Një mall më tërhoqi zvarë rrugëve
Eca nëpër zjarrin e ndezur mushkërive
Në Smolicë, vendlindja ime
Shpirti rënkoi dhimbshëm
Kulla e djegur ishte hidhëruar
(Dikush s’e deshi as gërmadhë)
Sytë u ngatrruan fushave e maleve
Pija qumshtin e mallit,
Si ujët e puseve të thella
Palca e ashtit shkrihej në zjarr...
Ata guraleca që më thumbonin
Shputave të këmbëve zbathur
Hedhnin sytë flokëve të bardha
Gëzimi tretej gjithëandej
Livadheve e kaçubave me dëllinja
Duke luajtur me moshatarë
Përfytyrim përcllues ajo kohë e bukur
Erë buke çerepi mbështjellur në cakullë
Gatim i shpresave tona me shumë bujari
Kujtime të bukura më tërheqin zvarrë
Peng mbetët shikimi i plakur,zemërplasur...
Sa më dhimbsen kohët e ikura
Tretur gropave të mallit në lot e vaj
X x x
Aroma e blilnave të Smolicës
Shushurima e bletëve që i këndojnë punës
Ato lëndina të pafund e të bukura si askund
Një bunar te xhamia i rrënuar,
Dy blina të tharë
Aty varnin setrat pleqët e fshatit
Mbrëmjeve të verës dertonin për punën,
Për radhën e vadës në arë
Fjala u zinte vend përherë
Shakatë me të qeshura mernin malin
Të gjithë ikën në tjetër jetë
Pleq krenarë e me dinjitet
Të gjithë burra të fjalës e besës
Të bujarisë e trimërisë nëpër kohë
Veshur në tirqë e plisa të bardhë
Vetulltrashë e me mustaqe të gjata
Këngë trimërie këndonin nëpër darësma
Tani një bukuri e tretur ëndrrave...
Vendlindja ime lapidar krenarie
Varë në qerpikë të djegur
Lotim i paluar në shpirtin e tretur...