Kosova nuk ka tableta për mbrojtje nga rrezatimi në rast të ndonjë shpërthimi radioaktiv - Bota Sot
Kosova nuk ka tableta për mbrojtje nga rrezatimi në rast të ndonjë shpërthimi radioaktiv

Kosova

Kosova nuk ka tableta për mbrojtje nga rrezatimi në rast të ndonjë shpërthimi radioaktiv

Më: 14 dhjetor 2019 Në ora: 14:05
Foto ilustrim

Në Kosovë, pas përfundimit të luftës së fundit, disa fabrika të cilat ishin funksionale u shndërruan në deponi të mbeturinave të rrezikshme, të cilat kanë veti radioaktive. Në rast të ndonjë shpërthimi radioaktiv, qytetarët e Kosovës nuk kanë as edhe një pilulë për tu mbrojtur nga ky lloj rrezatimi mjaft i rrezikshëm.

Beqir Mezelxhiu, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore, ka thënë se Kosova nuk ka tableta, të cilat shërbejë për tu mbrojtur nga rrezatimi. Pilulat e rrezatimit janë tableta të jodidit të kaliumit të cilat ngopin tiroiden me jod të qëndrueshëm.

“Kosova nuk ka tableta të joditit. Agjencia e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore (AKMRrSB) është përgjegjëse për materiale radioaktive. AKMRrSB posedon inventarin e kategorizuar të të gjitha materialeve radioaktive në Republikën e Kosovës. Kategoritë e materialeve radioaktive janë të nivelit 4 (katër) dhe 5 (pesë), këto kategori sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike janë me rrezikshmëri të ulët”, ka thënë Beqir Mezelxhiu për Sinjalin.

Se materie të rrezikshme ka shumë në Kosovë, e kanë thënë edhe nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Enver Tahiri, Udhëheqës i Divizionit për Mbeturina dhe Kimikate, sipas të cilit ka materie shumë të rrezikshme në Kosovë, por që nuk e dinë numrin e saktë.

“Materie të rrezikshme ka shumë, ato mund të jenë si mallra, pajisje , kimikate dhe gjenden nën treg ose ne reparte prodhuese. Nuk ka ndonjë specifikim të materieve të rrezikshme. Dhe Ministria  nuk merret me të dhënat për këto materie. Neve na interesojnë  mbeturinat e rrezikshme . Për mbeturinat e tilla kemi një specifikim por nuk është i plotë, sepse ekzistojnë sasi të konsiderueshme që nuk janë evidentuar si mbeturina”, ka thënë Tahiri.

Komunat të cilat kanë deponi të mbeturinave të rrezikshme janë: Mitrovica, Peja, Gjakova, Obiliqi, Zveçani, Leposaviqi, Lipjani, si dhe Dragashi.

Sipas raportit të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, shumica nga hapësirat ku janë të vendosura reagjentët janë jo të sigurta.

Kontrollimi i këtyre mbeturinave të rrezikshme bëhet nga FSK-ja, KFOR-it, AME-ja, AKMRRSB-ja.

Ndërsa pilulat e rrezatimit janë tableta të jodidit të kaliumit, një kripë e zakonshme. Joduri i kaliumit është një burim i jodit dietetik. Mënyra se si funksionojnë pilulat e rrezatimit është ngopja e tiroides me jod të qëndrueshëm, kështu që izotopet radioaktive të jodit nuk janë të nevojshme dhe kështu nuk absorbohen nga trupi i njeriut.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat