Sistemi i drejtësisë është një nga shtyllat kryesore të një shteti demokratik.
Korrupsioni dhe krimi i organizuar mbetën disa nga synimet kryesore të Ministrisë së Drejtësisë.
E në lidhje me situatën aktuale që gjendet Kosova në këtë drejtim dhe zhvillimet e tjera të rëndësishme, në një intervistë për “Bota sot”, ka folur avokati Arbër Jashari.
Ai thotë në sundimin e ligjit Kosova vitet e fundit ka shënuar proges, duke përmendur “Ëorld Justice Project” në vitin 2024, ku Kosova është ndër vendet me përparimin më të madh në dy vitet e fundit.
Ndërsa i pyetur për ligjet që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, avokati thotë që duhet përpjekjeje gjithë institucionale, aktivizim dhe vetëdijesim qytetarë, si dhe qasje shumë serioze.
Natyrisht që në bisedë e sipër avokati u pyet për Ligjin për Byronë, e për këtë çështje ai u shpreh se duhet të hartohet në frymën e Kushtetues pa ia cenuar askujt liritë dhe të drejtat e askujt.
Në fund, sa i përket procesit ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, në Hagë, ai thotë se beson që në këtë vit do të përfundoj gjykimi në shkallë të parë.
Intervista e plotë
Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni situatën aktuale të sundimit të ligjit në Kosovë?
Arbër Jashari: Vlerësoj se në përgjithësi, viteve te fundit, Kosova ka shënuar progres në fushën e sundimit të ligjit. Një gjë e tillë është konstatuar edhe në raportet ndërkombëtare, ku sipas indeksit vjetor për sundimin e ligjit “Ëorld Justice Project”, në vitin 2024 Kosova është ndër vendet me përparimin më të madh në dy vitet e fundit. Ajo çka është për t’u vlerësuar është se Kosova, megjithatë ka arritur ta ruaj pavarësinë e gjyqësorit dhe organeve tjera të pavarura nga ndikimet politike. pavarësisht kësaj, mungesa e profesionalizimit dhe integritetit personal, tek zyrtarë dhe individë brenda sistemit gjyqësor, herë pas here është evidente.
Një prej sfidave më të mëdha do të thoja është numri i madh i lëndëve neper gjykata, sidomos lëndët e lemisë civile, ku procedurat zgjatin per vite te tera, duke cenuar një prej parimeve bazë të drejtësisë gjykimi në kohë të arsyeshme.
Gazeta “Bota sot”: Çfarë hapash duhet të ndërmerren për të forcuar pavarësinë e institucioneve gjyqësore në vend?
Arbër Jashari: Legjislacioni i Kosovës është i hartuar në atë mënyrë që garanton pavarësinë e gjyqësorit. Gjyqtarët emërohen nga KGJK, me mandat të përhershëm dhe janë të pavarur në vendimet e tyre. Megjithatë, më shumë buxhet dhe autonomi finaciare për Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial, do të ndihmonte këto dy institucione në forcimin e kapaciteteve te veta, dhe do te garantonte me shume efikasitet dhe profesionalizëm.
Gazeta “Bota sot”: Si e shihni zbatimin e ligjeve që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë?
Arbër Jashari: Luftimi i korrupsionit nuk bëhet vetëm duke nxjerr ligje te mira. Lufta kundër korrupsionit nuk është punë vetëm e organeve të drejtësisë. Duhet përpjekjeje gjithë institucionale, aktivizim dhe vetëdijesim qytetarë, si dhe qasje shumë serioze. Kosova kohëve te fundit ka shënuar progres në këto fusha, por jo aq sa është e nevojshme.
Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni ju Ligjin për Byronë, a duhet të shpallet i vlefshëm nga Kushtetusja në mënyrë që të marrin masa për ata që kanë keqpërdorur pozitën e tyre?
Arbër Jashari: Secili ligj duhet të hartohet në frymën e Kushtetues, pa i cenuar liritë dhe të drejtat e askujt, pa e cenuar pavarësinë e organeve të pavarura. Se çka do të ndodhë me këtë ligj, kjo mbetet të shihet, gjithsesi jam i bindur qe Kosova tashme ka bërë një rrugë të gjatë të shtetndertimit dhe konsolidimit institucional dhe dita e ditës po vërtetohet se është në gjendje ta luftoj korrupsionin, në të gjitha format e tij.
Gazeta “Bota sot”: Në fund, si e shihni procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në Hagë? Sa mendon që mund të zgjatet një proces i tillë?
Arbër Jashari: Një proces i stërzgjatur, me zhvillimie dramatike, i kritikuar shpesh për mungesë transparence dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Besoj që në këtë vit do të përfundoj gjykimi në shkallë të parë.