Profesori amerikan: Serbia bëri gjenocidin 20 vjet më parë, Kosova nuk mund të harrojë ose ta falë për këtë

Intervista

Profesori amerikan: Serbia bëri gjenocidin 20 vjet më parë, Kosova nuk mund të harrojë ose ta falë për këtë

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 17 dhjetor 2018 Në ora: 11:39
Alon Ben-Meir

Profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, ka thënë se Serbia nuk është e vendosur ende të gjejë një zgjidhje për konfliktin me Kosovën. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Ben-Meir ka theksuar se marrëveshja përfundimtare mes të dyja vendeve, kërkon koncesione të mëdha dhe nëse Kosova dhe Serbia nuk janë të gatshme të bëjnë lëshime të tilla, çdo bisedë mes tyre thjeshtë do të çojë askund.

Profesori amerikan ka thënë se Kosova ka plotësisht të drejtë të ketë Forcat Mbrojtëse të saj, derisa i ka quajtur joserioze kërcënimet e kryeministres serbe për ndërhyrje ushtarake në Kosovë.

Sipas tij, Serbia do të bënte një gabim fatal nëse do të mendonte ndonjëherë të bënte një veprim të tillë.

“Bota sot”: Zyrtarë të Bashkimit Evropian, por edhe të SHBA-ve, kanë kërkuar nga Kosova heqjen e taksës së vendosur ndaj Serbisë. A mund të dëmtojë mos heqja e taksës, marrëdhëniet e Kosovës me aleatët/miqtë ndërkombëtarë?

Ben-Meir: Unë nuk besoj se Kosova ka rritur tatimin në 100% për importet e mallrave nga Serbia, si hakmarrje ndaj refuzimit që ju bë për t'u anëtarësuar në INTERPOL. Kjo, jo vetëm që do të rrisë tensionet mes dy vendeve, por mund të shkaktojë vështirësi të caktuara për qytetarët e Kosovës të paktën për një kohë, derisa të gjendet një rrugë alternative e furnizimeve. Për më tepër, taksat e tilla jo domosdoshmërish dëmtojnë eksportet e përgjithshme të Serbisë dhe mund të mos kenë efektin e synuar që Kosova po e kërkon.

“Bota sot”: Ndërkohë që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar, është hapur edhe çështja e kufijve. Cili është mendimi juaj për shkëmbim territoresh mes të dyja vendeve?

Ben-Meir: Natyrisht, shkëmbimi i territoreve mund të jetë një nga mënyrat me të cilat mund të zgjidhet konflikti midis Serbisë dhe Kosovës. Megjithatë, nuk besoj se Serbia është e vendosur të gjejë një zgjidhje për konfliktin ende. Kjo ka qenë mjaft e dukshme nga negociatat e mëparshme. Unë besoj se ende ekziston një pengesë e fortë psikologjike të cilën serbët nuk kanë mundur ta tejkalojnë ende dhe shumë serbë ende e shohin Kosovën si pjesë të vendit të tyre. Sapo Serbia të angazhohet për gjetjen e një zgjidhjeje që do ta njohë pavarësinë e Kosovës, shkëmbimi i territoreve bëhet një opsion realist. Sikur Serbia ta pranonte një Kosovë të pavarur, opsioni tjetër do të ishte arritja e një marrëveshjeje nën kufijtë e tanishëm, duke lejuar lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve përtej kufirit në veri.

“Bota sot”: Më 14 dhjetor, Kuvendi i Kosovës votoi për formimin e ushtrisë së Kosovës. Derisa SHBA përkrah formimin e ushtrisë, NATO ka paralajmëruar pasoja për Prishtinën. Çfarë prisni që të ndodhë?

Ben-Meir: Unë e kam mbështetur plotësisht Kosovën që themeloi "ushtrinë" e saj. Megjithatë, rekomandimi im për shtetin e Kosovës është që ajo të mos e quante atë ushtri, por në vend të kësaj, ta quante Forcat e Mbrojtëse së Kosovës (KDF). Kjo do të nënkuptonte që këto forca janë strikte për qëllime mbrojtjeje. Kosova ka të drejtë të ketë forcat e veta të mbrojtjes, të cilat gjithashtu mbështeten nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Britania e Madhe.

Bota sot”: Kryeministrja serbe nuk e ka përjashtuar një ndërhyrje ushtarake në Kosovë, në rast të formimit të ushtrisë. Si i shihni këto kërcënime?

Ben-Meir: Unë nuk besoj se kërcënimi i kryeministres serbe Anna Brnabiç, për ndërhyrje ushtarake në Kosovës, duhet të merret seriozisht. Një lëvizje e tillë flagrante menjëherë do të pasonte me ndërhyrjen perëndimore, të cilën Serbia do të dëshironte ta shmangte me çdo kusht. Kujtimi i luftës midis dy vendeve dhe pasojat e saj tragjike, mbeten të freskëta në mendjen e çdo vendi evropian dhe Serbia do të bënte një gabim fatal nëse do të mendonte ndonjëherë të bënte një veprim të tillë.

“Bota sot”: Cila është zgjidhja e konfliktit politik mes Kosovës dhe Serbisë? Si duhet të përfundojë dialogu mes të dyja vendeve?

Ben-Meir: Unë absolutisht besoj se parakusht për të arritur një zgjidhje për konfliktin e tyre, është që Serbia dhe Kosova duhet së pari të angazhohen për një zgjidhje dhe të vazhdojnë negociatat deri në gjetjen e një zgjidhjeje të tillë nën mbikëqyrjen e Brukselit. Pra, një angazhim i vërtetë dhe i paimagjinueshëm për një zgjidhje do të kërkonte koncesione nga të dyja palët dhe nëse nuk janë të gatshme të bëjnë lëshime të tilla, çdo bisedë mes tyre thjeshtë do të çojë askund. Për më tepër, pa bërë një angazhim të hekurt, sa herë që negociatat të prishen, marrëdhëniet mes të dy palëve do të përkeqësohen edhe më tutje, që gjë kjo duhet të shmanget.

Vendosmëria e Kosovës për të mbetur e pavarur është kryesisht për shkak të përvojës së saj në luftën me Serbinë. Serbia në thelb bëri gjenocidin 20 vjet më parë.

Ekziston një pengesë psikologjike në mesin e të gjithë kosovarëve; lufta me Serbinë la gjurmë të thella dhe asnjë i rritur kosovar që ka jetuar në atë periudhë, nuk mund të harrojë ose të falë për këtë çështje.

“Bota sot”: Z. Ben-Meir, shpesh keni alarmuar për ndikimin e Rusisë dhe Turqisë në Ballkan, sidomos në Kosovë. Si mund të mposhtet ndikimi i tyre?

Ben-Meir: Ndikimi i Rusisë dhe Turqisë në Kosovë mund të kapërcehet nëse Qeveria e Kosovës, e tashmja apo e ardhmja, është e vendosur të mos lejojë as Rusinë dhe as Turqinë të ushtrojnë ndikim të panevojshëm në vend. Kosova, si çdo vend tjetër i pavarur, duhet të jetë në gjendje të bëjë tregti ose të ketë marrëdhënie dypalëshe me çdo vend, duke përfshirë Rusinë dhe Turqinë, kur ka reciprocitet të interesave për këtë qëllim. Por, kjo nuk do të thotë që Turqisë apo Rusisë duhet t'u jepet një licencë për të ushtruar ndikim të padrejtë në Kosovë dhe është në dorën e Qeverisë së Kosovës me mbështetjen e fuqive perëndimore për të kufizuar ndikimin e Rusisë dhe Turqisë.

“Bota sot”: Edhe pse u premtua vazhdimisht se Kosova do të marrë liberalizimin në fund të këtij viti, një gjë e tillë nuk ndodhi. Çfarë ndikoi në vendimin e BE-së për këtë proces?

Ben Meir: Vendet e BE-së janë lodhur në vitet e fundit për shkak të emigracionit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Edhe pse kjo nuk ka të bëjë aspak me Kosovën, fakti që BE-ja ka qenë një objektiv i emigrantëve dhe i ekstremizmit, e bën atë jashtëzakonisht të kujdesshme në lidhje me liberalizimin e vizave për çdo vend, përfshirë Turqinë.

Për fat të keq, numri joproporcional i kosovarëve që vullnetarizuan për ISIS-in, gjithashtu mund të ketë pasur ndonjë ndikim në mendimin e BE-së në këtë drejtim. Kjo do të thotë se, vazhdimi i stabilitetit në Kosovë, përfundimi i korrupsionit dhe vazhdimi i procesit të demokratizimit, do të jenë hapa jashtëzakonisht të dobishëm drejt liberalizimit të vizave.

“Bota sot”: A i konsideroni të rrezikshme për stabilitetin e rajonit raportet që Rusia ka me Organizata të Krahut të djathtë në Serbi, të cilat demonizojnë NATO-n?

Ben-Meir: Nuk ka nevojë të thuhet, Rusia dëshiron ta mbajë Serbinë në orbitën e vet dhe për këtë qëllim nuk do të mbështesë përpjekjet e Serbisë për të arritur ndonjë marrëveshje me Kosovën, as nuk do të donte që Turqia të ushtronte ndikim të pafavorshëm në Serbi, duke bërë çdo përpjekje për të distancuar Serbinë nga BE. Pra, pozicioni rus është padyshim destabilizues, por Putini mbetet i kujdesshëm për të mos luajtur me duart e tij.

“Bota sot”: Cili është mendimi juaj për Qendrën Humanitare Serbo-Ruse në Nish, meqë autoritetet amerikane dyshojnë se ajo është humanitare?

Ben-Meir: Unë personalisht nuk besoj se qendra humanitare serbo-ruse është diçka e ngjashme me një bamirësi të vërtetë, ose është me të vërtetë e shqetësuar me çështje të vërteta humanitare. Të dy vendet do të dëshironin të vendosnin një fytyrë njerëzore derisa vazhdojnë, secila për vete, për të ndjekur interesat e tyre rajonale. Por, megjithatë, mund të provojnë, mendoj se e ashtuquajtura qendër humanitare, nuk është gjë tjetër veçse një “fasadë” që shumë pak po e blejnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat