Flutura dhe dashuria

Kultura

Flutura dhe dashuria

Nga: Jan A. Kosova Më: 18 qershor 2022 Në ora: 09:13
Foto ilustrim

FLUTURA DHE DASHURIA

Thonë se simbol i ringjalljës është flutura
E unë fluturën e krahasoj me dashurinë
Kam parë flutura të bukura e më të bukura
Çdo flutur që kam parë ma kujton rininë

Kam qenë i lehtë ani pse s'kam fluturuar
Kam qenë i thyeshëm, i tillë kam mbetur
Edhe kur më shkelën nuk jam dorëzuar
E dashuria për ty kurrë nuk është tretur

JETA ËSHTË SI OPERA

Se as operën më të bukur jo çdokush e kupton
As kur dhimbja e pikëllimi e mbizotërojnë operën
Edhe operën e kupton kush me zemër dashuron
E dashuria e vërtetë stinë të jetës e ka pranverën

Dhe jo çdo pjesë e operës është sikur pranvera
Ashtu si jo çdo stinë jete është stinë e lumturisë
Me ty u kthyen në pranverë, dimri, vjeshta e vera
Dashuria e jetës sime, bukuroshja e Dardanisë

DUA TË JEM ATY

Mbrëmë në ëndrrën time prap kam vrapuar
Kam ikur ani pse askush nuk më ka ndjekur
Desha të jem pranë bjeshkës sime të bekuar
S'kam arritur dot ani pse gjatë jam përpjekur

Edhe ëndrra e fundit më la pa gjumë në sy
Si çdo ëndërr për bjeshkën time të bekuar
Kur të fillojë ëndrra ime dua të jem unë aty
Aty të jem edhe kur ëndrra të këtë mbaruar

MUA MË PËLQEN

Mua më pëlqen kur ju më kritikoni
Nganjëherë kritikën e kuptoj gabim
Mua më pëlqen kur më lavdëroni
Kritik e lëvdatë për mua janë frymëzim

Mua më pëlqen kur më lavdëroni
Nganjëherë lëvdatën e kuptoj gabim
Mua më pëlqen kur më kritikoni
Lëvdatë e kritik për mua janë frymëzim

PIKTURË JETE

Jeta është si një pikturë që nuk fshihet
Që me kalimin e kohës fillon  të zbehet
Nuk e di nëse gjurma e jetës do të shihet
Gjurma e shpirtit që nga dashuria dehet

Jeta është sikur një pikturë që nuk fshihet
Kujtimet edhe kur fshihen, gjurmët mbeten
Jeta është enigmë, sikur loti që nuk shihet
Si lotët e mallit që kurrë në jetë nuk treten

Një rrugë plot suksese, arritje dhe gabime
Jeta është sikur një vizatim që nuk fshihet
Dashuria jote mbetet pikturë e jetës sime
Gjurma e dashurisë edhe pas jetës shihet

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat