Kafeja në mëngjes për shumëkënd është ai eliksir që i ndihmon njerëzit të zgjohen nga gjumi dhe të marrin gjithë dozën e nevojshme të energjisë për të përballuar ditën. Por, duket se kafeja e zezë (kafeja turke) shkon përtej kënaqësisë së shqisave, duke sjellë edhe përfitime shëndetësore.
Kafeina në kafe është një stimulues i sistemit nervor qendror, duke "përshpejtuar gjithçka" në trup dhe tru, sipas “Shoqatës Amerikane të Mjekësisë”. “Ajo rrit nivelet tuaja të energjisë dhe ulë ndjenjat e lodhjes,” thotë Lisa Young, dietologe në New York.
Por, cilat janë përfitimet e vërteta?
Sipas "U.S. Department of Agriculture", një filxhan kafe e përgatitur me ujë përmban:
-2 kalori
-0 gram yndyrë
-0.3 gramë proteina
-95 miligramë kafeinë
-116 miligramë kalium
-4 miligramë natrium
Kafeja e zezë nuk ka karbohidrate, kolesterol apo fibra. Ajo përmban pak kalcium, magnez, fosfor dhe folate.
Përfitimet e kafesë së zezë
Kokrrat e kafesë kanë më shumë se 100 përbërës biologjikisht aktivë, duke përfshirë edhe antioksidantë të fuqishëm. Të gjitha këto ndihmojnë në reduktimin e inflamacionit, përmirësimin e ndjeshmërisë ndaj insulinës, forcimin e metabolizmit, pengojnë thithjen e yndyrës nga zorrët dhe bllokojnë receptorët e përfshirë me ritme jonormale të zemrës, sipas një studimi të prezantuar në “American College of Cardiology” dy vite më parë.
Shëndeti i zemrës
Dy deri në tre filxhanë kafe në ditë ndikojnë në jetëgjatësinë tuaj dhe një rrezik më të ulët të sëmundjeve të zemrës dhe problemeve të ritmit të këtij organi. Njerëzit që pinë 1,5 deri në 3,5 filxhanë në ditë pa shtuar sheqer, kanë 16% deri në 21% më pak gjasa të vdesin sesa njerëzit që nuk pinë fare kafe.
Humbje peshe
Konsumimi i moderuar i kafesë me kafeinë mund të vlejë edhe në strategjinë e menaxhimit të peshës, sepse kafeja ul oreksin dhe ndikon në metabolizmin tuaj.
Shëndeti i trurit
Një studim i vitit 2021 zbuloi se njerëzit që pinin katër deri në gjashtë filxhanë kafe në ditë kishin mundësi më të pakta të goditjes në tru dhe demencës.
Kafeja përmirëson humorin
Në doza të ulëta, kafeina mund të ketë ndikim edhe në çështjen e depresionit. Kjo për shkak se kafeina stimulon dopaminën, një kimikat në tru që luan rol në motivimin e kënaqësisë dhe humorit të mirë.