteve, pikësëpari janë dallimet politike dhe konceptuale, por pa u përjashtuar edhe animozitetet personale në mes tyre.  

Këto divergjenca dhe mosmarrëveshje, në interes të Kosovës e Shqipërisë gjithsesi se duhet të tejkalohen sa më parë.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat