Vetëvrasja e “koleges”

Libra

Vetëvrasja e “koleges”

Lekë Imeraj Nga Lekë Imeraj Më 4 gusht 2020 Në ora: 15:12
Kopertina e librit

Pas pak kohe, njëra nga ne provoi vetëvrasje. E vëzhgova njëzet e një vjeçaren kur qëndroi gjatë në dritare. Sytë e saj lëvrinin poshtë e lart, sikur kërkonin një diçka të veçantë. Rrufeshëm shty kapakun e dritares dhe u hodh. Pesë-gjashtë metër thellësi. Disa nga ne u ngritëm të tmerruara. Të tjerat qëndruan sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Shkova tek dritarja që të shikoja dhe e pashë bjonden, të shtrirë me bark mbi disa gurë. Dukej sikur flinte. Rreth kokës i dukej një rreth gjaku. «Kështu do të përfundojmë të gjitha», më erdhi mua në kokë. «Ajo mori një vendim të zgjuar. Ishte vendimi i duhur», mendova unë, para se ushtarët ta sillnin trupin e saj në dhomën tonë.

Si një thes plehu, e hodhën në dyshemenë e dhomës tonë, trupin e saj të plagosur rëndë, dhe u zhdukën. Me shumë kujdes e tërhoqëm nga shpatullat në një qoshe të dhomës. Krahu i varej poshtë si i pajetë. Ndoshta e kishte thyer. «Na dëgjon!» e pyesnim ne lehtë. Ajo vetëm renkonte. Ditë dhe natë. Për ushtarët ajo ishte asgjë. Afër të vdekurës vazhdonin të na përdhunonin ne, si zakonisht. Sapo largoheshin ata, ne provonim t’i jepnim diçka për të ngrënë. Ajo pinte vetëm ndonjë gllënjkë të vogël ujë. Më në fund, pas pesë ditësh, vdiq.

«Në fillim ishim njëzet gra», më tha papritur një vajzë. Si e befasur e shikova flokëzezën. Ajo quhej Merima dhe, ashtu si të tjerat, ndodhej katër muaj para meje aty. Tha se, pa përjashtim, të gjitha të pranishmet aty, ishin nga Velika Kladusha. Merima ishte rome. Ajo kishte sy të zinj dhe një ngjyrë fytyre të pastër. Më gjatë nuk folëm me njëra-tjetrën. Megjithatë e dëgjoja me vëmendje kur këndonte me vete: «Amerika dhe floriri janë djalli, ai shkëlqen.»

Lexo edhe: Dy bordello

Dy ditë qëndroi kufoma e bjondes në dhomën tonë. Erdhi një ushtar dhe deshi ta përdhunonte. Ai i ngriti këmishën lart dhe u shtri sipër saj. Kur deshi ta fuste penisin në vaginën e saj, vuri re se diçka nuk shkonte. Gjithë inat kërceu lart dhe na bërtiti ne: « Ju kurva, pse nuk më thatë se është e vdekur?»

Edhe unë mendoja shpesh të hidhesha nga dritarja. Nuk më hiqej nga mendja kjo ide.

Rrallë e mendoja një shpëtim të mundshëm. Megjithatë, një shkëndijë shprese, nuk më shuhej kurrë. Ndryshe do të isha çmendur si dy të tjera nga ne. «Jo, mos më prek! Shporru nga unë!» bërtisnin vazhdimisht të dyja, megjithëse dhunuesit, prej kohësh nuk ishin dukur. Kur njëra gjakoste kokën duke e përplasur në mur, tjetra fliste me vete: «Më duhet të nxitoj, ndryshe bëhem vonë!» Një herë, vajza me ballin e gjakosur, filloi t’i binte vetes me grushta. Deshi të na rrihte edhe ne. Dikur, të bërtiturat e saj, u bënë të padurueshme për ushtarët. Të parën që zhdukën nga dhoma jonë, ishte ajo që fliste me vete dhe, një ditë pas, edhe tjetrën.

Herë pas here, na mbështesnin ne, kufomat, në mur dhe luanin me ne lojën «Ekzekutimi». Ato që nuk ishin serbe, duhej të vuanin. Duhej të radhiteshim afër njëra-tjetrës, me shpatulla pas murit. Pastaj burrat qëllonin me pistoletë mbi kokat tona. E vetmja gjë që ndieja ishte lodhja, lodhja e pafund. Kishte raste që këtë lojë e bënin tri herë në ditë por, kishte edhe raste që, për një javë, e harronin. Isha shumë e sigurt se nuk mund të kishte më keq se kaq. Çuditërisht më qetësonte ky mendim. Fytyra e nënës më shfaqej vetëm si një hije. Një kujtim i arratisur nga unë. Për dashuri. Isha e bindur se familja ime jetonte akoma. Pa këto mendime, sigurisht që nuk do të kisha mundur të mbijetoja.

Kishim mbetur vetëm katër. Askush nuk mendonte për tjetrën. Në një rast, njëra e hapi gojën: «Si quheni ju?» Secila nga ne, me zë të ulët, tregoi emrin e vet: Nermana, Behija, Merima dhe Leila. Filluam të diskutonim se cila nga ne do të ishte e fundit. Ajo do të ishte fare e vetme. Përsëri qetësi. Dhe, si zakonisht, në dhomën tonë u futën burrat. Njëri nga ata ishte i pirë. Na urdhëroi të qanim. Ne na kishin shterruar lotët. «Do të shikojmë nëse ju do të qani apo jo!» uluriti i dehuri dhe ia veshi një turinjve romes. Ajo u mbrojt me dorë nga goditja. Ai nxorri pistoletën dhe e qëlloi në kokë. Mbetem tri.

14. 01. 1994,e diel

Fizikisht ndjehem keq por, dhimbja shpirtërore është shumë më e madhe. Shpesh mendoj se nuk e përballoj dot më. Më mrekullojnë gratë që i marrin me kaq mendjelehtësi, gjithçka që ndodh këtu. Njëkohësisht më bëjnë edhe për të vjellur.

17. 01. 1994, e martë

Prej tri ditësh ne nuk jemi më në B. Kryqi i Kuq, çdo fëmije i dha një vezë dhe një limon. Gjithçka mbaroi shpejt. Fëmijët e mi nuk arritën të marrin gjë.

16. 02. 1994, e mërkurë

Ora 17. 00. Korenti ka ardhur përsëri. Dëgjova lajmet e orës 17. Në Bihaç gjendja është e keqe. Në rrafshnaltën serbe zhvillohen luftime të ashpra. Përkrahësit e Abdiçit ndihmojnë serbët. Zot shpëtoje fëmijën tim!

17. 02. 1994, e enjte

Karitasi ndau paketa ndihmash. E nxita Goranin që të shkonte atje. Por prifti i tha se, për ty personalisht, nuk ka ndihma. Edhe ndihmat ishin lidhur me politikën. Kjo për faktin se, Gorani nuk donte të shkonte të luftonte dhe se ishte martuar me një grua myslimane…

21. 02. 1994, e hënë

Lufta për Bihaçin po bëhet gjithnjë e më e ashpër. Në B. shpërthyen katër granata.

23. 02. 1994, e mërkurë

Sot, Emiri dhe Gorana, u zgjuan plot njolla në trup. U ka rënë fruthi. Kur i vëzhgova, më kujtuan vogëlushen Leila. Nëse do ta shikoj edhe njëherë!

05. 03. 1994, e dielë

Lufta për Bihaçin vazhdon. Dikur këta politikanë do të mbyten në pasionin e tyre për pushtet. Leila, ki kujdes, mos i ler këto egërsira të të vrasin…! Zot, mbroje!

08. 03. 1994, e martë

Leila ime e dashur, gjithë të mirat në ditën e emrit! Të dua shumë. Në Sarajevë trami lëviz përsëri. Dikush mendon se, nëse trami në Sarajevë fillon të lëvizë, mbaron lufta. Ashtu qoftë! nga ditari i nënës/Vijon

Përktheu Lekë Imeraj-shkrimtar, përkthyes, publicist

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat