Dashuria dhe empatia janë baza të paqes

Life style

Dashuria dhe empatia janë baza të paqes

Më: 12 janar 2020 Në ora: 09:41
Nora Visoka-Weller

Nora Visoka-Weller është studiuese e doktoratës në Universitetin e Kembrixhit, Departamenti i Arkeologjisë. Hulumtimi i saj i tanishëm shikon mbi praktikat më të mira të mbrojtjes, ruajtjes dhe menaxhimit të trashëgimisë kulturore, duke u përqendruar në mjediset shoqërore të paskonfliktit.

Hulumtimi i saj më i fundit “Trashëgimia Atrocitare dhe Statusi i të Vdekurve të Masakruar: Rasti i Kosovës 1998-1999” hetoi vendet e historisë dhe trashëgimisë së errët, varrezat masive dhe mbetjet njerëzore nga masakrat vis a vis nocionit të trashëgimisë kulturore.

Më parë, Nora ishte hulumtuese në Qendrën Ndërkombëtare për Drejtësi Tranzicionale, në Afrikën e Jugut. Ajo shërbeu gjithashtu si këshilltare e Kombeve të Bashkuara mbi Kontrollin e Armëve dhe zhvillimin shoqëror në vendet e pas-konfliktit në Shqipëri, Qipro, Lindjen e Mesme dhe disa pjesë të Afrikës Jugore.

Nora mori vlerësime nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Kombet e Bashkuara për kontributin e saj në parandalimin e konfliktit gjatë luftës në Kosovë. Ajo është nominuar për çmimin prestigjioz “Gruaja më frymëzuese 2017″ nga “Global Women’s Network London”.

Nora përfundoi Juridikun në Kolegjin Lucy Cavendish në Universitetin e Kembrixhit, Trashëgiminë Arkeologjike dhe Muzetë në Selwyn College, Universitetin e Kembrixhit, Transformimin e Konflikteve në Vermont (SHBA). Specializimi i saj ligjor është në Ligjet mbi Artin në Institutin Sotheby’s në Los Angeles (CA).

Ubuntu është një term në grupin e gjuhëve bantu që flitet nga klani Nguni në Afrikën Jugore. Termi ubuntu e ka kuptimin e përgjithshëm “Unë jam, sepse jemi bashkë”, që i referohet njerëzimit individual ndaj të tjerëve.

Mua ma shpjegoi këtë nocion shumë vite më parë Desmond Tutu, kryepeshkopi i Kishës anglikane në Capetown, i njohur gjithashtu edhe si themeluesi i komisionit të së vërtetës dhe pajtimit në Afrikë të Jugut, me të cilin kam kaluar shumë kohë të vlefshme dhe nga i cili kam marrë mësime të rëndësishme për popullsinë indigjene të Afrikës në përgjithësi, por edhe mbi vlerat që bart thënia ubuntu, bashkëpunimit të padiskutueshëm, ngrohtësinë, hapjen dhe dinjitetin personal. Pra, ubuntu mund të krahasohet ndoshta me “besën” tek shqiptarët dhe ndër vite është bërë pjesë e jetës sime.

Afrika. Udhëtimet e mia nëpër kontinentin e Afrikës më kanë ndryshuar përgjithmonë mënyrën si e shikoj botën. Unë isha 23-vjeçare kur shkova për të punuar në Afrikë të Jugut, më pas në pjesë të tjera të Afrikës Lindore, Tanzani dhe Keni dhe pjesë të Afrikës Qendrore.

Përveç historive dhe kulturave fascinuese të shoqërive afrikane, është natyra përgjatë kontinentit që reflekton dhe transmeton një madhështi të paparë dhe në fakt determinon varësinë fizike dhe spirituale që ka njerëzimi ndaj Tokës, duke e marrë parasysh gjithashtu edhe faktin se ajo pjesë e botës është habitati i kafshëve më të rëndësishme dhe më të rralla në planet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat