Këngëtarja me rrënjë nga jugu i Shqipërisë, Ava Max, ka hapur një kapitull të ri në karrierë. Ylli i hitit "Sweet but Psycho" bën debutimin si aktore në "Guarding Stars", komedinë e re romantike të Netflix-it për festat, dhe njëkohësisht prezanton këngën e re "Blockbuster", të shoqëruar me videoklip zyrtar.
Filmi u publikua globalisht në Netflix më 18 nëntor dhe ka në role kryesore Leighton Meester-in, yllin e serialit "Gossip Girl", dhe Jared Padalecki-n, të njohur nga "Supernatural". Sipas kastit të listuar në IMDb, Ava Max luan personazhin e Kennedy Monroe-s. Historia, e bazuar në romanin "The Bodyguard" të Katherine Center-it, ndjek një truproje që duhet të shtiret si e dashura e një ylli të filmave aksion, gjatë festave të Krishtlindjeve në fermën e familjes së tij në Montana.
Megjithatë, protagonistja e kolonës zanore është pikërisht ajo. Siç raporton faqja e specializuar What's on Netflix, "Blockbuster" është kënga kryesore e filmit dhe vjen me videoklipin e vet, ndërsa titulli i saj i shkon për shtat një historie për një yll të Hollywoodit. Në film dëgjohet edhe kënga e saj festive e vitit 2024, "1 Wish", gjë që e bën Ava Max-in një nga vetëm dy artistët me më shumë se një këngë në kolonën zanore, krahas yllit të muzikës country, Walker Hayes.
Ky projekt vjen në një vit me ndryshime të mëdha për këngëtaren. Në shkurt ajo bëri të ditur se ishte larguar nga Atlantic Records, shtëpia e saj diskografike për gati një dekadë, dhe se kishte nisur bashkëpunimin me Artist Partner Group, siç raportoi atëherë Variety. Pas këngës "Kill It Queen", në prill erdhi "Out of Your Mind".
E lindur si Amanda Koçi në Milwaukee të SHBA-së, nga prindër shqiptarë, babai nga Qeparoi dhe nëna nga Saranda, 32-vjeçarja tani e zgjeron karrierën edhe në aktrim, pa e lënë pas dore muzikën.