Edita Tahiri i përgjigjet Marko Gjuriqit: Dialogu është obligim ndërkombëtar

Lajme

Edita Tahiri i përgjigjet Marko Gjuriqit: Dialogu është obligim ndërkombëtar

Më: 21 janar 2016 Në ora: 16:08

Gjykata Themelore në Mitrovicë sot ia shqiptoi dënimin me 9 vjet burg, Oliver Ivanoviqit, pasi ai u gjet fajtor, sipas kësaj gjykate, në krimeve ndaj shqiptarëve.

Pas këtij vendimi, shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë se ky aktgjykim “nuk ka lidhje me të drejtën, e as më drejtësinë”, duke paralajmëruar se është koha që Beogradi ta rishqyrtojë pjesëmarrjen e tij në dialog me Prishtinën.

Lidhur me këtë ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka thënë se të dy shtetet si Kosova ashtu edhe Serbia e dinë se dialogu është një obligim ndërkombëtar të cilin duhet përmbushur, nëse duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian.

Ajo ka theksuar se një gjë të tillë e di edhe Gjuriqi, se pa dialog nuk ka integrim në BE.

“Dialogu i Brukselit është një obligim ndërkombëtar për të dyja shtetet, për faktin se edhe Kosova e edhe Serbia janë shtete aspirante për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe dialogu është një kusht për të dyja shtetet që të arrijnë fqinjësi të mirë, sikurse njohja reciproke mes dy shteteve nëse duan të bëhen shtete anëtare të BE”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa, duke folur për vendimin e gjykatës në lidhje me Ivanoviqin, Tahiri ka shtuar se kjo është çështje e drejtësisë dhe se askush nuk ka të drejt të ndërhyj në vendimet e drejtësisë.

“Sa i takon çështjes së Ivanoviqit, kjo është çështje e drejtësisë që ka marr vendim dhe askush nuk ka të drejt të ndërhyj në çështjet e drejtësisë, e madje nuk ka as të drejtë që ti marr si faktor vendimet e gjykatës e cila ka dhënë këtë vendim”, ka përfunduar Tahiri.

Kujtojmë se Gjykata Themelore në Mitrovicë ka shpallur sot fajtor liderin e serbëve të Kosovës Oliver Ivanoviq, i cili është dënuar me 9 vjet burg për krime lufte ndaj shqiptarëve gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Bashkë me Ivanoviqin në aktakuzë janë të përfshirë edhe koloneli i pensionuar i MPB-së serbe, Dragoljub Delibashiq, babë dhe bir Elias dhe Nebojsha Vujaçiq dhe Aleksandër Lazoviq, të cilët janë akuzuar për vrasje dhe tentim vrasje.

Ivanoviq ka qenë në paraburgim që nga janari i vitit 2014.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat