Personat me aftësi të kufizuara kanë probleme derisa arrijnë të punësimi

Lajme

Personat me aftësi të kufizuara kanë probleme derisa arrijnë të punësimi

Më: 3 nëntor 2021 Në ora: 22:40
Foto ilustrim

Përmirësimet ligjore të viteve të fundit, në drejtim të mbështetjes për punësim të personave me aftësi të kufizuara, nuk po japin efektet e pritshme për shkak të mungesës së besimit, që kanë për këtë kategori të shoqërisë, si institucionet shteterore, ashtu edhe bizneset private.

Kjo u vu në dukje në takimin e organizuar sot në Shkodër me përfaqësues të shoqatave joqeveritare dhe institucioneve shtetërore, si pjesë e një projekti ndërkufitar, financuar nga Bashkimi Europian.

Stefan Paloka, përson me aftësi të kufizuar, thotë se asnjë prej agjencive ligjzbatuese në Shqipëri nuk është në gjendje të jap statistika mbi punësimin e personave me aftësi të kufizuara.

“Numri i të punësuarve me aftësi të kufizuar, që janë në moshë pune, është i papërfillshëm faktikisht. Është shumë i vogël. Mungojnë edhe shërbimet e specializuara për trajnim profesional për personat me aftësi të kufizuara. Ka problematika që lidhen me përshtatjen e arsyeshme të vendit të punës, bazuar edhe në konventat për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, por edhe në legjislacionin tjetër shqiptar, i cili, deri tani, nuk po zbatohet siç duhet dhe siç pritet të zbatohet”, thotë zoti Paloka.

Sipas tij shoqëria shqiptare duhet të thyej barierat sociale, që lidhen me përceptimin e gabuar se personat me aftësi të kufizuara nuk janë në gjendje të kryejnë një punë të përshtatëshme.

“Unë këtë mund ta them edhe nga vetvetja. Unë jam përson me aftësi të kufizuara, por punoj në një stad prej menaxhuesi të një projekti. Dhe, një gjë është e garantuar se, askush nuk do të më mbante ne këtë vend punë nëse unë nuk do të bëja punën”, thekson ai.

I ulur në një karrige me rrota, Saimir Beqiri drejton prej disa vitesh shoqatën e paraplegjikëve me më shumë se 140 anëtarë. Ai thotë se, për shkak të problemeve shëndetësore, vetëm një pjesë prej tyre janë të interesuar për punësim. Megjithatë, shton ai, askush nuk u ka afruar një punë të përshtatshme.

“Është zero infrastruktura. Pjesa e ndërgjegjësimit, për të marë në punë një person me aftësi të kufizuara, nuk ndodh aspak, për shkak të burokracive dhe problematikave të ndryshme. Unë kam një statistikë që, në Shkodër, një person me karrige me rrota i vetmi jam unë që jam punësuar në spitalin rajonal. Kështu që, nuk di asnjë rast tjetër, as prej anëtarëve të shoqatës tonë”, thotë zoti Saimir Beqiri.

Sipas drejtuesit të shoqatës së paraplegjikëve në Shkodër, institucionet shtetërore duhet të jenë të parët në zbatimin e ligjit për personat me aftësi të kufizuara.

Luigj Mila, drejtuesi i projektit “Shpresë”, ku trajtohen rreth 60 persona me aftësi të kufizuara, të braktisur apo jetimë, thotë se është e rëndësishme që shteti të ndjek zbatimin e ligjit për punësimin e personave me aftësi të kufizuara.

“Ligji shqiptar i detyron të gjitha kompanitë, organizatat apo individët, që kanë 25 punonjës, që të punësojnë një person me aftësi të kufizuara. Nëse kanë 50 do të punësojnë dy. Dhe kështu me rradhë. Po, nëse ata nuk e bëjnë këtë, kanë disa penalitete, ose disa pagesa, që shkojnë në dobi të personave me aftësi të kufizuara. Fakti është se kjo nuk ka ndodh dhe nuk ndihemi mirë për këtë. Kemi institucione shtetërore, joshtetërore, publike, kompani, që nuk e vlerësojnë këtë. Dhe shteti nuk i përdor mjetet dhe levat e tij që t’i detyrojë të punësojnë këtë kategori”, thotë zoti Luigj Mila

Punësimi i përsonave me aftësi të kufizuara, thotë drejtuesi i projektit “Shpresë”, u jep atyre mundësi për të shpalosur aftësitë, por edhe per t’u integruar, gjë që shkon jo vetëm në dobi të tyre, por edhe të vetë shoqërisë shqiptare. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat