Remzi Basha - personalitet me dinjitet dhe origjinalitet

Kultura

Remzi Basha - personalitet me dinjitet dhe origjinalitet

Nga: Baki Ymeri Më: 28 shtator 2022 Në ora: 20:33
Foto ilustrim

Remzi Basha është njëri nga poetët më të talentuar të diasporës shqiptare, një mëmëdhetar me ndjenja të zjarrta dhe ideale të larta, një vlerë e veçantë që digjet për dashuri ndaj femrës dhe vargut të gërshetuar me ndjeshmëri dhe adhurim ndaj fjalës së shprehur e hijeshisë së saj. Në këtë kontekst, duke shfletuar veprat e tij, konstatojmë se poezia e dashurisë për Poetin e Dashurisë është pasqyra e shpirtit që të bën të famshëm po qe se din ta “ngarkosh” vargun me thjeshtësi dhe thellësi, me dritë dhe ndjeshmëri. Që në faqet e para të kësaj vepre me karakter poetik ballafaqohemi me meditime briliante dhe mbresëlënëse.

Autori shkruan për jetën dhe ekzistencën, për individin dhe shoqërinë, për mençurinë dhe profecinë, për fisnikërinë dhe dashurinë. Vlen të ripotencojmë faktin se Remziu i anashkalon subjektet me karakter pesimist dhe pornografik, duke i dhënë prioritet ëndërrimit dhe kërkimit. Në vargjet e tij ballafaqohemi me subjekte kushtuar ëndërrave dhe shpirtit, yjeve të qiellit dhe rrezeve të diellit, vendlindjes, stinëve dhe pemëve, natyrës dhe dashurisë. Jemi krenarë që ka krijuar një miqësi të fuqishme letrare, duke botuar disa libra ku tema kryesore është rruga e suksesit dhe ura e shëndetit. Mburremi me faktin se si arriti të punojë me sukses për realizimin e projekteve, ura e tij duke u bërë më e fortë, për të kaluar çdo sfidë për të arritur në prag të lumturisë me realizime ëndërrash dhe projektesh.

Remzi Basha merret me problemin e ekzistencës së gjendur në pjekurinë e nevojshme, në mënyrë që të bëjë një ditar lirik të një përvoje njohurie. Bota e poezisë vetëngulitet në shpirtin e poetit, për të zbuluar gëzimet dhe pasionet, guximin dhe këmbënguljen për jetën dhe hijeshinë e saj. Ky vëllim zbulon një vetëdije problematizuese, me plot dëshirë për të kapërcyer gjendjen e ikjes nga vetëvetja, në një kontigjent të krijuar nga vetë vullneti i tij. Të gjitha gjestet lirike kanë një qëllim të ndezur, atë të përshkallëzimit të universit të vërtetë, të "rishpikjes" së ritmeve të natyrës: Ta bekova krejt shëmbëlltyrën e qiejve të mi/ Shpirti yt të kuptuojë erën në lulet e përmallimeve/ Me sy të heshtur, vështrimi ndaj fytyrës sate të ndritur/ Vetëm erëtima e temjanit që e mbart trupi yt/ Me qirinjtë në dorë nga këngëtimi s’po ndalesh/ N’fytyrën tënde të shenjtë shoh zambakët qiellorë/ Duke ecur gjithnjë e më shumë, afrohesh e përlëvdon/ Përpara Altarit të Shenjtë, vetëm këngë frymërore. (Psalmi i dytë)

Arti kombinator që mbështet nënshtresën e kësaj vepre, artikulon një rrjet temash dhe motivesh të freskëta. Kështu, poezitë e përfshira në këtë vëllim përqëndrohen në jetën me të gjitha implikimet e saj, dashurinë që kapërcen botën dhe arrin planin kozmik. Imagjinata e poetit është fort mirë e përfaqësuar dhe përbën motive të përcaktuara në të njëjtën temë. Koha konstituohet si një dimension transformues. I preokupuar me kalimin e pakthyeshëm të kohës, autori zbulon se vetëm dashuria është ajo që e shpëton individin nga një "perëndim dielli", e afërt ose ajo që bën që përkohësia e momentit të perceptohet si pjesë e ritmit natyror të secilit. Në faqet e librit, hipostazat e ekzistencës së një bote rurale ndërtohen, të lartësuara përkohësisht, por të mbajtura mendërisht me ndrojtjen specifike të një shpirti të ndjeshëm:

Poezia e Remzi Bashës është dëshmi e dashurisë ndaj universit dhe kaltërsisë. Autori nxjerr në pah gëzimin për të përjetuar sekuenca të idealizuara nga kalimi i kohës, në marrëdhëniet e egos me botën elementare. Kështu, të gjitha rekuizitat paraqiten përmes imazheve vizuale, të destinuara për të siguruar një kontekst ideal hapësinor: Ti je fytyra ime e tulatur vonë në shtigje të huaja/ Vetëm në ëndrrën e përgjumur të rishoh vetëm ty/ Të shoh si një ikonë, një e shenjtë e veshur n’purpuri/ Dhe e humbur në mesnatë murmuritjet i luten orës/ Tufa lulesh do të mblidhja dhe lotë të pangujuar/ Duart do të t’i puthja, shenjën e adhurimit tënd/ Do të doja të bëhesh ikona ime, mes shenjtorëve të mi. (Psalmi i parë)

Remzi Basha ëndërron se si zogjtë e kanë ngritur folenë e tyre në pëllëmbën e dorës, me të cilën e ledhaton shtëpinë e fluturimit. Duke lexuar poezitë e tij, zbulojmë se poeti shkruan me kthjelltësi për dashurinë dhe lumturinë, për botën dhe për shpirtin. Kemi para nesh ndjesinë e këndshme të faktit se autori ecën në një zonë të pa dyshuar që të ofron një poezi moderne dhe të papritur. Drita e hyjnisë, shiu i yjeve, ëndrra, koha, kënga e pasazhit, vjeshta që hedh hapa nostalgjikë në rrugën e viteve, janë bazat themelore në krijimtarinë poetike të Zt. Remzi Basha.

Duke vajtur nga nevoja e gjetjes së esencës, poeti vjen në mënyrë kategorike të justifikojë vlerat hyjnore e natyrore të asaj që ka arritur të fanitet gjithmonë dhe gjithandej. Poeti buzëqesh, edhe pse shikimet e kalimtarëve ia ndajnë shpirtin në dy pjesë. Në pjesën e parë përjetimi, kurse në të dytën ëndërrimi.

Porsi lutjet, lulet, pemët dhe fëmijët, edhe librat janë dhurata hyjnore. Ja një libër i ri nga Remzi Basha që mbetet në histori. Libri është testamenti i jetës dhe kështjella e dashurisë midis njeriut dhe universit. Poeti është i zgjedhuri i Zotit ndërsa poezia është balsami i shpirtit dhe universi i energjive hyjnore. Poezia është një dritare e hapur në zemër të qiellit dhe natës me puthje të ndritshme. Poezia është mbretëresha e shpirtit dhe një zog, fluturimi i të cilit nuk mund të ndërpritet, për sa kohë që drita e ndriçon atë shpirtin tonë dhe jetën tonë.

Ky vëllim vjen para nesh si një forcë magnetike e emocioneve që trillon fjalorin e mençurisë. Remzi Basha shkruan për jetën, për dashurinë, për atdheun, për botën, për buzëqeshjen, për muzgun, për tërbimet e brendshme, për kuptimin e jetës, për pavdekësinë, për ëndrrën dhe për heshtjen. Heshtja e fjalëve është përmbushja e një ëndrre të re, një libër që mbetet si një kujtim i bukur në bibliotekën e ndjenjave letrare. Poezia është drita e përjetësisë, çelësi i një buzëqeshjeje magjike dhe pasqyra e shpirtit. Artisti krijon me sytë e mendjes, me thellësinë e ndjenjave dhe me dashuri të sinqertë për të çliruar shpirtin.

Nuk mund të jesh një poet i mirë pa pasur cilësitë pozitive të karakterit që e bëjnë njeriun një qenie të prekur nga flatrat e engjëllit. Poeti ka një shpirt të shenjtë që Zoti ia ka dhënë. Dashuria është subjekti themelor i frymëzimeve të poetit Remzi Basha. Fjala dashuri shkëlqen në aureolën e luleve të qershisë. Puthjet derdhen mbi statujë. Në sytë e zanës shkëlqen pluhuri i yjeve, burimet e universit dhe lotët e dashurisë. Poezia e Bashës është e ngarkuar me një imazh specifik, me historinë e ndjenjave si subjekt, me një shkëlqesi befasuese. Zbulimet medituese janë gjithmonë të veshura me realitetet e thjeshta të jetës së përditshme. Thellësia dhe zbulimi provokojnë reflektime dhe na drejtojnë në territore të ndryshme, të vendosura në një plan tjetër nga ato të zakonshmet, të cilat në pamje të parë duket se janë hapësira të vërteta, por poeti di me sukses t’i shndërrojë ato në hapësira të tilla, të bukura, të prekshme, reale dhe imagjinare.

Në vargjet e tij shëndrisin rrezet e diellit, pulëbardhat dalin nga deti, si nga një shtëpi e zhurmshme. Poeti krijon një klimë zbulimesh përmes metaforës dhe simboleve, duke formuar jehonat e personave njerëzorë dhe personalë. Më pëlqen prirja e tij ndaj metafizikës së dashurisë dhe problemeve ekzistenciale të njerëzimit. Remziu ka ndërgjegjen e poezisë në gjak, dhe për mua kjo është e mjaftueshme. Ëndrra është shtegu i shpirtit, zëri që tregon vazhdimisht histori të imagjinuara. Këto ëndrra të modës së vjetër, mbi të cilat bilbili rri me hije, shihen si në pasqyrë, gjithmonë valëviten si një fllad i butë. Ato janë harmonia më e rrallë në ekuilibrin e ditëve të gjumit me sy hapur.

Peisazhet e shpalosura janë më shumë imazhe të perceptimit të brendshëm të botës, se sa vende në realitet. Perceptimi i brendshëm i egos që kthehet në një rrëfim për diçka, të cilën duket se shikohet nga jashtë, por në fakt është diçka e imagjinuar. Lumturia, vendet dhe heshtja që përshkruan ajo, janë më shumë rezultat i dëshirës për të krijuar imazhe dhe për të treguar histori, se sa diçka që mund të ekzistojë në realitet dhe në jetën e përditshme. Mund të thuhet se Poeti i Dashurisë preferon që objekt i poezive të tij të jetë metamorfoza e dashurisë sublime dhe pamjet e brendshme të shpirtit. Kjo vepër është një përzgjedhje e re poezishë përfaqësuese të një poeti që është gjithmonë i bukur dhe i frymëzuar. Është një qasje personale që ishte e mundur duke kapërcyer disa paragjykime estetike dhe, pse jo, materiale.

Sigurisht, kjo vepër presupozon një nënshkrim të caktuar, në lidhje me një aspekt ose një tjetër, të spektrit të poezisë bashkëkohore shqiptare. Kjo bazohet në kriteret që më përkasin mua, por edhe në kriteret personale të lirikave të paraqitura në këtë vëllim briliant dhe atraktiv. Ju do të takoni një poet të talentuar, i cili, edhe pse është i larmishëm në stilin poetik, ka origjinalitet, personalitet dhe dinjitet, kurse poezia e tij përvetëson një fizionomi të veçantë e cila mund të prodhojë një surprizë të këndshme për lexuesit në Suedi, Kosovë dhe Shqipëri. Kjo vepër e re nuk është një fillim, por një vazhdimësi që mund të kënaqë të gjitha shijet. Kjo punë është, në fund të fundit, realizimi i një ëndrre dhe i një pritjeje, një pikëshikim simbolik se si krijohet lirika shqipe në diasporë.

Poezia është drita e përjetësisë, çelsi i buzëqeshjes magjike dhe pasqyra e shpirtit. Artisti krijon me sytë e mendjes dhe të frymës së jetës e të dashurisë së sinqertë për të çliruar shpirtin. Nuk mund të jesh poet pa poseduar vetitë pozitive të karakterit që njeriun e bën njeri. Poeti ka një shpirt të shenjtë që ia ka falë Perëndia. Përfundimisht vlen të themi se Dashuria është subjekti elementar i frymëzimeve të Poetit të Dashurisë. Meriton t’i themi Tungjatjeta sepse e meriton, siç i meriton edhe veprat e botuara, lansimet dhe mirënjohjet. (Bukuresht 2022)

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat