Abdullahu veproi kur të tjerët heshtnin

Lajme

Abdullahu veproi kur të tjerët heshtnin

Më: 23 maj 2010 Në ora: 21:20

Gjilan, 23 maj - Abdullah Tahiri ishte shok i mirë, i urtë, mendjemprehtë, por edhe i vrullshëm në momente të padrejtësisë. Kut ndodhi 11 marsi i vitit 1981, ai ishte ndër të parët në demonstratat në Prishtinë. Së bashku me shokët: Ali Lajçin, Bajram Kosumin, Xun Çetën, Gani Kocin, Hamdi Hajdinin e të tjerë, bëri përgatitjen e demonstratave e 26 marsit të këtij vit (1981), u tha në akademinë përkujtimore kushtuar atij. Në burgun famëkeq të Dubravës dëshmori u ndodh edhe më 30 prill 1999. Nuk i shpëtoi ikjes nga burgu dhe u vra mizorisht nga forcat serbe më 19 maj të vitit 1999. Abdullah Tahiri, dëshmori i kombit, nuk pat fat ta përjetojë lirinë e Kosovës, ndonëse në shpirtin e tij, asnjëherë nuk e pranoi robërinë. Në akademinë përkujtimore, në Gjilan, kushtuar këtij dëshmori, në 11-vjetorin e vrasjes mizore në burgun e Dubravës, u tha se ai ishte e mbeti një figurë e rrallë e dëshmorit të kombit. Bëri shumëçka vetëm e vetëm ta shohë Kosovën e lirë. Kur ta kujtosh Abdullahun nuk mund të mos kujtosh demonstratat e 81-shit, kur ai përmbysi pjatën e parë dhe në mensën e studentëve në Prishtinë, e të mos e rikujtosh, po ashtu, disa vite më vonë edhe ato thirrjen të zjarrta publike të komandantit të parë të Zonës Operative të Karadakut, për t`iu bashkuar UÇK-së, ka thënë Tahir Arifi, profesor i gjuhës shqipe në hapjen e Akademisë kushtuar këtij dëshmori e heroi të kombit. Edhe kryetari i komunës, z. Qemal Mustafa, duke folur për Abdullahun, nënvizoi se, me të nuk krenohet vetëm lagja, fshati e qyteti dhe as vetëm shteti i Kosovës, sepse vepra e tij heroike shkon edhe përtej saj, është madhore. “Rënia për liri është vepër sublime e një njeriu dhe të gjithë dëshmorët kanë një emërues të përbashkët, sepse janë njësoj të mëdhenj, të barabartë, Si Abdullau, Ademi, Agimi, Zahiri e shumë të tjerë, të cilët dhanë më të shtrenjtë e tyre, jetën. Dëshira e të gjithëve ka qenë lufta për liri dhe pavarësi të Kosovës dhe themelet e zhvillimit të shtetit tonë Kosovës”, ka thënë Mustafa. Abdullahu shquhej për një shpërthim që mbante në vete, që askush tjetër nuk e kishte si ai. Publikisht dhe shumë guximshëm e kishte lëshuar porosinë se shqiptarëve, në kushtet e okupimit, nuk iu duheshin partitë politike, por se ata duhet t`i bashkonin forcat rreth UÇK-së dhe, kjo edhe ndodhi më vonë. Duke i njohur meritat e tyre, ne do të mundohemi që dëshirën dhe amanetin e dëshmorëve ta realizojmë përmes zhvillimit të komunës dhe vendit tonë, ka thënë Mustafa. Ndërsa, Ahmet Isufi, ish komandant i ZOK-ut, ka thënë se, Abdullahu ishte personalitet që nuk duronte shabllonet dhe nuk pajtohej me gjendjen e robërisë së shqiptarëve në trojet e veta. Prandaj, ishte ishte nismëtar i demonstratave të 81-shes dhe nismëtar i themelimit të UÇK-së në Zonën e Karadakut. Duke rikujtuar Dullën (Abdullah Tahirin) si njeri të fortë dhe heroik, Ahmeti tha se këto ndjenja ai i kultivonte edhe të tjerët. /T. Selimi

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat