Pse Rusia hesht për paktin e Ohrit?!

Lajme

Pse Rusia hesht për paktin e Ohrit?!

Më: 21 mars 2023 Në ora: 21:32
Vladimir Putin dhe Aleksandar Vuçiq

Rusia vazhdon të heshtë për paktin e së shtunës mes Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurtit. Edhe pse ishte një marrëveshje historike që u komentua nga shumë shtete, aleati kryesor i Vuçiçit nuk ka folur.

Zyrtarët rusë dhe punonjësit e medias e interpretojnë negativisht propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.

“Realisht, ai propozim është një përpjekje për një imponim brutal ndaj Serbisë të njohjes de facto të Kosovës. Megjithatë, është kryesisht Perëndimi që është nën sulmin e kritikave ruse për imponimin e planit të lartpërmendur, jo udhëheqja serbe që po tregon shenja të vetëkënaqësisë së tepruar dhe gatishmërisë për të pranuar një marrëveshje që nuk është e favorshme për palën tonë”, tha analisti Dragomir Andjelkoviç për “Euroactiv”.

Ambasadori i Rusisë në Serbi, Alexander Botsan-Kharchenko, ka deklaruar vazhdimisht për mediat se Rusia është e përkushtuar vazhdimisht ndaj Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Pra nuk e njeh Kosovën dhe i mbetet besnike parimit të mbështetjes së Beogradit.

Ai vazhdon t’i dërgojë mesazhe Serbisë se plani franko-gjerman për ta është i papranueshëm dhe është kujdesur të tregojë se ky plan nuk duhet të ndikojë raportet mes tyre.

Megjithatë, sipas Dimitrije Miliç, analist politik, Rusia nuk ka bërë deklarata të rëndësishme publike mbi marrëveshjen, megjithëse disa interesa ruse janë lehtësisht të identifikueshme.

“Autoriteteve në Moskë nuk u pëlqen kur çështja e Kosovës zgjidhet pa pjesëmarrjen e tyre. Kjo gjë është treguar që nga fillimi i negociatave në Bruksel e deri më sot”, tha Milic.

“Duke pasur parasysh se pranimi i propozimit do të ishte një hap shtesë drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, kjo nuk do të ishte në interesin e Rusisë. Kremlini ka ndikim mbi Serbinë përmes çështjes së Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe në fushën e energjisë, kryesisht importet e gazit natyror, dhe vendet perëndimore janë përpjekur të ndalin ndikimin rus në këto dy fusha specifike”, tha ai për “Euroactiv”.

Ndërkohë nëse shohim mediat serbe, janë të shumta ato që e shohin si një goditje ndaj Moskës paktin e Ohrit. Moska disa herë ka dalë kundër planit franko-gjerman. Ndërkohë po sipas mediave të Beogradit, si Vuçiç ashtu dhe Kremlini e dinë se pas paqes me Kosovën, do të vijë kërkesa që Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Sipas analistëve serbë, kjo kërkesë me shumë mundësi vjen në fund të vitit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat